Eurozona, rritje ekonomike me ritmin më të shpejtë në një dekadë

Ekonomia e Eurozonës u rrit gjatë vitit 2017 me ritmin më të shpejtë të saj në një dekadë, sipas shifrave zyrtare.

 Ekonomia e bllokut me 19 vende anëtare u rrit, sipas “Eurostat”-it, me 2.5 për qind vitin e shkuar, rritja më e madhe kjo që nga 3 përqindëshi i regjistruar në vitin 2007. “Eurostat” tha po ashtu se Eurozona u rrit me 0.6 për qind në 3 muajt e fundit të 2017-s, transmeton Top Channel. 

Banka Qendrore Europiane ka aplikuar një program gjigant stimulimi, në përpjekje për të siguruar rritjen e Eurozonës. Ky program ka bërë që banka të mbajë shkallën e saj të interesit në zero dhe të shpenzojë miliarda euro në muaj, duke blerë asete financiare.

Rritja në Eurozonë ka përshpejtuar ritmet dhe tani shikohet si një nga pjesët më të fuqishme të ekonomisë globale. Në dhjetor, Banka Qendrore Europiane publikoi edhe parashikimet e saj të rritjes për Eurozonën, duke parashikuar një rritje prej 2.3 për qind sivjet, shifër kjo më e lartë nga 1.8 përqindëshi i parashikuar më herët.

Javën e shkuar, Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se perspektiva për ekonominë globale po përmirësohet, ndërsa parashikimi për rritjen ekonomike gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm është 3.9 për qind. FMN-ja tha se përshpejtimi i rritjes ekonomike është me bazë të gjerë veçanërisht në Europë dhe Azi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button