Ndërmjetësi Nimic sot në Shkup, nesër në takim me kreun shtetëror

Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara për kontestin e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë, Methju Nimic sot do të arrin në Shkupin pas vizitës së tij në Athinë, kurse takimet zyrtare me kreun shtetëror do t’i zhvillojë nesër, raporton Portalb.mk.

Takimet nisin nesër me fillim prej ora 10:00.

Në ora 10:00, takim me kryetarin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov në Vilën Vodno.
Në ora 11:00, takim me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev në objektin e Qeverisë së Maqedonisë.
Në ora 12:00, takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në objektin e MPJ-së. Pas këtij takimit vijon edhe konferencë për media.
Në ora 15:00, takim me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Në ora 16:00, takim me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ndërkaq dje, Nimic pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë në MPJ-në greke, Nikos Koxias, deklaroi se ekziston momenti dhe se ka ardhur koha për marrje të vendimeve. Në takim ata të dy kanë biseduar për idetë të cilat ndërmjetësuesi i dorëzoi para dy javësh, i ka dëgjuar pozicionet e qeverisë dhe thotë se ekziston vullnet edhe tek të dyja palët për arritje të marrëveshjes.

Duke e vlerësuar takimin si konstruktiv, Nimic tha se Qeveria greke është e sinqertë dhe aktive në zgjidhjen e problemit.

“Ekzistojnë disa çështje të rënda, por mendoj se Athina dhe Shkupi, kanë vullnet të mirë që të mbyllen”, tha Nimic.

Nimic nuk dëshiroi që të precizojë se çfarë përmbajnë propozimet e tij të dorëzuara në Athinë dhe Shkup. Ai theksoi se në media kanë rrjedhur disa nga idetë, por ka theksuar se publikisht tani për tani nuk mund të flet për atë.

“Të dyja palët mund të kenë edhe idetë e tyre për të cilat unë mundem të ndërmjetësoj, por jo të gjykoj. Nga ana ime jap ide për të cilat vlerësoj se janë në të mirë të momentit”, tha Nimic.

Përfaqësuesi i posaçëm i KB-së në bisedimet për emrin në deklaratë për mediat, nuk deshi t’i zbulojë idetë dhe propozimet e tij, duke thënë se nuk është ide e mirë të komentojë se çka ka propozuar. Theksoi se në mediat dolën disa nga idetë, por theksoi se publikisht tani për tani nuk mund të flitet për këtë.

Ndryshe, Kombet e Bashkuara thanë se mund të bëhet përparim në zgjidhjen e kontestit 26-vjeçar midis Athinës dhe Shkupit në lidhje me emrin e Maqedonisë.

Zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, u tha gazetarëve se “ka pasur një moment pozitiv në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja” dhe se “zgjidhja mund të gjendet me frymën e duhur të kompromisit nga lidershipi dhe popujt e të dyja vendeve”.

Shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias ka konfirmuar se Greqia po përgatit marrëveshje me katër pika:

  • Propozimet për emrin, irredentizmin
  • Marrëdhëniet rajonale të Maqedonisë
  • Marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë
  • Masa për agjendë pozitive

Sipas Koxias, marrëveshja ende është në fazën e formulimit, fillimisht do të duhet të prezantohet në Qeverinë e Greqisë, ndërkaq më pas edhe në atë të Maqedonisë. Nëse e njëjta pranohet do të paraqesë bazë për zgjidhje ne problemit me emrin, ndërkaq duhet që të marrë dritë jeshile nga parlamentet e të dyja vendeve dhe njëkohësisht do ta hapë rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së.

“Në këtë marrëveshje do të kyçen të gjitha temat që janë hapur në lidhje me emrin. Veçmas kapitulli për irredentizmin, por edhe për temat që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, të integrimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe agjendës pozitive, dhe mënyrën se si mund të zhvillohen marrëdhëniet tona”, ka dhënë Koxias, duke sqaruar se pala greke ende e përgatit draft marrëveshjen, ndërkaq pritet që nga mesi i muajit tjetër t’i dorëzohet Qeverisë së Maqedonisë.

Nimic i viziton dy vendet pas takimit të liderëve të shtunën në Shkup, në të cilën morën pjesë presidenti Gjorge Ivanov me dy përfaqësues të kabinetit të tij, kryeministri Zaev me ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, Radmilla Shekerinska dhe Nikolla Dimitrov, liderin e BDI-së me zv/kryeministrat Bujar Osmani dhe Hazbi Lika, si dhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski me Vllado Misajllovskin dhe Aleksandar Nikollovskin.

Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev pas takimit pesë-orësh të kryesisë politike në vend, u shpreh se është optimist se mund të gjendet një konsensus kombëtar mbi mosmarrëveshjen e emrit, transmeton Portalb.mk.

“Ky ishte një takim informativ i ideve të propozuara të ndërmjetësit Matthew Nimetz. Ky proces kërkon përgjegjësi. Ne synojmë të sigurojmë progres dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Është e nevojshme të përfshihen të gjithë“, tha Zaev.

Për liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, ky takim koordinativ, ka qenë nja nga takimet më të frytshme lidhur me këtë çështje.

“Ky ishte një nga takimet me të frytshme. Ishim të informuar lidhur me takimin e Zaevit me Cipras. E vlerësoj dialogun për gjetjen e një zgjidhjeje. Ky është fillimi i përfundimit të një procesi për Maqedoninë. E rëndësishme është që të jemi pjesë e NATO-s në qetësi dhe stabilitet”, tha Ahmeti, transmeton Portalb.mk.

Presidenti Ivanov pas takimit gjithashtu deklaroi se ishte një takim informativ.

“Ky ishte një takim informativ, ku kryeministri dhe ministri i punëve të jashtme na informuan lidhur me procesin e dialogut për zgjidhje e çështjes së emrit. Nuk mund te deklaroj me shumë detaje për atë se çfarë u bisedua, por jam realist me përvojë. Pres që Qeveria të na informoj lidhur me të gjitha aktivitetet lidhur me këtë çështje. Ky proces do të vazhdojë të jetë nën kornizat e Kombeve të Bashkuara. Për të mos pasur presione u pajtuam që të mos komentojmë për propozimin”, tha Ivanov.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickoski deklaroi se VMRO-DPMNE është përkrahës i anëtarësimit në NATO dhe në mbrojtje të interesave nacionale, ndërkaq për propozimin e emrit ai tha se Zaev i ka njoftuar me kornizën e Nimicit që është e njohur.

“Ministri Dimitrov dhe kryeministri Zaev na informuan lidhur me negociatat dhe u prezantua propozimi i Nimic, i cili është pak a shumë i njohur për publikun. Nga ky moment e më tutje i gjithë procesi për mbarëvajtjen e negociatave për çështjen e emrit me Greqinë është i Qeverisë. VMRO-DPMNE është përkrahës i fortë dhe qëndron në pozitën që Maqedonia duhet të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe VMRO-DPMNE qëndron në mbrojtjen e interesave nacionale dhe shtetërore të Maqedonisë”, tha kryetari i VMRO-së, Hristian Mickoski pas takimit.

Zaev-Cipras: Maqedonia do ta ndryshojë emrin e aeroportit dhe autostradës (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button