DEPRESION POLITIK (II)

Kur jemi te kriza e “Lëvizjes Besa” duhet përmendur edhe perceptimin se klika teologjike, zyratrisht jo, ama de facto në masë të madhe, për shkaqe që duhet analizuar më thellë sociologjikisht u pozicionua kundër një spektrumi politik me nuanca të dukshme konservatore-fetare siç është “Besa”. E çuditshme kjo duke e marrë parasysh se lidershipin e “Besës”  e gjenin në radhët e faljes, se edhe këta përdornin në vokabularin e tyre elemente që i ndihmojnë fetarisë. Shpjegime pati shumë: eksploatim i ndjenjave fetare të qytetarëve.

Politika duhet t’i heqë duart nga feja, ngjashëm sikurse feja nuk duhet të përzihet në politikë. A ndodhi kështu? Edhe eksponentët e kësaj provinience politike duhet të pyesin veten me çka e irrituan shumicën dërrmuese të taborrit teologjik që u pozicionua me agjensët tjerë politikë, madje edhe krah atyre me ngjyrime majtiste, me gabime trashanike lidhur me fenë në prononcime publike.

  1. Në kushtet tona, xhemati (bashkësia shpirtërore) dhe partia janë në korelacion të zhdrejtë. Nuk ka traditë as kapacitete si në vende të tjera që një subjekt politik të udhëhiqet nga një komunitet i caktuar, apo thënë më mirë, një grup është “i vogël” për të mbajtur një peshë partiake ose politike. Pra, politika duhet të dexhematizohet.
  2. Karizma e liderit është një forcë motorike e partisë, feedback-u flet se partitë e prijësisë kolektive janë jofunksionale dhe pa rezultate. Pesha e fuqisë magjike dhe misterioze të liderit vërehet në veçanti në çastet e tubulencave. Figura e prijësit që është “ikonë” dhe “markë” e partisë është segment pa të cilit s’mund të bëhet parti e fortë.
  3. Një nus produkt deprimues i rastit “Lëvizja Besa” janë edhe lokalizmat reale ose floskulat lokaliste që u shfaqën. Shkupi dhe Tetova, për herë të parë në historinë politike tranzicionale ( jashtë këtij konteksti shoqëruar herë pas here edhe me debatin fatkeq që në mënyrë latente po shtyhet nga qarqe të caktuara, madje edhe akademike, lidhur me diadën UNT-UT, gjegjësisht Shkupi-Tetova) disa dolën kaq konkurrentë mes vete, si epiqendra të klanizmave politikë, të lokalizmit të pakuptimtë që s’bëjnë gjë tjetër pos që edhe më tepër e thërrmojnë trungun politik kombëtar të këtushëm. Mendësia në fjalë, të cilës i kontribuojnë edhe shumë aktorë relevantë socialë, të motivuar nga latinja “përçaj e sundo” ose vendorja “t’i cofë kojshisë lopa”, është jashtëzakonisht dekonstruktiviste edhe në aspeklt të vizionit por edhe të aksionit politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Vlerat tona nuk janë as vetëm në njërin as në tjetrin, as në qytetin e tretë, ato gjenden gjithandej. Stafetën herë e ka njëri lokalitet herë tjetri, me rëndësi është dobia kolektive, jo epshet dhe interesat parciale.
  4. Vetëmashtrimi se bëhet fjalë për një klikë të re. Në mesin e Besës u futën edhe njerëz që kanë ndërruar më shpesh partitë se sa çorapet, njerëz me bagazh të sllallomeve politike, që shumë kuadro të reja i lanë në prapaskenë. Shumë anonimusë u faktorizuan, shumë potenciale u shuan e u mbytën politikisht duke u mbajtur si “bahçeja jonë e pasme e bollëkut rinor”, dhe një ditë doli në sipërfaqe fytyra e vërtetë e personaliteteve që aktronin bukur ama nuk kishin as dije e as dinjitet për të qenë “inocentë” e as “baba”. Besa në fakt u bë një konglomerat ku gjeje nga të gjitha proviniencat, nga besimtarë, mistikë, deri te laikë, sekularistë e radikalë doktrinarë e dogmatikë të dikurshëm që politikën e kishin haram (1992) e para më tepër se një dekade dhe sot e decizionuan për hallall.
  5. Mbyllja e portës për një parti të re në të ardhmen që do të lidhte pas vetes turmat. Njerëzit nuk besojnë më në opsione të reja, madje edhe nëse paraqitet një mesia tokësor, edhe një person karizmatik, me kapacitete të veçanta. “Besa” e gjeti ambientin, çasti më të volitshëm, nuk e shfrytëzoi, me këtë, me gjasë, iu vu pikë formimit të partive të reja dhe revitalizimit politik.

Politika vërtet na është bërë një çiban që dita ditës po na shkakton dhembje dhe vetëm dhembje. Sintagma që më së miri e përshkruan situatën politike ndër ne për momentin, pas çarjes së madhe në Lëvizjen Besa (dhe në Vetëvendosje) është depresion politik. Për momentin jemi të degdisur, jemi në një paudhësi, në zgrip të politikanizmit. Ngjarjet sizmike në fushën e politikës shumë prej njerëzve i kanë shtyrë në ndjesinë e pashpresisë, të pafuqisë, të depresionit ose demoralizimit politik (Smith, 2017), që sipas Landau, është një gjendje-status dhe jo çrregullim (a state not a disorder).

Është me rëndësi që në këto rrethana fitnesh e turbullirash të ruhet gjakftohtësia dhe në të ardhmen të merret parasysh porosia kur’anore në vijim: “Atë ditë shumë shokë të ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi.” (Zuhruf, 67) Zemërimi është dobësi madje edhe kur je në të drejtë, kurse miqësia duhet të ndërtohet mbi themele të shëndoshë, përndryshe shpejt plas balloni i afërsisë sipërfaqësore. Për qytetarët votues që iu vlon koka nga politika dhe ankthi politik është mirë që të marrin parasysh “metaforën e drurit”. Guruja indian Swami Rama tregon se si zotëria apo mjeshtri i vet ia kishte mësuar natyrën e Maya-së apo të iluzionit. Ky i fundit, mjeshtri, një ditë papritmaz kishte përqafuar një dru dhe kishte bërtitur: “Më ndihmo, më ka pushtuar ky dru!” Rama u mundua dhe u djersit ta shpëtonte mjeshtrin por pa sukses. Më në fund, zotëria e lëshoi drurin dhe duke buzëqeshur klithi: “Kjo është Maya”. Në fakt, druri s’e kishte kapur mjeshtrin, e tëra ishte iluzion. Përmes kësaj simbolike mjeshtri deshi të thotë se është e kotë që njeriu ta lidhë fatin e vet shumë me gjëra të jashtme, të cilat mundet të jenë iluzione. Zgjidhja është: “Qiteni në ler!” Edhe kjo do të kalojë.

Ta përmbyllim sërish me një sekuencë nga “Qyteti i virtyteve”, nga dialogu i Farabiut me mikun e vet:  E: “Kush e di, prishësia mund të jetë nga themelet! F: “Jo, jo, themeli është i shëndoshë dhe i bukur. S’është i keq. E prishën ata që ndërtuan godinë mbi të. Por prapë, shpresën nuk duhet humbur.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button