Këto perla piktoreske të malësisë së Sharrit të mbetura shkretë

Në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, diku në mbi 1 mijë e 500 metra mbi nivelin e detit, ndodhen fshatrat e Malësisë së Sharrit. Rrëzë malit, ndodhet fshati Vershallë, rrethuar nga lartësi të rrëpirta e plot pllaja, me bjeshkë ku dhjetra vite më parë kullosnin bagëtia; e prej aty përhapej tëjembanë muzika e zilkave të gëzueshme, kombinuar me korrin e blegërima, si në një simfoni jetëdhënëse të natyrës me harmoni perfekte. Më në majë, ndodhet kufiri me Kosovën, ose ndryshe kufiri shqiptaro-shqiptar, me të dhënën më kokëfortë të këtij fakti, pavarsisht një realiteti të mbrapshtë diktuar me pahir afro 100 vite më parë, pasi në dy anët, jetojnë shqiptarë e vetëm shqiptarë, me jo pak mite e legjenda. Rruga deri atje, është vërtet një rrugë që lidh njerëz të së njëjtit popull, por në dy shtete të ndryshme, njerëz me një gjuhë dhe enti, me preajardhje e kod zakonor të njëjtë, por që në të kanë ecur ndër shekuj bizantët, osmanët, sllavët e bullgarët; kanë kaluar karvanë me hordhi barbare, ushtri të ndryshme, kaçakë, xhandarë, partizanë dhe ballistë.

Historikisht, këto treva kanë qenë çdo herë nën sundimin e huaj….

Gjyshërit dhe stërgjyshërit e mij, u lindën në këtë fshat. Ndërsa unë jo. Por një pjesë të fëmijërisë, e kam kaluar aty. Edhe një pjesë të rinisë. Kam kujtime të bukura që më ndjellin nostalgji nga ajo kohë.

Sipas të dhënave toponimike, duket se ka një ngarkesë sllave në emërtimet e vendeve të ndryshme, por kjo jo domosdoshmërisht tregon se viset tona janë banuar nga sllavë. Edhe në Shqipëri ka shumë toponimi të tillë, sidomos toponomi të madhe, ku veçohen emrat e fshatrave, por kjo është pasojë e pushtimeve dhe e prirjes së pushtuesve sllavë për të ndërhyrë dhelpërisht në toponiminë vendase, që më pas ta kënë si argument nacional në zellin e tyre të egër shovinist, duke pretenduar autoktoni nëpër territore e treva që kurrë nuk kanë qenë të tyret. Megjithatë, për fat të keq, në shumicën e fshatrave të malësisë së Sharrit, e sidomos në këtë fshat, nuk dihet origjina e saktë e banorëve; se cilët kanë qenë paraardhësit tanë në thellësi të shekujve, e se cili fis ka vendosur gurrëthemelin e parë aty, për të krijuar më pas një zonë banimi me trajtat e një fshati. Eshtë e papranueshme që sot, në shekullin e `21, të mos mundet të kemi të dhëna të mirëfillta të një niveli akademik për të parët e këtyre trevave. Ne, pasaradhësit, ua kemi borxh të parëve tanë, atyre për të cilët ende nuk kemi të dhëna të detajuara, që në respekt të trashëgimisë shpirtërore që na kanë lënë, t`jua zbulojmë rrënjët e të nxjerrim në dritë identitetin e tyre të vërtetë e të kristaltë. Duke nisur që nga shekulli i `15, të gjithë këto treva u përfshinë nën juridiksionin e Perandorisë Otomane. Dhe shumë të dhëna të imtësishme për to, duhet të gjenden patjetër në arkivat e Stambollit, për të cilat duhet të kryhen kërkime në nivel shkencor dhe akademik.

