Ashpërsohen luftimet para takimit në Soçi, rritet numri i viktimave në Siri

Numri i viktimave civile në rajonin veriperëndimor të Sirisë po shtohet ndërsa vazhdojnë luftimet e ashpra mes fraksioneve të ndryshme siriane. Turqia synon të marrë nën kontroll një mal strategjik mbi qytetin Afrin, që aktualisht mbahet nga forcat kurde. Aeroplanët e qeverisë siriane të mbështetur nga Rusia goditën komunitetet rebele në provincën Idlib. Luftimet e ashpra vijnë në prag të bisedimeve për Sirinë në Soçi.

Luftimet u intensifikuan dje në rajonin kufitar sirian, Afrin, ku turqit kërkojnë të largojnë kurdët nga pushteti. Ankaraja pretendon se milicia kurde, që ndërmori një ofensivë të suksesshme kundër Shtetit Islamik në Siri, është pjesë e grupit terrorist PKK.

Nënkoloneli Mohammed Al-Hamadeen është zëdhënës për grupin rebel sirian.

“Mali Barsaya është një vend i rendësishëm dhe strategjik sepse është pika më e lartë në zonë dhe PKK e ka kontrolluar atë”, thotë ai.

Të hënën u zhvilluan funeralet për luftëtarët dhe civilët e vrarë gjatë sulmit turk. Civilët e plagosur u dërguan tek një spital në Afrin, megjithë pretendimet e Ankarasë se sulmet ajrore nuk shkaktuan viktima mes civilëve.

Ndërkohë, aeroplanët e qeverisë siriane dhe ruse bombarduan Idlib-in, duke vrarë të paktën 30 njerëz që nga e diela. Vëzhguesit thonë se një treg dhe një spital u goditën të hënën në qytetin Saraqeb të provincës Idlib.

Luftimet mes fraksioneve të ndryshme në Siri po ashpërsohen ndërsa përfaqësuesit e tyre shkojnë sot për bisedime në Soçi të Rusisë. Rusia ka mbështetur përpjekjet e qeverisë siriane kundër opozitës. Por edhe disa kundërshtarë do marrin pjesë në takim.

Haytham Manna është një prej disidentëve sirianë.

“Në përgjithësi, roli rus është relativ. Ka shumë gjëra negative si sulmet ajrore apo disa operacione në Siri që nuk morën në konsideratë popullsinë civile. Por nga ana tjetër, që nga dhjetori i vitit 2011, pa Rusinë nuk ka zgjidhje”, thotë ai.

Bisedimet në Soçi do të përqendrohen tek propozimet në përmirësimin e kushtetutës siriane, thotë i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Steffan De Mistura:

“Qëllimi pëfundimtar i një procesi kushtetues është që t’i mundësojë popullit sirian që të përcaktojë lirisht dhe në mënyrë të pavarur të ardhmen e tij në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbikqyrura nga OKB-ja.”

Komiteti i Lartë Negociues i opozitës siriane nuk po merr pjesë në bisedimet në Rusi, po ashtu as kurdët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button