Rama: Më në fund një kontakt serioz për aeroportin e Kukësit

Një ditë pas publikimit të lajmit për dorëzimin e kërkesës zyrtare nga një bashkim kompanish turke për të ndërtuar aeroportin e Vlorës, Kryeministri Edi Rama njofton se më në fund ka një kontakt serioz edhe për Kukësin.

Madje, kreu i ekzekutivit thotë se ka besim që kësaj radhe aeroporti mund të vihet në punë.

Lajm i mirë (si për inat të atyre që vunë kujën pse Vlora jo Kukësi): Më në fund një kontakt serioz për aeroportin e Kukësit. Të shohim. Kam besim”, shkroi Rama në një postim në Facebook.

Në muajin Prill 2016, qeveria arriti marrëveshjen me kompaninë koncesionare që menaxhon Aeroportin e Rinasit, duke i hequr asaj ekskluzivitetin për të gjitha fluturimet, në të gjithë Shqipërinë.

Arritja e kësaj marrëveshje i hapi rrugën përdorimit të Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare, por megjithëse kanë kaluar pothuajse dy vite, asgjë nuk është bërë për funksionimin e aeroportit të Kukësit.

Ndërkohë, në muajin qershor pritet të hapet kantieri për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Televizioni Klan ka mësuar se ofertën e ka bërë konsorciumi i tre kompanive turke: Cengiz Construction; Kalyon Construction dhe Kolin Construction. Sipas propozimit, aeroporti do të ndërtohet në zonën e Akernisë në afërsi të qytetit të Vlorës.

Burime zyrtare treguan për Televizionin Klan se vlera e investimit është 98 milion euro dhe e gjitha do të jepet nga operatori privat e jo nga buxheti i shtetit. Më pas menaxhimin e aeroportit do ta ketë grupi investitor ndërsa qeveria do t’i garantojë rrezikun e fluksit të fluturimeve. Forma e kontratës do të jetë sipas formulës Partneritet Publik – Privat./tvklan.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button