Gjurmë Krishterimi…

Gjykuar nga emërtesat e disa lagjeve, ose ndryshe mëhallave,  si Zene, Lurë, Gjine, mund të themi se ato përfaqsojnë një të dhënë për autoktoni shqiptare, ngase ato janë burimore dhe tregojnë origjinën e familjeve dhe fiseve të vjetra të atyre anëve. Në afërsi të fshatit Vershallë, gjenden  dhe themelet e një kishe. Dhe është normale që diku-diku, të gjenden dhe gjurmë krishterimi, pasiqë duke gjykuar në prizmin fetar të rrjedhës historike, besimet si pjesë identitare e popullatave të ndryshme në kohë të caktuara, lanë lënë gjurmët e veta, sidomos në pasurinë materiale. Por, ndonëse këto troje janë autoktoktone shqiptare, edhe pse fshati ndodhet shumë afër trekëndëshit të kufirit aministrativ Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, kjo prapseprap krijon një pikëpyetje mbi të etnicitetin e banorëve  të atyshëm dikur. Sepse Ballkani, por dhe rajoni më gjërë ose dhe vetë bota, duhen parë brenda dinamikës historike zhvillimore, ku popujt me etni e besime të ndryshme, kanë qenë enë komunikuese me njëra-tjetrën, e jo të ndara me thikë. Steriliteti etnik nuk ekziston. Në qenien tonë, në çdo kohë, gjendet ngapak një shkuar “tjetër”, që jo patjetër përkon me të tashmen. Sterilitetin etnik, e bën të pamundur dhe fakti se për shekuj me rradhë, organizimi i botës nuk ka qenë në bazë shtetesh siç është sot, ku bazë e tij është nacionaliteti; por ka qenë në formën e perandorive gjigande, që përfshinin kombe me të dhëna nacionale e entike të ndryshme, përfshirë po ashtu dhe besime të ndryshme. Duke iu kthyer fshatrave për të cilat po shkruaj, duhet thënë se përbërja e popullsisë ka pësuar ndryshueshmëri në kohë: një pjesë është zhvendosur ndër kasaba, e një pjesë janë të ardhur atyre nga veriu. Ndërkohë, popullsinë e ka karakterizuar dikur dhe besimi i ndryshëm. Ka patur aty dhe katolikë e ortodoksë, por me përkatësi shqiptare, gjë që ka rrezatuar larminë e besimeve që karakterizon dhe sot botën shqiptare, ndonëse në një përmasë më të madhe, siç është ajo mbarëkombëtare. Por, duke iu referuar historianit Kristo Frashëri, deri në shekullin e `19, njiheshin fare mirë shqiptarët e besimit ortodoks, derisa në këtë periudhë, u fillua që të thirren si maqedonas, për t`u pasuar kjo nga një asimilim i ngadaltë i diktuar nga shumë faktorë.

Sa për islamizimin e popullsisë, versioni më i pranuar historik është ai nisjes së konvertimeve masive pas konsolidimit të sundimit otoman në këto troje, shekulli `15, 16, `17 e në vijim. Por ekzistojnë dhe versione që gjurmët e para të Islamit, gjenden në ndikimin e arabëve kur ata sunduan në Siçili, më herët se shfaqja e osmanëve. Sa për mënyrën e konvertimit, përjashtohet krejtësisht varianti i shumëpërfolur i dhunës. E para, sepse ‘dhuna’ nuk ka bazë fetare; përkundrazi, në doktrinën islame është kategorikisht e ndaluar; e dyta, sepse vetë fuqia e një perandorie, faktorët ideorë, psikologjikë, sociale dhe shoqërorë që dikton ajo, diktojnë dhe në besimin individual ose masiv të popullatave nën sundim dhe administrim; dhe e treta, sepse aktualiteti i sotëm se si njerëzit përqafojnë Islamin, pa asnjë lloj presioni të jashtëm, krejt në një liri zgjedhjeje pavarsisht ambjentit social ku ndodhen, ndërkohë që myslimanët nuk gëzojnë asnjë pozitë sunduese në botë, është dëshmia më e qartë se atëbotë, nuk ka ekzistuar asnjë element dhune për të përqafuar këtë besim. Në mbështetje të kësaj teze, nuk janë të pakët as historianët bizantinë.

Konti i Vlorës, pasi pranoi Islamin………………..

