Kryeministri, Sali Berisha vizitë pune në Romën zyrtare

Kryeministri Sali Berisha viziton Romën (Itali), ku do të zhvillojë takime me personalitetet më të larta italiane, si dhe do të marrë pjesë në punimet e Forumit Ekonomik shqiptaro-italian. Kryeministri shoqërohet nga Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi dhe nga përfaqësues të biznesit dhe të medias.
 
Ditën e hënë, kryeministri Berisha dhe delegacioni zyrtar, që e shoqëron do të zhvillojë një takim në Selinë e Këshillit të Ministrave, Palazzo Chigi, me kryeministrin italian, Mario Monti. Pas takimit, të dy homologët do të dalin në një konferencë të përbashkët për mediat. 
 
Në vijim të vizitës së tij, Kryeministri shqiptar do të pritet në një takim të veçantë në Quirinale, nga Presidenti i Republikës, Giorgio Napolitano. Gjithashtu ai do të takohet në Montecitorio me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Italian, z. Gianfranco Fini. 
 
Gjithashtu, Kryeministri do t’i drejtohet me një fjalë Forumit Ekonomik “Shqipëria në Europë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”, që zhvillohet në selinë e Confindustria-s, me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve italiane dhe shqiptare. 

Në prezantimin e tij, Kryeministri do të bëjë një ekspoze të përgjithshme të zhvillimeve dhe reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, klimës së favorshme për biznes e investime, të potencialeve të Shqipërisë etj. Forumi do të përshëndet edhe nga Ministri italian i Punëve të Jashtme, Giulio Terzi di Sant’Agata./klan
 

Lajme të ngjashme

Back to top button