HELMI NDËR NE!

Mersel Bilalli

Mersel Bilalli

Ngjarja ka ndodhë në pallatin e famshëm Hawa Mahal (Pallati i erërave) të maharaxhës Sawai Singha në Indinë e lashtë. Gruaja e një raxhe lokal nuk durohej me vjehrrën e saj. Urrejtja kishte arritur kulminacionin saqë e reja kishte filluar të mendojë se si të gjejë ndonjë mënyrë të shpëtonte nga ajo. Prandaj, ajo kishte shkuar deri te xhaxhai i saj, i njohur si mjek barishtesh që t’i jepte një bar me të cilin ngadalë dhe pa u vërejt ta helmonte vjehrrën e saj.

Ai i dha asaj një barishte të cilën ajo duhej t’ia vente në ushqimet që ia gatuante asaj, kështu që për gjashtë muaj do të shpëtonte nga brengat. Por, që të mos vërehej ai e këshilloi atë që gjatë gjithë kohës do të duhej të ishte shumë e sjellshme dhe e dashur me të vjehrrën, sepse nëse diçka hetohej, kokat do fluturonin. Dhe kështu, ajo çdo ditë vetë gatuante ushqime të shijshme, të cilat filluan t’i pëlqenin shumë vjehrrës.

Sa më shumë që kalonte koha, marrëdhëniet e tyre çdo ditë e më shumë përmirësoheshin, madje u bënë aq të afërta saqë vjehrra filloi ta trajtonte të renë si vajzën e saj, kurse ajo atë si nënën e saj. Prandaj, e reja tani me gjithë shpirt donte të parandalonte vdekjen. Kështu që duke qarë ajo vrap kishte shkuar te xhaxhai i saj i barishteve dhe e kishte lutur gjer në Zot që t’i jepte një tjetër barishte për ta eliminuar vdekjen e vjehrrës të cilën tani më e donte shumë.  “Mos u shqetëso”, – i kishte thënë xhaxhai – “Ajo ishte vetëm një barishte e thjeshtë për t’u dhënë shije ushqimeve, dhe e vetmja gjë që është asgjësuar është helmi në zemrat tuaja – urrejtja mes jush”, – përfundoi xhaxhai.

Ngjarja ngjason në mosmarrëveshjen shumëvjeçare midis Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me emrin, e cila kulmoi me urrejtje të madhe midis dy palëve. Madje edhe brenda shtetit, dëshira për ta helmuar rivalin e brendshëm politik me çfarëdo helmi është bë përditshmëri. Ne shpesh vuajmë nga paragjykimet dhe stereotipat helmuese nga të cilat edhe vet helmohemi, sepse ai që përgatit helmin së pari vetë helmohet. masa helmohej apo halucionohej dhe si e tillë fluturonte ndër mjegulla, ndërkohë që aktorët politikë gjuanin nën mjegull. Gjithë kohës sulmoheshin zemrat e njerëzve për t’ua marrë kontrollin mbi trurin e tyre.

Problemi me Greqinë, në sytë e opinionit të këtuit vite të tëra ka qenë abuzuar dhe demonizuar, me qëllim që disa t’i mbushin xhepat e tyre duke ua zbrazur jetën të tjerëve. Tani kur problemi u demaskua, na bëhet e qartë se edhe udhëheqësia greke nuk e ka pasur aspak lehtë. Grumbullohen dhjetëra mijë Grek që s’e japin emrin, të cilin askush s’ua merr! “Populli grek vet duhet të vendosë për këtë gjë, të pa parë në historinë e njerëzimit, vjedhje të historisë dhe kulturës së njerëzve të popullit tjetër” – thotë Kamenos nga partnerët e koalicioni qeverisës i cili kërkon referendum për këtë çështje edhe në vendin e tij.

Njerëzve duhet t’u bëhet e qartë se nuk ka shtet në botë që nuk ka ndonjë problem me ndonjë shtet tjetër, por roli i politikës nuk është që të njëjtit t’i fryjë (atë e bën fashizmi), por atë ta zgjidhë. Së pari, duhet të shpjegohet se mbi 80 për qind e vendeve në botë për përdorim të jashtëm, pa dëshirën e tyre përdorin një emër tjetër ndryshe nga ai kushtetues, duke përfshirë edhe vetë Greqinë emri kushtetues i së cilës është – “Demokratia Helada”.

Askush në botë nuk e thërret me këtë emër. Emrin kushtetues të Shqipërisë e përdor vetëm Kosova dhe asnjë vend tjetër në botë. E njëjta gjë vlen edhe për Malin e Zi, Kosovën, Kroacinë dhe shumë vende të tjera. Kur bëjmë fjalë për Kosovën, mos vallë identiteti i tyre është më i vogël vetëm pse vendi nuk thirret sipas kombit?