Pasi historia e shqiptarëve – zaten, si e çdo populli – nis në fise, klane, bajraktarizëm e principata, është e mundur që përqafimi i Islamit të jetë bërë në këtë mënyrë, siç do jepet më poshtë një version letrar. Unë nuk zotëroj njohuritë e duhura në këtë fushë, por thjesht do t`i referohem fabulës së romanit ‘Ura me tri harqe’ të Kadaresë, të cilin e kam lexuar para disa viteve. Ndër personazhet e romanit, është dhe Konti i veriut, i cili ka fejuar vajzën me një djalë të quajtur Abdullah. Dhe në një darkë pompoze ku ishin të ftuar kontë të tjerë, princër e princesha, ai thotë se turqit nuk janë si bizantinët; dhe se Bizanti ishte duke dhënë shpirt. Kjo bëri që Konti i Vlorës të pranojë Islamin dhe t`jua dorëzojë turqve portin e Pashalimanit. Ishte ky vetëm një shembull modest, një ilustrim i thjeshtë i marrë nga një vepër letrare kadarejane, për të dhënë një tablo – sado të kufizuar – se në ç`rrathana sociale u përqafua Islami ndër shqiptarë. Por sado që u futën në Islam, në një besim të pastër monoteik dhe me parime të thikta sa i përket fondamenteve monoteike, një pjesë e shqiptarëve nuk u shkëputën plotësisht nga rite festash të trashëguara ndër shekuj, të barsura me elementë paganizmi e krishterimi, si Veselicat (ose Karnavalet), Dita e Pranverës, apo Shëngjergji.

E them paksa me bindje se në këto fshatra të malësisë së Sharrit, ekzistojnë thesare ende të pazbuluara.

…….meshkujt e rritur mes këtyre maleve të larta, i kishin shpatullat të forta si graniti, ishin burra trupfortë dhe bënin  një jetë të shkrirë me natyrën në çdo aspekt. Jo më kot, ata rekrutoheshin në rradhët e ushtrisë otomane, që më pas bënin emër të madh në karrierën ushtarake e administrative për forcë, vitalitet e inteligjencë. Ushatarakisht, ata bënin pjesë në kontigjentet e zgjedhura ta jeniçerëve që pothuaj ndodheshin të përhapura kudo nëpër perandori. Me përkushtim të madh, ata i shërbenin sovranit.  Shumë nga ata, kishin histori personale mjaft të veçanta. Përshembull, thuhet se një jeniçer shqiptar, ka arritur të shoh kokën e Ali Pashait të Janinës (Tepelenës), të varur në një kamare, gjatë një ekspedite në sarajet e Sulltanit. Siç dihet, Ali Pashai ishte një rebel i Perandorisë, që mundi të ngrejë një gjysëm-shtet të pavarur mes jugut të Shqipërisë dhe veriut të Greqisë. Ndërkohë, një tjetër jeniçer, arriti të shërbente si guzhinier tek vet Sulltani. Nga jeniçerët vinin dhe rrëfime të shumta, si ai për një Kadi që kishte urdhëruar varjen e një pronari dyqani, pas konstatimit për vjedhje me anë të peshores, ngjarje kjo e ndodhur në një qytet të Perandorisë.

Jeniçerët shqiptarë patën rol dhe gjatë zhvillimeve në Misir, në periudhën e fundit të sundimit otoman, në krijimin e shtetit të Egjiptit, duke iu bashkuar Mehmed Ali Pashës.

Ja cili kishte qenë fati një malësor shqiptar, që në të ritë e tij kishte shërbyer si jeniçer në shërbimin e zjarrëfikëses, ashtu siç ishte në atë kohë. Në moshë të thyer, ai kthehet nga Stambolli dhe rrëfen: ….e kishte kthyer, djegur kazanat, ishin vrarë me qindra jeniçerë, dersa Sulltani e kishte shtyrë nën kontroll. Ky malësor kishte shpëtuar kokën, pasi për muaj me rradhë kishte qëndruar i fshehur. Më pas ishte punësuar tek një tregtar grek, tek i cili kishte punuar shumë vite. Nga greku, ai kishte mësuar mbi marrjen e Kostandinopojës, atë mëngjes maji të vitit 1453. Sipas plakut grek, rrethimi kishte vazhduar për 90 ditë, derisa sulltan Mehmet Fatihu urdhëroi sulmin final. Këmbanat binin anembanë qytetit. Luftëtarët osmanë kishin thyer portën kryesore e kishin depërtuar brenda pa asnjë mundim. Kjo, falë disa inisiativave të guximshme dhe të padëgjuara më parë në artin ushtarak, siç ishte kalimi i varkave të mbajtura në krah. Shumë shpejt, mbi kullën kryesore kish nisur të valëvitej flamuri osman; dhe këtu kishte marrë fund gjithçka: Bizanti kishte rënë përfundimisht. Po nga plaku, malësori shqiptar kishte mësuar se ata mbanin gjithnjë zi fshehurazi atë datë kur Kostandinopojara:29maj.  Perandoria Otomane ishte e përhapur ne tre kontinente. Ajo vjen e dyta pas asaj Romake për gjiagandizmin e saj dhe kohëzgjatjen e ekzistencës. Në shumë drejtime, ajo ka qenë një perandori unikale dhe e pangjashme: ishte kozmpolite, bipolare dhe policentriste. Dhe ka qenë fat për Europën që persianët nuk qenë aleatë, nuk iu bashkangjitën osmanëve në synimin për të marrë Europën. Falë disa lëvizjeve të Vatikanit, u mundësua që Europa të shpëtojë pa rënë nën sundimin otoman.

