DR: Kërkojmë paanshmëri dhe profesionalizëm nga autoritetet qeveritare

Këshilli drejtues i DR-së në mbledhjen urgjente të mbajtur sot diskutoi për gjendjen e krijuar në Maqedoni  pas arrestimeve të 1 majit dhe theksoi nevojën e transparencës sa më të plotë, si dhe largimin e çdo paragjykimi rreth autorëve dhe motiveve të krimit në Smillkovcë, përderisa akoma nuk ekzistojnë  fakte bindëse dhe të pamohueshme. 

“Duke mos dashur që të ndikojmë, e aq më pak të pengojmë procesin e zbardhjes së krimit në fshatin Smillkovcë, DR edhe një herë kërkon nga autoritetet qeveritare si dhe nga organet gjyqësore angazhimin maksimal dhe punën me përkushtim, paanshmëri dhe profesionalizëm pa rënë nën ndikimin e interesave të çastit dhe mbi të gjitha, pa përkeqësuar edhe më shumë raportet edhe ashtu të tensionuara ndëretnike”, shprehen nga DR-ja.

“Nuk është hera e parë që qeveria e maqedonisë të kërkojë të tërheqë   vëmendjen e faktorit ndërkombëtar për gjoja rrezikimin e Maqedonisë nga  elementet radikale islamike – rasti i vreshtave të Rashtakut. Arrestimet e 1  majit dhe  etiketimi i nxituar i personave të  arrestuar si radikalë islamistë nga radhët e qytetarëve shqiptarë edhe atë vetëm disa ditë para mbajtjes së Samitit të Çikagos shtojnë shumë dyshimet për përpjekjet e sinqerta të  kësaj  qeverie për zbardhjen e të  vërtetës”, thuhet në deklaratë.

Nga Demokracia e Re këshillojnë se Qeveria e Maqedonisë duhet të kuptojë se pa fakte bindëse dhe përmes proceseve  me plot mangësi  dhe  momente dyshimi do e ketë të pamundur të   bind faktorët ndërkombëtar për gjoja rrezikimin e Maqedonisë nga ekstremistët islam në  radhët e popullit shqiptar./portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button