Së shpejti film 3D për Luftën e Parë Botërore
Regjisori i trilogjisë “Lord of the Rings”, Peter Jackson, do të shndërrojë pamjet bardh e zi të Luftës së Parë Botërore në një film tredimensional me ngjyra, transmeton Anadolu Agency (AA).
Filmi i regjisorit të njohur nga Zelanda e Re është një nga shumë projektet që realizojnë institucionet kulturore britanike me rastin e shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Jackson, për realizimin e filmit dokumentar përdori pamje arkivore të Muzeut Luftarak të Londrës (Imperial War Museum), duke përdorur teknologjinë më bashkëkohore dixhitale.
Siç theksoi, pamjet e reja duken sikur janë xhiruar javën e kaluar me kamera të rezolucionit të lartë.
Organizatorët e projektit njoftuan sot se filmi do të ketë premierën në Festivalin e filmit në Londër në tetor, më pas do të shfaqet në BBC.
Të gjitha shkollat në Britani të Madhe do të marrin nga një ekzemplarë të filmit.