Pas rënies së Perandorise Otomane në kapërcyell të shekullit `20, shumë luftëtarë të saj u kthyen në trojet e tyre, plot dinjitet. Brezi i fundit që shërbeu dhe jetoi në atëv perandori, ishte ai i viteve `50-60, njerëz në moshë të thyer, të cilët rrëfenin sa e sa ngjarje nga  jeta nën atë perandori dhe fati i tyre.Rënia e një perandorie, sigurisht që do gjeneronte efektet e veta në çdo plan jetësor, sidomos në fatet e popujve që kishin bërë pjesë në të. Tashmë, pas shpalljes së pavarur e shtete më vete, nisën pretendimet e secilit në kurriz të njëri-tjetrit. U dalluan veçanërisht pretendimet sllave mbi tokat shqiptare, të ndihmuar dhe nga shumë fuqi të huaja, që haheshin me njëra-tjetrën në truallin e Ballkanit, duke ndërsyer si qen ca elita vendase me prirje të egra nacionaliste, deri në kriminalitet të pastër. Dhe viktimë kryesore, qenë shqiptarët. Ç`prej atëherë e akoma dhe sot, sllavët janë vërsulur në shumë forma ndaj shqiptarëve, por në fillimet e tentativës për krijimin e shteteve nacionale, ata vranë, torturuan, masakruan e burgosën shqiptarë pa mëshirë. Një terror i vërtetë, që vijoi pothuajse 100 vjet e që kulmoi me pranverë-verën e `99 në Kosovë, ku u tentua një spastrim etnik i pangjashëm në brutalitet. Serbët e bullgarët, ishin të parët ata që iu vërsulën tokave dhe popullsisë shqiptare sapo ra Perandoria Otomane. Ata dhe mes vedi kishin kontradita, për shkak të pretendimeve tokësore, por viktimat i shkaktuan ndër shqiptarë. Serbia ishte aleate e paktit ATANTA ku bënin pjesë Franca, Anglia dhe Rusia; ndërsa Bullgaria ishte aleate e fuqive centrale, ku bënin pjesë Austro-Hungaria, Gjermania dhe Turqia. Një plak mbi 100 vjeç, rrëfente atë kohë mbi sulmet serbe me artileri mbi fshatin ku ai jetonte, ku shumë banorë merrnin arratinë nëpër male.

Pas shërbërjes së Perandorisë Otomane dhe asaj Austro-Hungareze, përfundimit të luftrave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, në Versajë afër Parisit u mbajt një Konferencë, e quajtur si e Paqes. Aty u vendos për formimin e shtetit të Jugosllavisë, me bazë monarkinë serbo-kroato-sllovene, ku gjysma e trojeve shqiptare mbeti aty, brenda kufirit administrativ të shtetit të ri. Pas kësaj, nisi një fushatë e egër sprastrimi etnik, rrëmbime tokash nëpërmjet një të ashtquajture Reformë Agrare, dyndje kolonësh sllavë në vendbanime shqiptare, sa arritën deri në fushën e Pollogut. Ç`prej asaj kohe, shumë shqiptarë u zhvendosën masivisht në Turqi, që njihet dhe si periudha më e vështirë për ta. Vitet `20-`30, do mbahen mend si më tragjiket ndër shqiptarët e mbetur në Jugosllavi, pasi u detyruan të braktisin shtëpi, prona e troje, duke zgjedhur të jetojnë në Turqi, si pasojë e dhunës sllave karshi tyre.

……………………………kolera e shumë sëmundje të tjera

Malësorët udhëtonin këmbëzbathur, edhe në kohë me dëborë, duke u endur maleve për një kokër misër. Këta malësorë, kanë përjetuar të njëjtën odise, si në poemën e Migjenit ‘Legjenda e misrit’.

