Kur urrejtja dhe emocionet mbisundojnë arsyen

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Ky vit është vendimtar për Maqedoninë. Koha kalon dhe gjërat duhet te hyjnë në vendin e tyre. Momenti duhet të shfrytëohet, sepse nuk vjen çdo vit. Kur nuk shfrytëohet, atëherë vitet tjera rrokullisen pa asnje të re, dhe kur ta shohësh, kalojnë 21 vite nga 1997ta kur gazetat shkruanin se çështja e emrit do të zgjidhet deri në gusht të atij viti. Kalon një jetë e tërër dhe çështja nuk zgjidhet, sepse momenti nuk shfrytëzohet, sepse dikush mendon për votat që duhet nesër ti mare në zgjedhje dhe jo për atë se ku do të jetë ky shtet pas 1, 5, 10 ose 20 viteve. Kjo shkurtpamësi ka dy baza të forta.

Njëra është urrejtja e kahëhershme ndëretnike që kultivohet ndër vite, me kontributin zemërgjerë të akademikëve, profesorëve, opinionistëve dhe gazetarëve. “Nuk e japim gjuhën! Edhe emrin mund ta japim vetëm gjuhën nuk ua japim shqiptarëve!” Kështu thonë protestuesit që në numra të vogla protestojnë çdo ditë, para institucioneve shtetërore që atyre u duket se i tradhëtojnë interesat shtetërorë. Tradhëti ndaj interest shtetëror është të mohosh që në këtë vend jetojnë më shumë komunitete. Tradhti është të mos pranosh që ky vend është multietnik dhe si i tillë ka vlera të veçanta të përcaktuara edhe me dokumentet bazë të tij, me Kushtetutë e me ligje. Këto forma të hapura të shprehjes së mosdurimit ndëretnik i shohim çdo ditë jo vetëm në rrugë por edhe në emisionet televizive të mbushura me gjuhën e urrejtjes. Gjuha e urrejtjes është e ndaluar me ligjet tona, si që është i ndaluar edhe kriminaliteti i urrejtjes. Megjithatë, e shohim çdo ditë të ndodhë, para syve tanë, dhe sërish, organet kompetente për ndjekjen e këtij lloji të krimi, mbi të gjitha prokuroria publike, nuk reagojnë. Sikur nuk e dinë sa i rrezikshëm është helmi që përhapet çdo ditë përmes emisioneve të Mileknos ku Mirka vjell vrerë kundër shqiptarëve duke i quajtur ata me emra të ndryshëm dhe duke thirrur në dhunë me shprehjen “Do të ketë terror nëpër rrugë”. Është e turpshme të mos ketë reagim institucional për këto shprehje të urrejtjes, është e pakuptimtë dhe e pafalshme që të njejtat të tolerohen në një vend që synon të bëhet vend i Bashkimit Evropian. Poashtu është e turpshme të organizohen protesta kundër gjuhës shqipe në qendër të Gjenevës, në një shtet ku ka plot katër gjuhë zyrtare. Është idioteske që për tërë këto vite kur njerëzit jetojnë në një botë të globalizuar, mendja të mbetet e ngulfatur në të kaluarën mesjetare e cila në disa raste ka qenë më e përparuar se qëndrimet e tyre anakronike në këtë kohë.

Baza e dytë e kësaj shkurtpamësie është emocioni i frikës. Ajo frikë e cila e dominon çështjen e emrit me vite dhe dekada. Ajo frikë e cila është keqpërdorur në të kaluarën për të mbajtur votat nën kontroll, dhe po keqpërdoret edhe më tej për të bërë rikthim të opozitës maqedonase në skenën politike. Në këtë kohë, kur në anën e Maqedonisë ka një kryeministër si Zoran Zaev i cili ka vendosur në mënyrë proaktive të kontribuojë në zgjedhjen e një kontesti shumëvjeçar, ndërsa në anën tjetër ka një kryeministër si Aleksis Cipras i cili qartazi tha që dështimi për të zgjedhur këtë kontest në këtë moment do të ketë pasoja negative për Greqinë dhe do të ndikojë negativisht në stabilitetin gjeo-strategjik të rajonit, thjeshtë nuk ka logjikë që kjo zgjidhje të prolongohet edhe më tej. Nuk do të ketë përsëri një moment të këtillë kur aktorët politikë që duhet ta udhëheqin këtë proces janë kaq proaktivë dhe të vendosur të gjejnë një zgjidhje. Prandaj lëshimi i një mundësie të tillë do të ishte një humbje e madhe dhe kthim në rrethin vicioz, kur pas shumë vitesh sërish do habitemi me titujt e gazetave të sotme ditore, ashtu si habitemi tash me titujt e gazetave të 1997tës.

Në mënyrë që të mos ndodhë kjo, opinion i gjerë në Mqedoni dhe ai në Greqi duhet të përgatiten për zgjidhjen e këtij kontesti. Përgatitjen e bëjnë intelektualët dhe opinionistët, të cilët në vend se të mbjellin dhe kultivojnë frigë tek populli, duhet të prijnë me një vision më largpamës dhe mendjehapur lidhur me këtë çështje. Inteligjenca e një shteti është gjithmonë ajo që i çon para proceset dhe që e përgatit popullin për ndryshime. Fatkeqësisht, ajo që shohim për momentin në Maqedoni është një inteligjencë shumica e së cilës ka mbetur e mbërthyer në të kaluarën.

Është e dhimbshme kur në një shtet qeverisja momentale është më e guximshme, më proaktive dhe më mendjehapur se inteligjenca. Duhet të jetë e kundërta, inteligjenca duhet të jetë progresive edhe kur qeveria mund të jetë konservative.

Maqedonia është vërtetë një vend shumë i çuditshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP