Prindër të ndarë, fëmijë të përbashkët

Arta Selmani Bakiu

“Shkurorëzimi nuk është një tragjedi. Tragjedi është të qëndruarit në një martesë jo të lumtur, me atë që fëmijëve në mënyrë të gabuar do tua mësoni dashurinë. Asnjëri nuk ka vdekur nga shkurorëzimi” – Jennifer Weiner

Me ndryshimin e konceptit të familjes dhe planifikimit familjarë, me emancipimin e gruas, pavarësinë e saj ekonomike, avansimin e modelit monoprindëror, në kohën e sotme nuk është tragjike të diskutohet për ndarje të martesave. Madje, shkurorëzimi më nuk shikohet edhe si ‘amoralitet’ i cili i preokuponte familjarët e çifteve që vendosin të ndaheshin pas shumë e shumë peripecive. Të mishëruar me politikat ditore në vend, kemi lënë anësh shumë nga problemet familjare, zgjidhja e të cilave ka ngelur vetëm diskutim në disa artikuj shkencorë. Shikuar gjendjen e marrëdhënieve bashkëshortore, numri i shkurorëzimeve shënon rritje të vazhdueshme edhe në vendin tonë. Nga kjo rezultojnë edhe pasojat që sjell mbarimi i martesës për bashkëshortët e në veçanti për fëmijët. Në vendin tonë ende mbisundon modeli i bazuar në konceptin ‘clean break’ sipas të cilit me anë të shkurorëzimit ndërpriten marrëdhëniet midis ish bashkëshortëve, vetëm njërit i ndahen fëmijët (në të shumtën e rasteve nënave) dhe ai/ajo sjell vendimet më të rëndësishme për fëmijën, ndërkaq prindi tjetër ka vetëm të drejtën e kontakteve dhe obligimin e pagesës së alimentacionit. Këto dispozita ligjore diskriminojnë së pari fëmijën pastaj edhe prindin i cili nuk fiton kujdestarinë. Me këtë fëmija humb njërin prind, me të cilin kontaktet i ka të limituara dhe për terminet e të cilave vendosën Qendra për punës sociale. Çështja e termineve për mbajtjen e kontakteve është një nga temat më të hidhura gjatë procesit të shkurorëzimit. Burrokracia, afërsia familjare dhe shoqërore, fuqia ekonomike, e njërit bashkëshort me punonjësit social është krriter primar, çështje këto për të cilat do të diskutojmë në një rast tjetër.

Nga ana tjetër, prindi i cili fiton kujdestarinë, fiton edhe barrën e përkujdesje së plotë, duke i dhënë të drejtë vetes që të tjetërsojë dhe përjashtojë nga jeta e fëmijës prindin tjetër me çka edhe krijon monopol mbi fëmijën duke e llogaritur si pronë personale.  Me fjalë të tjera, dispozitat ligjore aktuale thellojnë edhe më tepër konfliktin ndërprindëror, mu për shkak se prindi që fiton kujdestarinë, ‘fiton’ edhe fuqinë që të cënoj të drejtën e prindit tjetër për ta kontaktuar fëmijën e vet.  Prandaj, problemet e shumta që paraqiten në praktikë, janë tregues që shkurorëzimi ka pasoja negative tek fëmijët, veçanërisht për shkak të ndërprerjes së kontakteve të fëmijëve me baballarët e tyre (në të shumtën e rasteve).

Cila do të ishte zgjidhja e kësaj situate diskriminuese për fëmijët dhe prindin që nuk fiton kujdestarinë?  Hapi i parë është inkorporimi dhe zbatimi i konceptit të prindërisë së përbashkët pas shkurorëzimit në Ligjin për familjen. Për këto ndryshime mund të na shërbejnë shembujt që ofron e drejta komparative. Modeli i prindërisë së përbashkët në vendet e zhvilluara daton që nga vitet e 70-ta i cili ka qenë i motivuar nga rritja e numrit të punësimeve të grave, ngritja e vetëdijes nëpërmjet lëvizjeve feministe si dhe nga hulumtimet e shumta të cilët kanë theksuar rëndësinë e rolit të babait në edukimin dhe zhvillimin psikosocial të fëmijëve. Legjislacionet familjare bashkëkohore me normat e tyre proklamojnë kujdestari të përbashkët dhe prindëri të barabartë edhe pas shkurorëzimit si koncept dominant. Parimi i ushtrimit të përbashkët të të drejtës prindërore edhe pas shkurorëzimit në rradhë të parë nënkupton bashkëveprimin për të gjitha çështjet e rëndësishme që kanë të bëjnë me jetën e fëmijës të rregulluara  nëpërmjet një marrëveshje të përbashkët, të cilën prindërit janë të obliguar ta respektojnë pasi ajo të merr formën vendimtare nga ana e gjykatës. Këtu rol të rëndësishëm luan institucioni i mediacioneve familjare.

Implementimi i dokumenteve ndërkombëtare të ratifikuara nga RM është më se i nevojshëm për zgjidhjen e problemeve konkrete, të cilat urdhërojnë zbatimin e parimit të prindërisë së përbashkët, duke e garantuar në këtë aspekt respektimin e interesit më të lartë të fëmijës- jetën e tij me të dy prindërit edhe në situatat e ndarjes së martesës. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka edhe Komisioni evropian për të drejtën familjare i cili me aktivitetet e veta, ka ngritur konceptin e ‘Joint legal custody’ pas shkurorëzimit si parim kryesorë.

