Sofra e Shpatit – Gjinari, perla turistike e çdo stine

I shpallur si zonë turistike në vitin 2001, Gjinari vazhdon të mbetet atraksion për turizmin gjithëvjetor, njofton ATSH.

Është një zonë turistike jo vetëm pranë Elbasanit, por edhe Tiranës.

Aty shkojnë jo vetëm elbasanasit, por dhe vizitorë nga Tirana, Durrësi e qytete të tjera të vendit, si dhe mjaft turistë të huaj që shijojnë natyrën dhe kulinarinë e veçantë të Shpatit, mësojnë historinë e tij, për burrat e shquar, për kishat dhe pikturat e tyre murale, mësojnë për Shpatarakun dhe kokën e tij të prerë.

Kjo zonë me pishat e larta dhe me ajër të pastër, përbën një dëshirë më vete për ta frekuentuar.

Liqenet e vegjël, uji i kthjellët dhe dëbora në dimër, përbëjnë më tepër se një zonë turistike.

Asfaltimi i rrugës automobilistike ka bërë që kjo zonë dhe ky fshat të futen në zonat më të preferuara të Elbasanit dhe Shqipërisë.

Kjo pikë turistike është e frekuentuar gjatë gjithë stinëve të vitit, por më tepër në ditët e nxehta të verës dhe në ato me borë.

Gjinari si pikë turistike, është njohur që në kohën e Zogut, por më shumë në vitet e regjimit socialist, ishte një ndër pikat më të preferuara malore ku ishin ndërthurur bukuritë e natyrës me dëshmitë e historisë së zonës.

Krahas kënaqësisë, kur shkel në këto anë, një vlerë jashtëzakonisht të madhe ka Gjinari edhe si zonë kurative, sidomos për sëmundjet e mushkërive. Ajri këtu është i pastër e plot oksigjen.

Gjinari dhe zona e Shpatit, veç natyrës së bukur, ka dhe një histori interesante të kulturës dhe traditës sonë.

Krahina Shpatit ka patur lulëzimin e saj më të madh në Mesjetë. E dëshmojnë këtë jo vetëm numri i objekteve të kultit, por edhe i kujdesit për to.

Kështu kisha e Shën Kollit në Shelcan është pikturuar nga Onufri në vitin 1554. Piktura të tij ka edhe në kishën e Shënepremtes në Valësh, ku një faqe muri është e Onufrit.

Në mur pikturat shoqërohen me shkrime bizantine të asaj kohe.

Kostandini(shpataraku) u martirizua nga forcat osmane me prerje të kokës për idetë e tija përparimtare. Ka disa monumente kulturore si kisha e ‘’Shën Premtes’’ Valësh, Kalaja e Valëshit dhe Lleshanit.

Shumë ‘’monumente natyrore ‘’ si Dushku i Lleshanit, Dushkun e Gjinarit, Dushqet e Pashtreshit, Pisha e Zezë e Gjinarit, Kanioni i ‘’Shkëmbit të Pëllumbit’’, Varri i Kostandin Shpatarakut, fragmente të rrugëve të vjetëra me kalldrëm etj.

Etnografia e thurur në kostumet e zonës sidomos ato të grave është një surprizë më vete.

Veç natyrës dhe historisë, pushuesi gjen në këtë vend edhe një kuzhinë të pasur me produktet bio të zonës.

Çdo fundjavë janë me dhjetra vizitorë, familjarë të ardhur nga Elbasani, Tirana apo qytete të tjera, që ngjiten në Gjinar tani në dimër për të shijuar bardhësinë e borës dhe kënaqësinë e sporteve malore.

Turizmi aty është kthyer në një biznes për prodhuesit bujqësorë dhe blegtoralë.

Një mrekulli natyrore dhe historike pranë Tiranës, ku mikpritja dhe hoteleria është e ngrohtë, ndërsa kulinaria vërtetë e nxehtë. Gjinari është shumë afër. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button