Pakistan, çdo vit 100 mijë të vdekur nga ujërat e ndotura

Çdo vit 100 mijë persona në Pakistan humbin jetën për shkak të sëmundjeve që përhapen nga ujërat e ndotura, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) 40 për qind e vdekjeve nga sëmundjet ngjitëse ndodhin për shkak të ujit të ndotur.

Arsyet si ndotja e ambientit, rritja e madhe e popullsisë dhe urbanizmi i paplanifikuar në Pakistan, shtet me afro 200 milionë banorë, kanë shkaktuar që dy të tretat e popullsisë të mbeten të privuar nga uji i pastër i shëndetshëm.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) 50 mijë nga 100 mijë personat të cilët humbin jetën çdo vit për shkak të sëmundjeve ngjitëse të cilat përhapen nëpërmjet ujit të ndotur, përbëhen nga fëmijët nën moshën 10 vjeç.

Problemi i furnizimit me ujë të pastërt është ndër problemet kryesore të pakistanezëve, sidomos të atyre që jetojnë në zona rurale. Fshatarët duhet të ecin me kilometra rrugë për të gjetur ujë të pastër.

Në shtet edhe uji në shishe është i mangët për të përmbushur nevojën e ujit të pastër. Sipas hulumtimit të Këshillit të Burimeve Ujore të Pakistanit, 100 nga 111 kompani të ujit në Pakistan nuk i përmbushin standardet e ujit të pijshëm.

Eksperti i ujit, Ihsan Siddiki në një deklaratë për AA tha se gjendja me furnizimin me ujë të pastër po përkeqësohet çdo ditë e më shumë dhe se kjo shkakton edhe rritjen e numrit të vdekjeve për shkak të ujit të ndotur.

“Më shumë se gjysma e buxhetit shëndetësor të Pakistanit shpenzohet për trajtimin e sëmundjeve ngjitëse të përhapura për shkak të ujit të ndotur. Nëse ne mund t’iu ofrojmë njerëzve ujë të pastër, atëherë ky problem mund të zgjidhet në mënyrë të lehtë”, thotë Siddiki.

Punimet e qeverisë

Ministrja e Shëndetësisë së Pakistanit, Saira Afzal tha se qeveria vazhdon të ndërmarrë hapat e nevojshëm për zgjidhjen e problemit të ujit të pastër.

Sipas saj, në provincat Sind dhe Penxhab si dhe në zonat rurale kanë marrë një sërë masash për zgjidhjen e problemit të ujit të pastër.

“Në rajone të shumta të shtetit kemi vendosur sisteme të pastrimit të ujit. Sidomos në zonat rurale vazhdojnë punimet tona për të parandaluar përzierjen e tubave të kanalizimeve me ato të ujit”, thotë ministrja Afzal.

Ajo po ashtu njoftoi se vazhdojnë me realizimin e projekteve për gjetjen e zgjidhjes së problemit të ujit të pastër në rajonet ku po regjistrohen raste të paralizës së fëmijëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button