Maqedoni, institucionet i gjejnë dhunuesit e politikanëve, por jo edhe të gazetarëve

Burimi i dhunës ndaj gazetarëve janë partitë politike, ndërkaq autoritetet kanë  standarde të dyfishta kur bëhet fjalë zbulimi i dhunuesve ndaj gazetarëve. 95% e sulmeve kundër gazetarëve kanë qenë të kryera nga anëtarë dhe simpatizantë të VMRO-DPMNE-së, ndërkaq Qeveria e re nuk tregon interes që dhunuesit të përndiqen. Ky është konstatimi i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë në raportin vjetor për indikatorët për nivelin e lirisë së medieve dhe sigurinë e gazetarëve të Maqedonisë për vitin 2017, raporton Portalb.mk.

“Ajo që neve na shqetëson është që edhe Qeveria e re nuk është duke treguar interes për zbardhjen e këtyre rasteve sepse derisa nuk përndiqen këto dhunës, gazetarët janë të pasigurt. Mosndëshkueshmëria e dhunuesve të gazetarëve, do të motivojë mosndëshkueshmëri, do të motivojë dhunues të ri që t’i sulmojnë gazetarët. Fatkeqësisht dje në Strugë, simpatizantë dhe anëtarë të Aleancës për Shqiptarët kanë rrahur një gazetar nga Shqipëria  dhe kjo është turp për këtë forcë politike opozitare. Dënimi i dhunuesve të deputetëve dhe të politikanëve për ngjarjet e 27 prillit, ndërsa mosndëshkimi njëkohësisht i dhunuesve të gazetarëve tregon standardin e dyfishtë të qeverisë, përfshirë këtu qeverinë e re”, deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, gjatë prezantimit të raportit.

Në raport, gjithashtu thuhet se gjatë vitit të kaluar SHGM ka regjistruar gjithsej 18 sulme të reja mbi gazetarët nga të cilat 13 janë sulme fizike dhe verbale, ndërkaq të tjera janë fyerje, pengesa gjatë punës së gazetarëve dhe shkatërrim i pronës së tyre.

“Për dallim nga vitet e kaluara ka përmirësim në veprimin e policisë ndaj dhunës ndaj gazetarëve, tani ajo shpejt identifikon dhe ngrit akuza penale dhe për kundërvajtje kundër dhunuesve, por lëndët mbesin në prokurori dhe asnjë nga dhunuesit nuk është nxjerrë përpara Prokurorisë. Prokuroria nuk ngriti procedurë edhe për shembujt e gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve publike për linç ndaj gazetarëve, thirrje për pastrimin e gazetarëve që punojnë në Soros nga ana e ish drejtorit të Arkivit të Maqedonisë, Filip Petrovski, mbetën të pazgjidhura. Pa asnjë akuzë kaloi edhe drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Maqedonisë, Toni Mihajllovski, i cili nëpërmjet Facebook-ut kërcënoi me vdekje gazetarin, Branko Triçkovski. Të padënuar mbetën edhe treshet e njohura të VMRO-DPMNE-së, të cilët zbatonin fushata për fyerje dhe frikësimin e gazetarëve, një nga viktimat e këtyre, ishte edhe gazetari, Borjan Jovanovski, i cili u ofendua dhe u pështy duke darkuar në një restorant. Policia nuk arriti t’i identifikojë dhunuesit, ndërsa vetë gazetari i ka njohur se të njëjtët marrin pjesë në një konferencë për shtyp të ish liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski”, tha Selmani, transmeton Portalb.mk.

Në raport shkruhet gjithashtu se nuk është zbardhur edhe rasti me kërcënimin e gazetares së Portalb.mk, Elida Zylbeari, nga kryetari i vjetër/i ri i Sarajit, Blerim Bexheti, për një tekst të publikuar në Portalb.mk me titull “Blerim Bexheti i BDI-së i kishte dhënë tender në vlerë 810.000 euro, shefit të kabinetit të vet?“.

SHGM, në raport gjithashtu ka shkruar se gazetarët gjatë vitit 2017 janë përballur edhe me kushte të vështira ekonomike, paga të dhe të parregullta, por edhe më trysni nga pronarët e medieve për të ndikuar në mënyrën se si ato shkruajnë, me qëllim që të kursehet reklamuesit e mëdhenj në medie.

Në aspektin e legjislacionit mediatik, SHGM vlerëson se nuk ka pasur përmirësim në Maqedoni sepse ajo nuk është tërësisht e harmonizuar me standardet evropiane.

foom-logo-disklejmerKy tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizojnë Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, “Аgora” – Qendra për promovimin e vlerave qytetare dhe Platforma për gazetari hulumtuese dhe analiza (PINA), me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button