Bushati: Procesi i bisedimeve Shqipëri-Greqi vijon

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, theksoi se bisedimet mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk kanë përfunduar, por vijojnë. Në fjalën e tij ministri Bushati tha se Shqipëria është ulur në tryezën e diskutimeve me Greqinë për të listuar disa çështje të hapura që kërkojnë një zgjedhje, duke iu referuar bisedimeve dypalëshe me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias, të mbajtura në Kretë dhe Korçë.

“Ky proces ka filluar në fundin e vitit 2013. Qeveria që doli pas zgjedhjeve vendosi disa elementë të ri përsa i përket politikës së jashtme dhe çështjeve që kishte për të diskutuar me fqinjin jugor. Listimi i problemeve nuk ka qenë i lehtë. Ne kemi vendosur me kolegun grek për të ndërtuar një mekanizëm dialogu, i cili fillimisht duhet të evidentonte të gjitha çështjet e pambyllura mes palëve”, tha Bushati.

Për Shqipërinë, vijoi më tej Bushati, pika e nisjes së çështjeve që e kanë zanafillën tek Lufta e Dytë Botërore ishte shfuqizimi i ligjit të luftës nga ana e Greqisë.

“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë. Ligji i luftës ka komponentin politik dhe komponentin ligjor. Heqja e ligjit të luftës i ka në konsideratë qoftë segmentin politik dhe atë ligjor. Sot për herë të parë në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve ne kemi qeverinë greke për ta hequr ligjin e luftës, sepse në 2013 nuk kishim njohje të ligjit të luftës si fakt, ndërkohë është bërë një punë tre vjeçare për dekretet dhe legjislacionet”, tha Bushati.

Përsa i përket zbatimit të marrëveshjes për vendprehjen e të rënëve grekë në Shqipëri gjatë luftës Italo-Greke, Bushati deklaroi se kjo është një marrëveshje e vitit 2009 dhe nuk është atakuar në asnjë prej institucioneve shqiptare.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë u ndal edhe tek çështjet e aktualitetit mes dy vendeve, ku sipas tij me Greqinë janë diskutuar edhe çështja e vulës apostile dhe njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit të automjeteve.

Duke folur për mundësinë e nënshkrimit të dokumentit të partneritetit strategjik mes dy vendeve, Bushati tha se nëpërmjet këtij dokumenti synohet që të diskutohet me Greqinë për rrugën e përbashkët të bashkëpunimit, me fokus integrimin evropian.

Kujtojmë se disa ditë më parë në qytetin e Korçës u mbajt takimi mes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologut të tij të Greqisë, Nikos Kotzias, i cili shënoi dhe raundin e dytë të bisedimeve mbi çështjet e hapura të karakterit historik, aktual dhe për perspektivën e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mes dy vendeve vazhdon të ketë çështje të hapura sa i përket marrëveshjes për kufirin detar, lëvizjen e qytetarëve me origjina nga Çamëria pa pengesa në Greqi, ligji i luftës i pa shfuqizuar nga Greqia, etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button