GJURMË TË NDRITSHME

Natë. Rrimë me një mik dhe evokojmë kujtime nëpër të cilat “parakalojnë” shumë miq të tjerë. Ndër ta janë shokë të veçantë që janë larguar nga kjo jetë. Njerëz të rrallë, por edhe krijues të rrallë letrarë: Teki Dervishi, Beqir Musliu, Jusuf Gërvalla, Nexhat Pustina,… Miku shkon dikur. Pason heshtja. Nata rrëshqet, largohet, po shfaqet vetmia. E gjatë. Dhe, e vendosur të më mbajë peng.

Gjumë nuk ka.

Në pagjumësinë time më vijnë të qarta fjalët e Jusufit për Lirinë që i thoshte me zemër e guxim kur, të rinj, punonim në gazetën “Flaka”, në katin e tretë të ish shtypshkronjës, ku e kishim redaksinë. E dëgjoj të qartë këngën e tij “O kjo anë e lumit ka bilbila shumë”. Vargje të Kadaresë të zbukuruara me notat dhe me zërin e bukur të Jusufit. S’të hiqet kurrë nga kujtesa një individualitet i fuqishëm si ai. Nuk ka pasur njeri të vendosur si Jusufi. Inteligjent. I talentuar. Një kërkues i paepshëm i metaforës. Një artist i rrallë. Dashnor i lirisë.

E vranë. Në lule të rinisë.

Beqiri ishte tjetër. Ishte i qetë. I urtë. Kurrë s’kam parë njeri me gjithë atë zjarr poetik, njeri vargu i të cilit nisi ta ngrejë gjuhën shqipe në një shkallë më të lartë. Me gjithë atë potencë krijuese, nuk e di të jetë imponuar ndonjëherë e të thotë diçka që do të aludonte në mjeshtërinë e tij, megjithëse shumë veta e thërrisnin maestro. Shkruante qetë vargje që shpërndanin bukurinë, dhembjen dhe klithmën shqiptare me një origjinalitet të paparë duke ua dhënë fuqinë universale.

Ia shkurtuan jetën. Pa u plakur.

Nexhat Pustina. Një poet në kohërat kur poetët shqiptarë ishin thuajse të ndaluar këtu. Ishte i dhënë i tëri pas bukurisë shpirtërore, të cilën e ilustronte me vargjet Omar Khajamit, të Nolit dhe Ciklit të Kreshnikëve. Që të gjitha këto vargje i dinte përmendësh. Dhe, kishte një zë të veçantë e ishte edhe recitator fjala e të cilit më skalitet fuqishëm në kujtesë.

Kaloj unë i ri, një herë moti, para hotelit të vetëm në sheshin e Tetovës. Ai më sheh. Del e më fton brenda. Para tavolinës së tij ka një gotë raki, një meze modeste dhe ajo që e veçon këtë tavolinë është magjia e pranisë së tij. Shpejt ia nis t’i recitojë Këngët tona Kreshnike. Pastaj ndalet te vaji “Ajkuna kjan Omerin e ri”. Kumbojnë fjalët e tij dhe të gjithë njerëzit që janë pranë heshtin. Madje edhe ata mysafirë të pakët që nuk e dinë gjuhën tonë. Bien pika loti në gotën e tij. Pastaj shkruan në do copa letre, që ia kërkoi kamerierit. Shkruan vargje. E qan rininë tonë që vdiste çdo ditë nga pak nga dorë e huaj, në mënyra të ndryshme.

Edhe Nexhatit ia bënë të pamundshme jetën. E mori Vetmia e madhe. Dhe hijet e mistershme që do t’i kenë shkuar prapa. U shua aty për aty. Si qiriu para dritares së hapur, kur shfaqet stuhia.

Teki Dervishi. Një kolos i letrave shqipe. I paparë. I papërsëritshëm. Kemi qenë shokë, por edhe fqinjë. Kalonim net të tëra duke folur për shtigjet e letërsisë shqipe, për Majakovskin, për Bodlerin, për Rembonë. Kafkën. Dostojevskin. Borhesin, për Sabaton. E shumë të tjerë. Nuk ka pasur ditë, madje as çast, që ai të mos shkruante. Çdo fjalë e tij nga përmbledhja “I varur me vargje për drurin e blertë” kumbon dhe do të kumbojë në përjetësi, pikërisht si një gurrë e madhe e lumit që del në blerimin e malit dhe i jep kuptim rrethit duke u bërë shenjë e paanshkalueshme e bukurisë.

“Më ngadalë fol”, thoshte ky mjeshtër i pashoq i fjalës së shkruar e të bukur shqipe, kur bisedonim për hallet tona, “kujdes se na dëgjojnë”. Unë mendoja se vuante nga mania e ndjekjes, pasi që kishte kaluar tre vjet e sa në burgun famëkeq të Goli Otokut nga mosha e tij shtatëmbëdhjetë vjeç, i akuzuar si nacionalist shqiptar dhe “armik i popullit”.

Më vjen keq se i kam hyrë në hak. Dosjet tona që i lejuan të hapen në fillim të shekullit e dëshmuan atë që e pohonte Tekiu sa punonim bashkë në “Flakë”. Na kishin ndjekur hap pas hapi. Na kishin spiunuar edhe njerëz të tillë që i kemi konsideruar miq.

Mendoj se edhe sot dikush kujdeset t’i shlyejë gjurmët e ndritshme të këtyre burrave. Dhe, të të tjerëve. Që janë të veçantë. Këndej dhe andej kufirit.

Vitet po kalojnë pahetueshëm e ende emri i tyre nuk u shkrua ndonjë shkolle, nuk e kanë emërtuar me këta emra ndonjë rrugë, ndonjë institucion. As në Shkup. As në Prishtinë. As në Tiranë. Askund!

Kurse këta meritojnë më shumë se kaq.

Dikur agimi i prek dritaret me rrezet e tij të ftohta. Pastaj nisin të dallohet peizazhi i zymtë i qytetit edhe çerdhet e mëdha të sorrave në drurët në parkun që kam përballë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button