Ita Bartuv: Unë u linda dhe jetova falë besës shqiptare

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, që përkujton 27 janarin e vitit 1945, kur forcat sovjetike e çliruan kampin Aushvic-Birkenau, të premten në Shkup është bërë promovimi i librit, i botuar në tri gjuhë, i autores hebreje, Mimi Kamhi Ergas–Faraxhi me titull: “Jeta ime nën pushtimin nazist” .

Vajza e autores së librit, Ita Bartuv apo siç na përmirëson ajo duke qeshur (Drita Faraxhi), emër ky që sipas dokumenteve i është dhënë asaj në atë kohë nga shteti shqiptar (Shqipëria), thotë se nëna e saj tërë kohën i ka përsëritur se ajo ka lindur dhe ka arritur të mbijetojë me tërë familjen, “falë besës shqiptare”.

Zonja Bartuv, tha për Radion Evropa e Lirë se nëna e saj gjithë kohën i ka rrëfyer për, siç e quan ajo, tehun therës që ka ndjekur rrugëtimi i familjes së saj dhe vetë asaj si foshnje e porsalindur, rrugë kjo në mes tmerrit dhe shpëtimit duke u nisur nga Shkupi, përmes Kosovës për të arritur në Shkodër të Shqipërisë, ku janë pajisur me dokumente shqiptare. Aty, kanë qëndruar për një kohë dhe më pastaj janë nisur për në Kili dhe në fund të vendosen në Izrael.

“Gjersa nuk u publikua në tërësi rrëfimi i nënës sime, unë nuk kam pasur njohuri të plota rreth identitetit tim. Kur më quajtën sërish Drita, unë sikur u përmenda, më përshkoi gjithë trupin rrëfimi i nënës sime”, thotë Bartuv.

“Besa dhe fuqia e papërshkrueshme mbrojtëse e kësaj fjale”, thotë Ita Bartuv, duke folur për besën shqiptare.

“Copëzat e rrëfimeve të prindërve se si shpëtuan familja ime duke më mbajtur mua në krah si foshnje, duke lëvizur nga oborri i një shtëpie në oborrin e shtëpisë tjetër, përmes një dere të vogël që lidh oborret dhe fjalës që thuhej gjatë rrugëtimit: ‘këta i kam marrë dhe po t’i dorëzoj në besë’, rikujton rrëfimet që ka dëgjuar nga e ëma, zonja Ita Bartuv.

“Jam mirënjohëse që dikush erdhi dhe pas 70 vitesh e nxori në një të vërtetë që ishte e ruajtur për aq kohë në dorëshkrim nga nëna ime. Shpresoj që ky rrëfim do të shërbejë për studiuesit e historisë dhe mbarë njerëzimin, për të mësuar se ç`të keqe solli lufta“, thekson Ita Bartuv.

Libri autobiografik “Jeta ime nën pushtimin nazist“, me kujtimet e Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi është botuar në tri gjuhë, në shqip, maqedonisht dhe anglisht nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë.

Kopertina e librit "Jeta ime nën pushtimin nazist"

Kopertina e librit “Jeta ime nën pushtimin nazist”

Drejtori i këtij institucioni, Skender Asani tha për Radion Evropa e Lirë se një periudhë historike, si pasojë e sistemit monist nuk është ndriçuar në mënyrën e duhur, duke nxjerrë në pah se ishin familjet shqiptare ato të cilat ndihmuan në shpëtimin e një pjese të familjeve hebreje që të mos depërtohen në vendet e rajonit.

“Rrëfimi i Ita Bartuv apo Drita Faraxhi është vetëm një shembull se si ka qenë në atë periudhë kohore shpëtimi i jetës së hebrenjve dhe në ato momente të vështira se si shqiptarët u kanë dalë në mbrojtje duke rrezikuar dhe jetët e tyre”.

“Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë e ka parë të udhës të zbardhë një periudhë historike të Luftës së Dytë Botërore, kur hebrenjtë ishin në shënjestër dhe i vetmi shpëtim për ta ishin shqiptarët dhe veçanërisht Shkupi si qytet, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për shpëtimin e hebrenjve nga Maqedonia, por përmes Bosnjës, Kroacisë, Sllovenisë dhe Serbisë erdhën në Shkup, që pastaj përmes Kosovës të kalojnë në Shqipëri, siç theksohet edhe në këtë libër”, thotë Asani.

Aushfic

Aushfic

​Ndryshe, të premten në Shkup është organizuar një akademi përkujtimore me rastin e 73-vjetorit të çlirimit të kampit fashist Aushfic nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Shoqata qytetare “Acta Non Verba” – Shkup, në bashkëpunim dhe me Sekretariatin për Çështje Evropiane të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button