“Vij nga një shtet i varfër ku s’ka shumë punë dhe para” – rrëfimi i Xherdan Shaqirit

Xherdan Shaqiri ka rrëfyer për mediat zvicerane se si ka ardhur deri te futbolli – duke shtuar se është gjëja me e mirë që i ka ndodhur në jetë.

Ish-mesfushori i Bayernit dhe Interit, që tani aktivizohet në Premierligë te Stoke City, ka thënë se është rritur me futbollin dhe do të pensionohet me këtë sport, raporton Insajderi.

Shaqiri ka treguar se si në fëmijërinë e tij në Zvicër ka jetuar vetëm pesë minuta larg fushave të futbollit, dhe kështu kishte filluar karriera e tij.


Shaqiri në fëmijërinë e tij, kur hodhi hapat e parë në futboll

“Kam banuar vetëm pesë minuta larg fushave. Kjo ishte e përsosur për mua. Dhe kështu filloi gjithçka”, rrëfen Shaqiri, i cili hapat e parë në karrierë i hodhi në Zvicër.

“Ndiheshe i lirë, pa telashe. Luanit si një person i lirë, dhe ky sigurisht ishte një hap i madh për mua”, vazhdon rrëfimin e tij futbollisti kosovar.


Shaqiri në hapat e parë të karrierës së tij si futbollist

Shaqiri ka folur edhe për vendlindjen e tij, duke thënë se në Kosovë, vendet e punës dhe mundësitë janë të pakta.

Ai ka thënë se Kosova është një vend shumë i varfër, ku nuk ka shumë para.

“Jam lindur në Kosovë, një shtet shumë i varfër. Nuk ka shumë vende pune dhe nuk ka shumë para”, thotë Shaqiri.

Ai po ashtu ka treguar se vjen nga një familje e cila nuk ishte e pasur, derisa kishte përjetuar edhe vështirësitë e luftës, ku ishte djegur shtëpia e xhaxhait të tij.

“Shtëpia e xhaxhait tim ishte djegur, këtë e kam parë me sytë e mi. Kurse, shtëpia ime mezi po qëndronte në këmbë, por ata kishin vjedhur dhe shkatërruar gjithçka”, rrëfen Shaqiri, përcjell Insajderi.


Shaqiri duke rrëfyer se si shtëpia e tij ishte shkatërruar gjatë luftës

“Ata kishin shkatërruar dhe vjedhur gjithçka që ishte brenda. Kishin vandalizuar edhe muret”, thotë 26-vjeçari nga Zhegra e Gjilanit.

“Kur ktheheni atje pas luftës dhe shikoni gjithë këto gjëra ju filloni të shihni gjërat ndryshe”.

Ai ka thënë se është i lumtur me jetën në Zvicër, pasi aty ndihet i sigurt dhe i qetë.

“Jam i lumtur këtu në Zvicër, ku jemi të sigurt dhe mund të jetojmë në paqe”, thekson Shaqiri.

“Jam rritur me futbollin dhe do të pensionohem duke luajtur futboll. Është gjëja më e mirë që ka mundur të më ndodhë” e përfundon rrëfimin e tij mesfushori kosovar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button