DEPRESION POLITIK (I)

“Pa prijës të virtytshëm s’ka shoqëri të virtytshme.”

Farabiu

Shkrimtari francez Pierre Loti ka një vepër që titullohet Fleurs d’Ennui (Lulet e Mërzisë), që mes tjerash shenjon edhe gjendjen politike ndër ne, këtu në Maqedoni, pas çarjes së fundit në “Lëvizjen Besa”. Floktari i Poreçit, hiti i facebookut, një pasqyrim ultra i ulët lidhur me ndodhitë e fundit në (jo)kulturën tonë politike, një pezëm i pamatur që në një formë më tjetërfare, më të butë, e vërejmë ngado që sillemi. Javën e kaluar, në Prishtinë gjatë promovimt të një libri lidhur me kulturën politike kosovare për temën e njëjtë pyet edhe profesor Martini tuzian që jeton dhe vepron nga Lubjanë. S’mundi të duronte të përmbyllej seanca zyrtare, gjetë ekspozeve, më drejtohet me disa fjalë që i qet në letër: “Çfarë po i ndodh Besës?” I përgjigjem me laps e letër, shkurt, aq sa mundem me një furtinë idesh.

Në Shkup e Tetovë, gjithandej… Në rrugë, në kafe, top temë kjo e Besës. Çka u bë mor burrë? Kush janë këta e kush ata? Auu, çfarë vullneti kemi pasur, besim të fortë te besa-besë? Çfarë dekurajimi tani. Mjerim! Shkuam kot. Mos diskutojmë për mediat dhe rrjetet sociale, ku zhargoni apo fjalori ka rënë nën të gjitha nivelet, ku palët shajnë njëra-tjetërn si më keq, ku ana djallëzore ka ngulfatur atë njerëzore. E fundit me “Portokallinë”.

E hëna e kaluar, rrugës për në Prrenjas. Gazetari përmes celularit realizoi një intervistë me autorin e këtij eseu lidhur me divergjencat e brendshme në partitë politike shqiptare që përfundojnë me ndasi, përçarje, grupëzime, fraksionerizma dhe në fund në ndarje të partisë, në krijimin e dy e më tepër subjekteve, të cilat lëre se relativizojnë partinë gjegjëse, në të njëjtën kohë krijojnë edhe një formë të defetizmit tek ithtarët, tek zgjedhësit, të cilët kanë lidhur idealet tek ato. Fjalët kyç: mendësia tradicionale, bajraktarizmi që me sa duket e kemi në kodin kolektiv, bindja për lidership të përhershëm, mungesa e demokracisë interne. Skema e përçarjes i ndodhi PPD-së, PDSH-së, në një formë më me pak bujë BDI-së, RDK-së dhe tani edhe “Lëvizjes Besa”. Ngjarjet brenda kësaj të fundit, në fakt nuk janë fundi i botës, por ama kanë krijuar një klimë jashtëzakonisht negative ngase ky aktor politik edhe për nga emërtimi ishte i veçantë, jo parti klasike por lëvizje. E lëvizjet politike janë faktorë politikë më përfshirës, më mobilizues, me pretendime më të mëdha, krahasuar me partitë që edhe nga vetë etimologjia janë pjesë, copë, parcializuese. Lëvizjet në esencë kanë një ideologji më të fuqishme, targetojnë ndryshime më madhore. Sipas Lee (2009) lëvizjet sociale dëshirojnë t’i realizojnë agjendat e tyre përmes sistemit politik, kurse partitë politike duhet të jenë të hapura ndaj pjesëmarrjes së gjerë të publikut dhe të mbajnë lidhje të forta me çështjet nga terreni.  Besa ishte diku në mes, edhe lëvizje shoqërore edhe parti. Dhe janari, i shkërmoqi të gjitha këto përkufizime e kategorizime. Gjithçka u banalizua. U prishën të gjitha skemat e zëvendësimit të një qeverisjeje të korruptuar me vlera autentike, të mirëfillta, u deformuan skicat e spostimit të figurave destruktive në taborrin politik shqiptar me fytyra të reja, me shkollë e elokuencë, me vizionaritet. Me një fjalë u vra shpresa e mbajtur pas dështimeve të partisë pushtetare shqiptare. U kalua në gjendje të depresioni politik që nënkupton një sëmundje që ndikon negativisht në ndjenja, mendime dhe veprime që ndërlidhen me qeverisjen dhe më gjerë.

Rrjedhimet apo më mirë thënë pasojat e rrënimit të kullës besatare apo të përçarjes “Besa” janë shumë dhe degraduese; ne nga këndi i soiologjisë do t’i analizojmë disa prej reperkusioneve apo pasojave evidente:

  1. Lëndimi politik i filozofisë dhe semantikës së fjalës besë: Një gjë shpresëthyerëse nga fenomeni që eruptoi më 6 janar 2018 është konsumimi politik i një fjale me plotëni kombëtare, besa, që është një psikologji e kombit, një ndërgjegje kolektive ideale, ndoshta më tepër mitologjike, por ama e mirënjohur, së paku në teori. Në kuadër të besatarëve ndodhi prerja në besë, u shkel fjala e dhënë, u harruan duart e bëra bashkë për ideale, u shkel ideologjia e veprimit pa interesa, pa hipoteka, për të mirën e shoqërisë. Tash e tutje, një besë apo dy qofshin, zor se do ta marrin besatimin e popullit. Për këtë flasin të dhënat empirike, terreni, gjendja psikologjike që mbizotëron. “S’ka më besë, as i besoj kujt! – është fjalia më e përdorur këtyre ditëve nga qytetarët ordinerë.
  2. Fundi i politikës konservatore apo i politikës me fe, me ngjyrime të moralit apo etikës fetare. Siç dihet një pjesë e mirë e qytetarëve me botë jetike më të shquar fetare, e gjetën veten në flatrat e “Besës” politike, “si-islamiste”. Demosi ishte i bindur se Besa udhëhiqet nga homo religiosus-i, nga fetarët, nga persona me bujshmëri fetare, nga ata që ia kanë dhënë besën Zotit dhe që besatohen e zotohen edhe përpara popullit se nuk do të tradhtojnë, se nuk janë si të tjerët, se janë meritokratë, se nuk ia hanë hakun askujt, se nuk hanë hak mileti, se janë besnikë, se luten e falen, agjërojnë “të hënë e të enjte”, se “besojnë dhe veprojnë”, se e kanë lëvruar mirë kulturën shpirtërore dhe se një ditë do të kemi në pushtet njerëz elitarë të shkolluar mirë, modestë, të sinqertë, të pashkëputur nga zgjedhësit, njerëz me ndërgjegje, sepse janë në komunikim me të shenjtën, sakralen, se e dinë se një ditë do të jepet përgjegjësi në një audiencë gjykimi ku s’kalon as leku as njoftësia. Këta eksponentë të besëlidhjes politike sikur s’e kanë dëgjuar fjalën hyjnore: “…e mos u përçani mes vete, se dobësoheni dhe e humbni fuqinë”. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button