Pas Luftës së Dytë Botërore, me formimin e Jugosllavisë, me ankronimin AVNOJ – tashmë nën një pushtet komunist, që ndryshe u quajt dhe Jugosllavia Titiste – këto treva të malësive në troje me popullsi shqiptare, mbetën të margjinalizuara dhe diskriminuara. Si një e dhënë e dukshme për këtë, ishte diferenca mes këtyre zonave dhe atyre ku banonin popullsi maqedonase, ku infrastruktura, vendet e punës  dhe shërbimet publike, ishin në një nivel shumë të lartë krahasuar me vendbanimet shqiptare. Tek këto të fundit, sa e sa vdekje ndodhnin vetëm nga mungesa e kushteve dhe shërbimeve, sidomos në moshat e vogla, ku mortaliteti që në lindje ishte shumë i lartë. Ndërkohë, shumë shqiptarë detyroheshin të linin vatrat familjare për të emigruar qoftë dhe brenda hapësirës jugosllave, duke bërë punët më të rënda për sigurimin e jetesës. Në fillim të viteve `70, një pjesë e madhe shkuan në perëndim për të punuar, në një valë masive emigratore, që vijon dhe sot të ketë pasojat e veta, me fshatra gjysëm të zbrazura. Por edhe pse në varfëri e mjerim, banorët e fshatrave shqiptare janë njohur për virtyte: krimi kurrë nuk ka qenë prezent në jetët e tyre, si dhe kanë punuar e jetuar me ndershmëri, edhe pse në vështirësi mbijetese.

……………………………………vrasje para shumë vitesh, ku disa të mitur e adoleshentë vranë një plak. Kjo ishte një urtësi në favor të tolerancës dhe një premisë për qytetërim.

Fshatrat e Malësisë së Sharrit, nuk kanë qenë të prekura nga Kanuni – i Lekë Dukagjinit, apo ndonjë tjetër – edhe pse në kufi me veriun e Shqipërisë dhe martesa të përziera. Një goditje tjetër të rëndë nga pikëpamja sociale, këto treva e morrën pas viteve `90, kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë. Plus valës emigratore, ato u përfshin dhe nga probleme të tjera të mprehta sociale, si pasojë e thellimit të braktisjes nga ana e shtetit, edhe pasi Maqedonia u bë e pavarur; pasi, politika diskriminuese e ndjekur në kushtet e Jugosllavisë, vijoi pa u ndaluar dhe në rrethanat e reja që u krijuan pas rënies së sistemit komunist. Ndaj jo më kot, ishin pikërisht këto fshatra që kontribuuan më fort gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, ku shqiptarët reaguan edhe të armatosur për të drejtat e tyre, derisa u mbërrit në Marrëveshjen e njohur të Ohrit. Banorët e tyre, mbështetën luftëtarët me armë, ushqime, strehim, mikëpritje e solidaritet. Por edhe pse me një kontribut kaq të madh, pas përfundimit të konfliktit, këto fshatra u lanë sërish në mëshirën e fatit, me të njëjtën shpërfillje e braktisje, kësaj rradhe – për fat të keq – dhe me një “ndihmesë” të vetë faktorit politik shqiptar, ku një pjesë kishin qenë në llogoren e luftës. Ishte një kthim shpine që nuk i ka hije shqiptarit, veçanërisht kur ndodhet nën diktatin e të huajit aspak dashamirës.

E vetmja perspectivë që mund të rimëkëmbë jetën e atyshme, është zhvillimi i blektorisë dhe turizmit. Resurset natyrore janë të jashtëzakonshme. Por politikat mbështetëse e nxitëse, mjaft të mangëta. Dhe kjo është e kuptueshme, për një shtet që nuk i intereson një popullsi shqiptare e zhvilluar dhe në prosperitet. Gjendja e tyre për momentin është e mjerë. Braktisja nga emigrimi ka bërë të vetën. Lagje të tëra fshatrash janë pothuajse të pabanuara. Shtëpitë ku ende del tym, kanë brenda vetëm pleq më së shumti, ndërkohë që Zoti ka ofruar një natyrë shumë bujare rreth e rrotull, me pasuri e bukuri të jashtëzakonshme.Dhe është fatkeqësi që këto perla të Sharrit, të mbeten të pabanuara dhe pa jetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button