Kosovë, Vuçiç: Të zgjidhen mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç kërkoi sot në Kosovë luftimin e kriminalitetit e korrupsionit edhe në radhët e serbëve. “Duhet bërë gjithçka e mundur që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen”, ka thënë Vuçiç.
Presidenti i Serbisë shoqërohej edhe nga shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç vizitojnë Kosovës. Vizita realizohet pak ditë pas vrasjes në veri të Mitrovicës të politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Pas vizitës në manastirin e Banjskës, Vuçiç zhvilloi bisedime me dyer të mbyllura me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës dhe vendosi lule në vendin ku u vra Oliver Ivanoviç, transmeton Sot News.
Presidenti serb u shpreh se “vjen në Kosovë për të biseduar me serbët e Kosovës për t’u thënë atyre se shtetin e Serbisë do ta kenë gjithmonë pranë”.
Në lidhje me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç, ai tha: “Të shohim se si dhe në cilën mënyrë autoritetet e Kosovës do t’i zhvillojnë hetimet për vrasjen e Ivanoviç. Serbia do të shkëmbejë informacione, sepse këtu po flitet për shkëmbim të informacioneve. Ne do ta bëjmë këtë edhe pse kemi kërkuar që të marrim pjesë në hetimet për zbardhjen e vrasjes. Por sidoqoftë, do të presim rezultatet përfundimtare të hetimeve dhe të shohim se a do të sjellin hetimet deri tek autorët e krimit të neveritshëm që ndodhi në Mitrovicë”, tha Aleksandër Vuçiç.
Serbia ka kërkuar që të përfshihet në hetimet e vrasjes së Ivanoviç por qeveria e Kosovës ka refuzuar, duke ofruar këmbim të informacioneve. Ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë: “Serbia mund të ndihmojë me informacione rreth vrasjes së Ivanoviqit, por, hetimet i kryejnë institucionet kosovare të sigurisë”. Serbia ndërpreu dialogun me Kosovën pas vrasjes dhe tha se dialogu nuk do të vazhdojë deri sa të ketë një përgjigje.
Zgjidhje e mospajtimeve me shqiptarët
Vuçiç u shpreh gjithashtu për zgjidhjen e mospajtimeve me shqiptarët dhe se vendi i tij do të punojë për paqen. “Serbia do të japë gjithçka nga vetja për ta ruajtur paqen, ndërsa, do të bëjë gjithçka që është e mundur që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen.” Vuçiç i porositi serbët e Kosovës “të mbijetojnë në vatrat e tyre”.
“Nuk guxohet që të jemi më pak në territorin, në vendin ku kemi jetuar gjithmonë dhe për këtë arsye si shtet do të luftojmë në të gjitha mënyrat.”
Presidenti serb kërkoi qartë luftimin e kriminalitetit edhe në radhët e serbëve. “Është e rëndësishme edhe gjetja e mekanizmave të rinj në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në radhët e serbëve”, tha Aleksandër Vuçiç. Vizita e presidentit serb zhvillohet nën masa të shtuara të sigurisë, të pjesëtarëve të policisë së Kosovës, atyre të misionit EULEX dhe forcave paqeruajtëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button