Lajm i keq për Real Madridin para duelit me Valencian

Real Madrid është larg nga forma e mirë para ndeshjes së vështirë në udhëtim te Valencia në La Ligë.

Pas eliminimit historik të Realit në Kupën e Mbretit nga një kundërshtar modest si Leganes nuk ka më fare vend për alibi dhe trajneri Zinedine Zidane tashmë është vënë në shënjestër nga të gjithë, presidenti, ambienti i trazuar madrilen, por mbi të gjitha nga vetë shtypi spanjoll, që këto kohë nuk po kursehet më, por është duke sulmuar pa mëshirë për zgjedhjet e tij tepër të diskutueshme në formacion, zëvendësimet e kryera si dhe për protagonizmin krejtësisht të pashpjegueshëm, në merkato, në një klub tepër të pasur si Reali, që renditet i dyti në planet pas klubit të famshëm anglez Manchester United.

“Los Blancos” këto kohë duket sikur nuk kanë më as alternativa dhe ndryshimet e shpeshta në formacion, që dikur funksiononin tashmë nuk japin më kurrfarë rezultati, por natyrisht që një gjë e tillë është e kuptueshme, duke patur parasysh vendosmërinë e Zizusë për të larguar nga ekipi lojtarë të tillë si Moratta, Pepe, James, Danilo, Mariano dhe Fabio Coentrao, si dhe besimin e verbër të trajnerit francez te shumë lojtarë të rinj që ka aktualisht në dispozicion.

Nuk kishte ndodhur kurrë që Reali të eliminohej në Kupë pasi kishte fituar më parë ndeshjen e vajtjes larg Bernabeut, kështu që i vetmi objektiv sezonal tani mbetet thjesht Championsi, por pyetja që lind natyrshëm është a do të mbërrijë dot Zidane deri te festa e Shën Valentinit?

Koha kalon shpejt, gjithsesi dhe skuadra “merengues” duhet të hedhë pas krahëve zhgënjimin dhe zemërimin e tifozëve, teksa do të vizitojë në “Mestalla” Valencian e vendit të tretë, që, gjithsesi, ka ndryshuar shumë dhe nuk është më skuadra që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin me gjysmën e pikëve, krahasuar me Realin.

Në Komunitetin Valencian në orën 16:15 sigurisht Zizu do të rikthejë gjithë artilerinë e rëndë, që ka në dispozicion, për të sulmuar të paktën vendin e dytë në Primera Division, që, si për ironi të fatit, aktualisht mbahet nga rivalët e urryer të Atletikos, transmeton “Supersport.al”.

Kuptohet që bëhet fjalë për një objektiv mëse të arritshëm, nëse merret parasysh fakti që mbetet për t’u rekuperuar gjithashtu edhe takimi i prapambetur pikërisht me Leganes, për më tepër që vëmendja e Valencias së Marselinos është e gjitha te gjysmëfinalja e parë në Kupën e Mbretit, që do të mbahet në mesjavë në “Camp Nou” ndaj Barcës.

Me 4 fitore në 5 ndeshjet e fundit po fiton ndjeshëm terren skuadra e Villarrealit dhe në rast të një gabimi të mundshëm të kampionëve në fuqi “Nëndetësja e Verdhë” ka rastin për të përfituar, teksa do të presë në orën 20:45 në “Estadio de la Ceramica” ekipin Bask Real Sociedad, që ka grumbulluar vetëm 6 pikë në 9 ndeshjet e fundit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button