Nuk miratohet mocioni për shkarkimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës

Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka kaluar mocioni i paraqitur nga partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ku kërkohej shkarkimi i menjëhershëm i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike të Kosovës, Dardan Gashi, pas pamjeve të publikuara në media duke gjuajtur me armë në një festë të zëvendëskryeministrit tjetër Fatmir Limaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Mocioni për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Gashi, u votua në kuvend nga 99 deputetët e pranishëm në sallë, ku 36 prej tyre votuan pro, 49 kundër dhe tre të tjerë abstenuan. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë interpelancës ndaj tij, tha se është herët për të marrë vendime për shkarkime sepse rasti është në procedurë ligjore.

“Kërkesa për masa tjera për mua tani është e hershme për çfarëdo mase për cilindo të përfshirë për shkak se rasti është në proces ligjor dhe nuk parashihet të avancojmë veprime sepse është në proces gjyqësor”, tha Haradinaj.
Haradinaj theksoi se Policia e Kosovës ka intervistuar pesë persona duke përfshirë edhe zëvendëskryeministrin Gashi, ku njoftoi se policia poashtu ka konfiskuar dy revole me ajër të modifikuara për gjuajtje. Ai tha se ligjet dhe kushtetuta duhet të kenë përparësi në çdo rast, por sipas tij, veprimet e tilla kanë edhe anën tradicionale pra si gjuajtja me armë në raste të ndryshme dhe festa të cilat kanë qenë prezente në çdo kohë.

Ai poashtu tha se për këtë do të mbajë përgjegjësi qoftë si individ qoftë sipas funksioneve që mban. “Ky rast dhe kjo interpelancë, edhe kjo tërheqje e vërejtjes është një porosi që gjithë ne duhet të korrigjohemi në disa aspekte edhe të traditës dhe të veprojmë në përputhje me jetën reale dhe kushtetutën”, tha Haradinaj.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, paraqiti mocionin e LDK-së ku kërkohet shkarkimi i menjëhershëm i zëvendëskryeministrit, Dardan Gashi pas pamjeve të publikuara në media duke gjuajtur me armë. “Grupi parlamentar i LDK-së kërkon përgjigje të prerë nga qeveria dhe kryeministri Ramush Haradinaj ndaj skenave të publikuara të ministrit dhe zëvendëskryeministrit në prani edhe të zyrtarëve të tjerë qeveritar. Përmes veprimeve, gjuajtje me armë ka bërë rrezikim të përgjithshëm të jetës së njerëzve jo vetëm duke krijuar shkelje të rendit dhe ligjit, por edhe shkelje të normave dhe etikes në vendin tonë”, tha Zemaj.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke mbështetur mocionin e paraqitur nga LDK për shkarkimin e Gashit nga pozita e tij tha se veprimi i Gashit është akt i dënueshëm, shkelje e ligjit dhe sjellje e papërgjegjshme e një zyrtari të lartë publik. Ai theksoi se Gashi do të duhej të jepte dorëheqje, dhe meqë ai nuk ka dhënë dorëheqje, atëherë sipas Kurtit, Gashin do të duhej ta shkarkonte kryeministri Haradinaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button