Së dyti, pse mendojmë se vetëm Maqedonisë i rrënohet qielli mbi kokë ?! Shumica e vendeve në botë, madje edhe më të fuqishmet, kanë pasur dhe kanë probleme shumë më komplekse të cilat në mënyrë të balansuar i zgjidhin. Për shembull, Kina njëqind vjet ka toleruar koloni të huaj në pjesën e saj shumë të rëndësishme të territorit (Hong Kongu dhe Makao me një hapësirë tejet strategjike me mbi shtatë milionë banorë). Ata kanë biseduar me durim për 34 vjet që më në fund në vitin 1997 ajo pjesë t’i kthehet.

Britania e Madhe mbi 80 vjet ka patur probleme të mëdha me Irlandën e Veriut (dhjetëra mijë viktima vetëm në Belfast), dhe veç me një dialog të qetë më në fund në të “Premten e Madhe” në vitin 1998 ata gjetën zgjidhje. Franca ende ka probleme me Korsikën, Spanja me Kataloninë dhe Baskinë, Rusia me Ukrainën dhe me një numër shtetesh tjera përreth nga ish-Bashkimi Sovjetik. Madje as SHBA-të nuk dinë se çfarë të bëjnë me Portorikon! Gjithashtu edhe në fqinjësinë tonë, ka shumë probleme – Greqia dhe Turqia për Qipron dhe ujdhesat në Egje, Serbia me Kosovën (që në faza po zgjidhet), Kroacia me Slloveninë për territor në Gjirin e Piranit, Shqipëria dhe Greqia për detin territorial, etj.

Prej këtu, disa analistë që bëhen se janë analfabetë, duan të infektojnë sa më tepër njerëz me analfabetizëm. Vetëm për shkak të qëllimit të tyre lukrativ – fitimprurës. Prandaj, do duhet ta thonë atë që nuk ka asnjë pikë takimi me normalen dhe moralin. Ata mund të fitojnë vetëm mbi humbjet tona. Ata duhet medoemos të flijojnë një pjesë të moralit të tyre edhe ashtu minor për ta justifikuar lukrativitetin. Të thuash se nëse e ndryshojmë emrin do ta humbasim identitetin është nën nivel të standardit infantil të inteligjencës.

Ose ndoshta ashtu ato i trajtojnë të tjerët! Si duket disa shumë paskan dëshiruar që ligjet e Darvinit të kenë veprim në drejtim të kundërt. Po, edhe djalli nuk na vjen me shigjetë dhe fytyrë të tmerrshme, por me gjithçka që duam në jetë.  Njerëzit për shekuj me radhë kanë qenë nën Turqinë kurse identiteti i tyre nuk u ka humbur, edhe pse atëherë si mjet më i popullarizuar i komunikacionit ka qenë gomari, e do humbej tani në kohën e miliarda informacioneve brenda një sekonde.

Atë ta thuash dhe njëkohësisht të heshtësh se një e treta e popullsisë (të rinjtë më të aftë)avullojnë nga shteti bashkë me identitetin, është më shumë se një mendje me të meta serioze. Këta ishin të njëjtit që vite me radhë koaliciononin me djallin. Të mbrosh atë krim astronomik duhet të kesh një mendje shumë të prishur. Të thuash se “Shkupi 2014” është një projekt i mirë, duhet të kesh një mendje të fëlliqur . Pra, në realitet, mos-gjetja e zgjidhjes për emrin nga rrënja e shkul identitetin. Gjenerata e tretë e të afërmve të mi të ngushtë që jetojnë jashtë nuk kanë shumë afërsi me gjuhën e tyre amtare. Madje do të konsiderojnë si primitiv nëse u thoni diçka.

Fshatrat dhe qytetet zbrazen sikur eksodi biblik i Hebrenjve. Me dëbime ekonomike ia kemi tejkaluar edhe Pol Potit famëkeq të Kmerëve të Kuq. Për aq sa me popullin udhëheqin prijës jashtë mendjes së shëndoshë, për aq edhe mendja e popullit do të jenë jashtë vendit. Mjerimi shpirtëror i politikanëve krijoi  mjerim të përgjithshëm njerëzor. Dhe tani do të na shpëtuakan ata që dikur na mbytnin, ndërkaq ka kaluar koha kur besonim fuqishëm se shpëtimi është në të keqen. Ka kaluar koha kur njerëzit besonin se Gruevski u gjente shërim të sëmurëve, shikim të verbërve, shpirt të vdekurve! Si duket helmi nuk reagon më!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP