25 vite përkushtim nga USAID për respektimin e të drejtave të njeriut në Maqedoni

Që nga fillimet e veta në vitin 1993, USAID ka përkrahur sundimin e të drejtës në Maqedoni. Fillimisht, përkrahja ishte drejtuar kah ndërtimi i kapaciteteve të shoqatave profesionale të juristëve (Shoqata e gjykatësve, Oda e avokatëve dhe Shoqata e prokurorëve publikë), sigurimi i edukimit klinik të studentëve të drejtësisë, dhe përkrahja e edukimit të vazhdueshëm i gjykatësve. Në periudhën mes viteve 2002 dhe 2015, USAID bashkëpunoi me gjyqësinë dhe me Ministrinë e Drejtësisë në krijimin e rregullativës ligjore për reformimin e sistemit gjyqësor, si dhe në rritjen e efikasitetit të gjykatësve në zgjidhjen e lëndëve, në automatizimin e procedurave gjyqësore dhe në profesionalizimin e personelit gjyqësor. Në disa vitet e fundit, fokusi i përkrahjes së USAID në fushën e sundimit të së drejtës u zhvendos në prmovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Sot flitet shumë për të drejtat e njeriut, por jo të gjithë e kuptojnë konceptin dhe domethënien e këtyre të drejtave. Të drejtat e njeriut janë standarde që mundësojnë që çdo njeri të jetojë me dinjitet, i lirë dhe i barabartë me të tjerët. Secili individ i ka këto të drejta të patjetërsueshme qysh në lindje. Të drejtat e njeriut bazohen mbi vlera si dinjiteti, drejtësia, barazia, respekti dhe pavarësia. Ato nuk janë vetëm koncepte abstrakte, por të drejta të definuara dhe të mbrojtura me deklarata dhe konventa ndërkombëtare, si edhe me legjislacionin nacional në pjesën më të madhe të shteteve në botë. Në Maqedoni, sundimi i të drejtës dhe të drejtat e njeriut janë vlera themelore të rendit kushtetues.

USAID

Përmes disa projekteve, USAID u inkuadrua në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut të garantuara me kushtetutë në Maqedoni dhe e mbështeti implementimin e Strategjisë nacionale për barazi dhe jodiskriminim.

Në periudhën prej tetorit të vitit 2014 deri në shtator të vitit 2017, Projekti për mbrojtjen juridike të grave punoi në mbrojtjen e grave viktima të çdo lloji të dhunës gjinore nëpërmjet ndjekjes së lëndëve gjyqësore, në përforcimin e kapaciteteve të gjykatësve, propozimin e ndryshimeve ligjore, si edhe trajnimin e organizatave civile. Nëpërmjet këtij projekti u vëzhguan 344 procedura gjyqësore për raste për dhunë mbi gra të udhëhequra në 10 gjykata themelore, u trajnuan 20 gjykatës për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të Konventës për eliminimin e diskriminimit të grave dhe 13 organizata civile përfituan njohuri për shfrytëzimin e mekanizmave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të grave. U sigurua ndihmë juridike falas për 847 gra, 239 gra morrën mbështetje psiko-sociale dhe 5 gra viktima të dhunës u mbrojtën në procedura gjyqësore.

Projekti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, i cili zbatohej prej në shtator të vitit 2014 deri në fund të vitit 2017, kishte për qëllim të kontribuojë në përparimin e mbrojtjes të të drejtave të njeriut nëpërmjet edukimit të vazhdueshëm të juristëve të rinj, përfaqësimit strategjik të lëndëve që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut, dhe përmes përforcimit të rolit të organizatave qytetare në këtë fushë. Nëpërmjet këtij projekti, 42 avokatë u specializuan për përfaqësimin e lëndëve që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut para gjykatave vendore dhe para Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut; 392 juristë të rinj fituan njohuri dhe aftësi praktike në fushën e të drejtave të njeriut dhe u njoftuan me mekanizmin e mbrojtjes së tyre të cilin do të mund t’i zbatojnë si gjykatës, prokurorë ose avokatë të ardhshëm; 355 qytetarë morrën ndihmë juridike falas; ndërsa 15 organizata qytetare u trajnuan si të angazhohen për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve nga ana e institucioneve shtetërore.

Me përfaqësimin e 62 lëndëve të shkeljes së të drejtave dhe lirive, Projekti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut promovonte ndryshim në sjelljen dhe qëndrimet e institucioneve, në praktikën gjyqësore dhe rregullativën ligjore. Ndër sukseset më të dalluara të këtij projekti ishte abrogimi i dy akteve nënligjore të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, zbatimi retroaktiv i të cilëve u morri të drejtën për ndihmë sociale më tepër se 1.300 shfrytëzuesve. Me sukses përfundoi edhe përfaqësimi i lëndëve të pjesëtarëve të bashkësisë Rome, të cilëve u ishte privuar e drejta e lëvizjes dhe u ishte pamundësuar dalja jashtë shtetit për shkak të dyshimit se do e keqpërdornin regjimin pa viza dhe do të kërkonin azil në vendet e Zonës së Shengenit.

Për momentin, USAID ka dy projekte aktive në fushën e të drejtave të njeriut. I pari ka për qëllim të reduktojë diskriminimin e pjesëtarëve të bashkësisë LGBTI në Maqedoni dhe të inkurajojë inkuadrim të tyre të barabartë në shoqëri. Me këtë projekt, për herë të parë në Maqedoni u hap shtëpi sigure, e cila ofron strehim dhe mbështetje psiko-sociale për personat e ndjeshëm të komunitetit LGBTI që janë të përjashtuar dhe të ekspozuar në dhunë në familjet dhe bashkësitë e veta. Projekti i dytë mbështet ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve shtetërore dhe organizatave qytetare për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve, në përputhje me standardet e miratuara ndërkombëtare.

Nuk është e lehtë të matet suksesi i projekteve tona në këtë fushë. A është ky numri i procedurave gjyqësore të përfunduara me sukses dhe lëndët e fituara, apo është numri i juristëve, aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe organizatave qytetare të trajnuara? Padyshim se të gjitha këto janë me rëndësi por, mbase vlerësimi dhe shpërblimi më i mirë për angazhimin tonë janë buzëqeshjet në fytyrat e personave me pengesa të cilët me ndihmën e USAID-it për herë të parë kanë realizuar të drejtën e tyre në punë, të pjesëtarëve të bashkësisë Rome të cilët tani më nuk janë të diskriminuar gjatë daljes nga shtetit, si edhe kënaqësia në fytyrat e kategorive të ndjeshme ekonomike të qytetarëve të cilët sërish fitojnë të drejtën për ndihmë sociale. Mbrojtja e të drejtave të njeriut është, megjithatë, shumë e ndërlidhur me historitë personale fatet e njerëzve dhe nuk mund të matet me numra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button