Ligji i gjuhëve, shmangie e plotësimit të tij apo bllokim i Kuvendit?!

Mbi 35 mijë amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE-ja për ligjin e gjuhëve, kryeparlamentari Talat Xhaferi i cilëson si bllokadë të Kuvendit të Maqedonisë e kurse deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski thirret në atë se ato kanë për synim të arrijnë barazi sociale dhe janë në pajtueshmëri me vërejtjet e kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, shkruan Portalb.mk.

Në takimin joformal me gazetarët, Xhaferi ligjin për përdorimin e gjuhëve e cilësoi si ligj tashmë të miratuar dhe tha se nuk mund të pranohen amendamente shtesë për shkak se kjo do të binte në kundërshtim me vetë Kuvendin i cili paraprakisht e kaloi në leximin e dytë.

“Formalisht ligji i gjuhëve është miratuar, dhe mund ta konsiderojmë si ligj”, tha Xhaferi.

Nga ana tjetër, deputetei i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski të njëjtin e cilësoi si “propozim-ligj dhe thotë se do të jetë ligj kur do të shpallet në gazetën zyrtare”. Në gazetën zyrtare ligji i gjuhëve shpallet atëherë kur do të votohet me shumicë votash në leximin e tretë të saj, që tashmë është në rjedhë.

Xhaferi kërkon konsensus politik, kurse Dimovski konsensus social

Kryeparlamentari Talat Xhaferi shprehu optimizëm se deputetët e VMRO-DPMNE-së do të largohen nga amendamentet e propozuara dhe kërkoi që të ketë marrëveshje politike për ligjin e gjuhëve.

“Ato amandamente janë sjellë që të mos miratohet ligji. Ka formë procedurale, por qëllimi është politik. Kur flasim për procedurë, kishte amendamente në lexim të dytë. Këtu përdoret procedura që të bëhet politikë”, tha Xhaferi duke bërë thirrje që VMRO-DPMNE-ja të punojë për konsesus politik.

Por kjo nuk parashihet të bëhet nga VMRO-DPMNE-ja, pasi që siç njoftoi deputeti i kësaj partie, Ilija Dimovski në konferencë për media, amendamentet janë sjellë në bazë të vërejtjeve të parashtruara nga kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov siç tha ai, “sipas së drejtës së tij, e drejtë kushtetuese, se ligji është antikushtetues”.

“Sjellja e 35 mijë amendamenteve nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së  dhe koalicionit për Maqedoni më të mirë ka për qëllim që të ngrit vetëdijen te shumica parlamentare, te Qeveria e Maqedonisë, dhe të gjitha subjektet e Qeverisë së Maqedonisë, se këto çështje duhet të miratohen në bazë të konsensusit social e jo vetëm politik. Nëse nuk kanë qëllim dhe nëse nuk kanë vullnet të konsultohen me ne, ne do të kemi problem. Dërgojmë apel që të konsultohen dhe të bisedojnë me profesorë, albanologë, me juristë dhe me proces të tillë transparent, të marrin vendim”, Dimovski.

A do ta ndjekë ligjin e gjuhëve fati i “ligjit të branitellave”?!

U shtrua edhe dilema se nëse ligjin e gjuhëve mund ta pret fati i ligjit për pjesëtarët e forcave të sigurisë maqedonase, apo i njohur në opinion si “ligji i branitellave”, megjithatë kjo u hedh poshtë nga Xhaferi nën arsyetimin se nuk bëhet fjalë për të njëjtën procedurë.

“Ligji i gjuhëve nuk mund të ketë fatin e ligjit të branitellave. Nuk është procedura e njëjtë e as veprimi. Aty Kuvendi nuk ka qenë i bllokuar, por Komisioni dhe është punuar kur është mundur në atë pikë. Këtu ka dallim kur bëhet fjalë për punën e seancës plenare. Unë nëse vendos ta zhvillojë amendament pas amendamenti, do ta zhvillojë. Nëse ata nuk kuptojnë se kjo është në dëm të shqiptarëve, atëherë do të ndëmarrë hapa tjerë”, tha Xhaferi.

Kryeparlamentari Xhaferi refuzoi të tregojë se cili do të jetë hapi tjetër.

Ligji i branitellave u bllokua për shkak se partitë shqiptare nuk lejonin që në Kuvend të kalojnë ligje selektive, të cilat sipas tyre shkaktonin kriza dhe ndarje mes dy komuniteteve më të mëdha, duke theksuar se zgjidhja më e mirë për këtë çështje ishte përfshirja e gjithë pjesëmarrësve të konfliktit të vitit 2001, në një ligj të vetëm.

Ligji i branitellave u pa i pranishëm edhe në bombën 26 të publikuar nga atëherë lideri i opozitës së LSDM-së, Zoran Zaev ku u paraqit bisedë mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe deputetes Sillvana Boneva deri sa bisedojnë si ta luajnë lojën me ligjin për “Branitella” me BDI-në. Gruevski ka menduar për tërë këtë manipulim që ligji mos të sillet dhe ta ruajë ligjin vetë për pazare me BDI-në për “ndonjë kohë kur ata (BDI) të jenë në zor më të madh”.

Ndryshe, dje në rend dite të seancës plenare u vendos ligji i gjuhëve për diskutim, por për shkak se mbi 35 mijë amandamentet nuk ishin të përkthyer i njëjti u hoq nga rendi i ditës. Prej 35.000 amendamenteve të VMRO-DPMNE-së, janë përkthyer vetëm 17.000.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button