Çka nënkupton ushtrimi i të drejtës prindërore me kapacitet të plotë edhe pas shkurorëzimit?

  • Pavarësisht prej statusit martesorë, prindërit bashkërisht do të jenë përgjegjës dhe bashkë do të sjellin vendime të rëndësishme për jetën e fëmijës së tyre (shkollimi, intervenimet eventuale mjekësore, interesat e tija pasurore, etj), për të cilat do të jetë i domosdoshme pëlqimi eksplicit nga ana e të dy prindërve. Gjendja aktuale- prindi me të cilin jeton fëmija ka obligimin dhe të drejtën e vendosjes për çdo gjë, ndërkaq prindi tjetër është i liruar nga kjo përgjegjësi.
  • Përkujdesje ekuivalente nga ana e të dy prindërve. Me anë të këtij modeli të ndarjes së përgjegjësive, prindi me të cilin jeton fëmija do të liroheshte nga barra financiare. Të dy prindërit do të ndajnë edhe përkrahjen financiare ndaj fëmijës së tyre. Aktualisht alimentacioni është problem i rradhës me të cilin ballafaqohen fëmijët nga martesat e shkurorëzuara. Krejtësisht e pamoralshme, iracionale por reale, alimentacioni shifet si pikë e dobët e baballarëve, dhe e gjithë kjo si pasojë e betejës së vazhdueshme të ish bashkëshortëve, duke i vënë në mënyrë të pandërgjegjëshme fëmijët në rolin e viktimave të tyre.
  • Të dy prindërit do të kenë qëndrim dhe qasje të njejtë ndaj fëmijëve të tyre, asnjëri nga prindërit nuk do t’i jepet mundësia që të manipulojë me ndjenjat e fëmijës nëpërmjet fuqisë që i jep kujdestaria.
  • Rregullimi i kontakteve me prindin me të cilin nuk jeton fëmija: ligji duhet të parashef dhe të garantojë kohën minimale për kontaktet (p.sh Lëvizja qytetare për prindëri të përbashkët pas shkurorëzimit kërkon që kjo kohë të jetë 120 ditë në vit për prindin me të cilin nuk jeton fëmija); vendosja e parimit 50-50 e kohës së kontakteve në situatat kur prindërit jetojnë afër, dhe kur një kontakt i tillë nuk do të cënonte rrjedhën normale të aktiviteteve të fëmijës. Kontakti i ndarë në mënyrë proporcionale do të nënkuptonte që fëmija ka ‘dy shtëpi’ dhe se pjesë të konsiderueshme të kohës e kalon me të dy prindërit . Me fjalë të tjera, ky raport i ndarë do të ndikonte që fëmija të jetë në marrëdhënie të vazhdueshme me të dy prindërit.

Dua të theksoj se personalisht jam pro ndrajes së një martese konfliktuoze por jo edhe ndrajes së fëmijëve nga prindërit. Më mirë një shkurorëzim i qetë sesa një martesë me probleme të vazhdueshme. Jeta sjell situata të ndryshme për shkak të të cilave bashkëshortët vendosin të ndahen. Mirëpo, prindërit duhet të kenë parasyshë faktin madje edhe të edukohen në atë aspekt  se ata mund të përfundojnë martesën, mirëpo nuk munden dhe nuk kanë të drejtë që të përfundojnë përgjegjësinë prindërore, ata ngelin prindër edhe përkundër shkurorëzimit të tyre.

Inkorporimi i konceptit të prindërisë së përbashkët pas shkurorëzimit, është e një nevoje urgjente, kjo si pasojë e problemeve të theksuara më lartë. Maqedonia aktualisht ka koncept të vjetëruar për ushtrimin e të drejtës prindërore pas shkurorëzimit, e cila nuk është e ndryshuar që nga vitit 1992, gjë e cila sjell deri tek problemet serioze për fëmijët dhe prindërit e ndarë (në të shumtën e rasteve baballarët). Ndryshimet e këtilla pritet të jenë pjesë e  Kodit të ri civil të RM që është në përgaditje e sipër. Implementimi i modelit të prindërisë së përbashkët pas shkurorëzimit do të jetë paksa i vështirë, mu për shkak të stereotipeve që ekzistojnë midis një çifti që ndahet. Duhet patur parasyshë që për tejkalimin e këtyre pengesave duhet të inciohet edhe themelimi i institucionit të mediacioneve familjare, të cilët do të luajnë një rol të rëndësishëm në përgaditjen dhe edukimin psikologjik të ish bashkëshortëve, që për interesin e fëmijëve të tyre të munden në mënyrë paqësore t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dhe armiqësitë e tyre.

Prandaj, ju prindër që keni kaluar golgotën e shkurorëzimit, dhe ju tjerët që planifikoni t’i jepni fund martesës tuaj, dijeni se ‘fëmijët nuk duhet të jenë viktimat e zgjedhjeve që të rriturit bëjnë për ta.’

Shkruan: 

Doc. d-r Arta Selmani-Bakiu

Ligjëruese në Fakultetin juridik- UEJL

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP