Meta i ofron mbështetje maksimale Kosovës për integrimin euroatlantik

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i ka ofruar Kosovës mbështetje maksimale në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik dhe evropian.

Meta foli për strategjinë e zgjerimit të Bashkimin Evropian (BE), e cila nuk jep afate për anëtarësim për Kosovën dhe Shqipërinë, duke thënë se është me rëndësi që të inkurajohet gjithë rajoni me afate inkurajuese.

“Unë besoj që ne duhet të bëjmë çdo gjë edhe si Shqipëri po edhe si Kosovë, por edhe vendet tjera të rajonit. Për të treguar për të përmbushur zotimet tona në rrugën e integrimeve evropiane. Sa i takon strategjisë së zgjerimit është e rëndësishme të ketë në konsideratë në gjithë vendimmarrjen të gjitha raportet në këtë rajon. Në mënyrë që i gjithë rajoni të inkurajohet dhe të ketë data apo afate inkurajuese për sa i takon procesit të reformave që do ta transformojnë këtë rajon vërtet evropian”, tha Meta.

Këto komente, siç transmeton Kosovapress, Meta i bëri pas takimit me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Ky i fundit foli për qasjen e BE-së, ndërsa i kushtoi vëmendje edhe rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit dhe mundësisë së destabilizimit të vendit.

Ndërkaq Meta, duke siguruar kryeministrin Haradinaj për mbështetjen maksimale të Shqipërisë, tha se shpreson shumë në angazhimin e mëtejmë të kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë, por edhe opozitës, për të dhënë zgjidhje të mençura, për të gjitha ato çështje që do ta forcojnë pozitën ndërkombëtare, që do ta forcojnë pozitën e Kosovës.

Ai po ashtu tha se ka ardhur në Kosovë për nder të shënimit të përvjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button