Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mattis: Shqetësimi i Turqisë për sigurinë është legjitim

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, u shpreh se shqetësimi i Turqisë për sigurinë e saj është legjitim dhe se Turqia në këtë kontekst ka qenë transparente duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) para fillimit të sulmeve ajrore në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një bashkëbisedim me gazetarët amerikanë lidhur me zhvillimet e fundit, Mattis ka folur për zhvillimet në Siri përfshirë operacionin “Dega e Ullirit” të cilin Forcat e Armatosura Turke e filluan të shtunën kundër terroristëve të PYD/PKK-së dhe DEASH-it në Afrin.

“Turqia është një aleat i rëndësishëm në NATO dhe ka një shqetësim legjitim lidhur me sigurinë e saj”, tha Mattis. Ai tha se ushtarët amerikan në rajon nuk janë të rrezikuar nga operacioni në fjalë të cilin po e zbatojnë forcat turke në rajonin e Afrinit.

-Operacioni “Dega e Ullirit”

Operacioni “Dega e Ullirit” nisi ditën e shtunë nga Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) në rajonin Afrin në veriperëndim të Sirisë. Në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë vihet në dukje se operacioni po realizohet duke respektuar të drejtat në kuadër të vendimeve të veçanta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në çështjen e luftës kundër terrorizmit dhe në kuadër të të drejtës legjitime të vetëmbrojtjes sipas marrëveshjeve të Kombeve të Bashkuara, si dhe në respektim të sovranitetit territorial të Sirisë.

Gjithashtu në deklaratë është theksuar se në objektiv do të jenë vetëm pikat që u përkasin terroristëve dhe se do të tregohet çdo kujdes dhe ndjeshmëri që civilët dhe personat e pafajshëm të mos dëmtohen. Ky operacion i TSK-së mbështetet edhe nga forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS).

Pasi regjimi i Asadit në korrik të vitit 2012 ia dorëzoi Afrinin organizatës PYD/PKK pa u konfliktuar, ky rajon përgjatë luftës është bërë vendi fole i organizatës. Për shkak të pozicioneve të larta gjeografike, një pjesë e konsiderueshme e qyteteve Kilis dhe Hatay të Turqisë mbesin brenda rrezes së zjarrit të organizatës në Afrin. Organizata terroriste prej shumë vitesh përdor malet Amanos për tu infiltruar nga Siria në Turqi. Afrini është një pikë kyçe për PYD/PKK-në për të formuar një dalje në Mesdhe nga veriperëndimi i Sirisë.

Organizata terroriste gjithashtu nëpërmjet Afrinit kërcënon edhe rajonin e “Mburojës Eufratit” edhe “zonën jokonfliktuale” të Idlibit. Nën pushtimin e organizatës PYD/PKK-së ndodhet një e katërta e territorit të Sirisë, gjithashtu edhe 65 për qind e vijës së kufirit Turqi-Siri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button