LAJME ME FUSNOTA

Në qytet herë-herë dilet jashtë me maskë. Maskë të vërtetë. Se, djegin sytë e të zihet fryma prej ajrit të ndotur. Të zi. Një zot e di çfarë helmesh e përbëjnë mbështjellsen e ajrit të Shkupit? Megjithatë, nevoja dhe qejfi i nxjerrin njerëzit në rrugë.

Ata që kanë dalë prej hallit nguten të kthehen, thuajse në shtëpi gëlon oksigjeni.

Në shtëpi, kohë lajmesh. Folësi paralajmëron:

1. Presidenti Gjorge Ivanov nuk e paska nënshkruar ligjin për gjuhët*;

2. Nëpër televizione qarkullojnë havadiset e Katica Qulafkovës me shoqe, kundër këtij ligji*;

3. Disa organizata maqedonase protestojnë para Kuvendit kundër gjuhës shqipe*;

4. Noam Çomski i quan shqiptarët fis i egër dhe grabitës të tokës serbe*…

Secila nga këto lajme, siç shihet, e ka një fusnotë:

*E para: Gjorgeja? Ai nuk është president legjitim, është një figurë e vendosur nga VMRO-ja me kusht që t’u shërbejë interesave të dikurshme të asaj partie, kështu që nuk e habit askënd asnjë qëndrim i tij. Prej tij askush nuk e pret madhështinë e një burrështeti i cili, si president, do të duhej ta kishte për ta mbrojtur trashëgiminë e popullit shqiptar, si pjesë me peshë e këtij shteti. Ai është një rastësi politike ose është prodhim i një psikologjie ballkanike, që do të harrohet atë ditë kur t’i përfundojë mandati.

*E dyta: Katica? E di se Katicën diçka s’e lë të qetë, se diçka e bren përbrenda. Çka mund të ketë? Pse Katica e shpenzon gjithë atë energji kundër gjuhës shqipe? Mos ka hall me origjinën e saj nga rrethi i Dibrës? Mos ka hall me mbiemrin Qulafku me të cilin krenohet me të drejtë një familje e madhe, e kulturuar dhe e ndershme shqiptare nga Dibra?… Mos është ndonjë kompleks i saj që ? Mund të jetë dhe mund të mos jetë. Punë e saj, qejfi i saj. Do si do gjuha shqipe është një lis me rrënjë shumë të thella… Dhe, do të jetojë me shekuj, edhe përkundër zjarrit të saj.

*E treta: Protesta të organizatave shoviniste antishqiptare. Kot gërvallen, çirren dhe fyejnë. Janë çuar peshë kundër fqinjëve të tyre shqiptarë, kundër fqinjve bullgarë, kundër Evropës. Kundër Perëndimit. Ata nuk protestojnë, por shajnë, përbuzin në baza nacionale dhe ëndërrojnë të na mbajnë në pozitë të qytetarëve të rendit të dytë. Besoj se partive tona do t’u kujtohet më në fund të kërkojnë përgjegjësi juridike për këto fyerje. Ndoshta do të kërkohet edhe përgjegjësia politike për shkak të nxitjes së urrejtjes kombëtare kundër fqinjëve.

*E katërta: Noam Çomski? I matufosur. Dy gram mend nuk ka në mërinë e tij të pashpjegueshme të derdhur kundër shqiptarëve. Pa peris në gojë fare, ai për revistën “Forin afers” thotë se shqiptarët qenkan si një fis i egër, i pranuar në Kosovë nga serbët dhe se ky fis i egër pastaj me dhunë e paska përzënë të zotin e shtëpisë dhe e paska shpallur tokën si të veten, gjë që qenka turp. Çomski shkon aq larg sa thotë se shqiptarët janë turpi më i madh i Evropës moderne se nga shumica e serbëve vendas paskan bërë pakicë.

Ky lyp përgjigje gjyqësore nga shteti shqiptar dhe nga institucionet e Kosovës. Por edhe nga funksionarët shqiptarë të Maqedonisë. Pse jo? Nga na i paska gjetur “argumentet” ky njeri që haber s’ka për shqiptarët duke u nisur nga Papë Albani e deri te Ismail Kadareja dhe te një varg këngëtarësh të shkëlqyeshëm të skenave të mëdha të muzikës serioze dhe të muzikës argëtuese, të ekspertëve të fushave të ndryshme anë e kënd botës?…

Në këtë fusnotë të fundit duhet pasur pak kujdes se lajmin e transmetojnë mediat serbe. Atyre as u dihet, as u besohet. Kemi dy akademi e ku ta di sa institute – le ta verifikojnë. Dhe le ta thonë fjalën e tyre.

Fiket televizori.

Ata që kanë dalë për qejf, argëtohen kafeneve që notojnë në smog e zhurmë në emër të muzikës.

Edhe këtyre qejflive një ditë do t’ua zërë rrugën halli. Lajmi, Çomski, Gjorgeja, etseteraja…

Epo nuk është vetëm halli nga ajri i ndotur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button