RUAJNA ZOT PREJ BETERËVE!

Me arsyetimin se Ligji për avancimin e gjuhëve rrezikon të ardhmen e maqedonasve, kryetari inatçor i shkretishtes nuk e nënshkroi atë. Ai, edhe pse mund të ketë aq kapacitet për ta kuptuar se barazia e plotë e shqipes do të arrihet vetëm pas ndryshimit të kushtetutës së vendit, u rreshtua sërish me klasën albanofobe akademike, me zërat antishqiptarë të diasporës dhe me bulërimat e ekstremit VMRO-ist, që më shumë se jetën e tyre e duan vdekjen e indianëve

Shi për këtë, s’ia vlen humbja e kohës për vendimin e kryetarit sui generis, sepse më dekurajuese për të ardhmen është antishqiptarizmi që mbjellin në popull mediet dhe intelektualët me mendësi moniste, si puna e profesoreshës universitare, anëtares së PEN Qendrës së Maqedonisë, akademikes Qullavkova, e cila kërkesën legjitime të shqiptarëve për të barazuar shqipen me maqedonishten e quan: krim kulturor, qëndrim radikal që kërcënon në tërësi pasqyrën identitare të shtetit maqedonas…

Po sjell në vijim vetëm disa qëndrime të saj të afishuara me trajtë kolumne, të cilës aktualisht i referohen studentët dhe njerëzit e manipuluar, që sigurisht do të vërshojnë Shkupin për të kërkuar disiplinimin e shqiptarëve dhe bërjen zap të Gjuhës shqipe.

Është interesante se akademikja, bashkë me disa kolegë/e, ligjin për avansimin e gjuhëve e shfrytëzon vetëm si shkas për të kërkuar rikthimin e padrejtësive të bëra ndaj shqiptarëve në kohën e monizmit, kur qe vampirizuar millosheviqizmi dhe kur Maqedonia u bë poligon serb ku matej pulsi dhe testohej durimi ynë.

Lexoni me kujdes pikëpamjet e saj kundër shkollimit të shqiptarëve në gjuhën shqipe: Gjuha maqedonase, shkruan akademikja, tani më nuk e bashkon shoqërinë si të tërë, as bashkësitë etnike që jetojnë në RM, por gjithnjë e më shumë margjinalizohet dhe zëvendësohet me gjuhën shqipe. Kjo shihet qartë në shkollimin fillor dhe të lartë, pastaj në medie dhe kulturë, në politikë dhe në sfera të tjera…

Ky lloj arsyetimi është i njohur për ata që përjetuan katrahurat e viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, si puna e suspendimit të shkollimit të mesëm në gjuhën shqipe nëpërmjet paraleleve të përziera, kur për një nxënës maqedonas të futur kastile në klasën përplot me nxënës shqiptarë, procesi mësimor zhvillohej tërësisht në gjuhë biblike të Qullavkovës.

Për akademiken e madhe shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë pse të kujdesen për gjuhën e tyre, sepse këtë e bëjnë Shqipëria dhe Kosova, kurse maqedonishtja flitet vetëm në RM, ndaj nuk duhet të rrezikojë të humbë folësit e saj dhe fjalën e gjallë maqednase…

Sinqerisht, nuk kam aq mend për ta kuptuar qullnajën e akademikes, sepse i bie që mbijetesa e maqedonishtes dhe numri i folësve të saj varet prej shqiptarëve dhe statusit të gjuhës shqipe. Sipas kësaj logjike, sa më shumë avancohet shqipja, aq më shumë venitet maqedonishtja, gjë të cilën ajo e argumenton me ligjin për gjuhët, që, qysh në vitin 2008, paska rezultuar me ngushtimin e hapësirave të mësimit dhe shfrytëzimit të gjuhës maqedonase!?

Me aludimin e tejdukshëm makiavelist për konvertimin e Maqedonisë multietnike në shtet nacional maqedonas, ku të tjerëve u mbetet vetëm udha e asimilimit, akademikja shpërfaq edhe fobinë ndaj identiteteve të ndryshme: Sistemi i keq arsimor, thotë ajo, krijon në mënyrë sistematike gjenerata të reja që u takojnë identiteteve dhe botëve të ndryshme…

Megjithatë, as kjo nuk është e tëra, sepse shqiptarët gjenocidistë, njësoj si në vitet e 80-ta të shekullit XX, e bëjnë të vuajë keq për shkak se Shkupin, Manastirin, Kërçovën… i emërtojnë ndryshe prej ekselencës akademike, që ligjëron sallma mbi gjenocid gjuhësor të shkaktuar nga ligji për toponimet, sepse toponimet që kanë ekzistuar në një territor prej mijëra vitesh nuk guxon kush t’i përkthejë në një gjuhë tjetër, por vetëm mund të transliterohen shkronjë për shkronje në alfabetin latin.

Ruajna Zot prej beterëve!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button