Pse po ikin “bijat” nga “shpija e babës”?

E cila vajzë e re, e dashuruar, “pa miratimin e prindërve” nuk e ka çuar nëpër mend rrëmbimin? Disa e kanë shndërruar edhe në fakt të kryer. Disa kanë vite pa i parë familjet e tyre të cilat i mohuan si bija, ndërsa të tjera janë pajtuar që muajt e parë ose maksimumi me ardhjen e fëmijës së parë, i cili ja ka këputur shpirtin gjyshes dhe ulur hundën gjyshit. Gjysh i cili qe përbetuar se “as nuk do shkelte tek shtëpia e të mohuarës as e mohuara nuk kishte për të shkelë më te ata.”

Për shkak se ndër shqiptarët mikpritja ka qenë gjithmonë një traditë e theksuar, kushdo që të trokiste në derë duhej ta hapje dhe t’i uroje mirëseardhjen. Edhe në rast kur një bandill vinte për të kërkuar dorën e vajzës së shtëpisë, mirëpritej por mund të ndodhte që edhe të refuzohej kërkesa me shumë mirësjellje gjithashtu. Atëherë vihej në skenë akti “rrëmbimit”. Ky akt ka qenë dhe pjesë  e disa ritualeve të dasmave tradicionale shqiptare. Dhëndri së bashku me disa “cuba” rrëmbejnë nusen, e hipin në kal dhe e çojnë tek shtëpia e triumfëtarit.

Kur Steinmetz fliste për traditat e banorëve të Shqipërisë së Veriut, tregonte ndër të tjera dhe për zakonin e rrëmbimit që sipas tij kryhej me pëlqimin e vajzës.

A e dinit se dhe banorët e Uellsit e kanë në traditat e tyre zakonin e rrëmbimit? Dhëndri thur një lugë prej druri dhe ja zgjat nuses e cila rrëmbehet nga familja e saj ndërsa dhëndri së bashku me miqtë e tij duhet ta shpëtojnë.

Por ekziston dhe një version i errët dhe i dhimbshëm i rrëmbimit, atëherë kur bëhet pa vullnetin dhe dëshirën e vajzës dhe si fenomen po merr përmasa shqetësuese në Kirgistan.

Ala kachuu (ала качуу) që do të thotë “kap dhe futja vrapit” është një traditë e vjetër që u venit gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik dhe u ndalua në vitin 1994, por po rikthehet përsëri me shifra absurde. Më përpara ka qenë pjesë e dokeve vendasve sidomos kur vajza nuk e pëlqente atë që kishte ardhur për t’i kërkuar dorën ndërsa familja ngulte këmbë  për shumë arsye dhe interesa që s’kishin lidhje fort me ndjenjat. Aq më tepër nëse vajza dashuronte dikë tjetër, rrëmbimi kryhej pikërisht për t’i treguar botës dhe sidomos “atij tjetrit” se tashmë vajza i përket dikujt.

Në disa raste rrëmbimi bëhet kur një djalë dashurohet me një vajzë dhe pas shumë propozimesh vajza ose familja e saj vazhdon ta refuzojë. Djali e rrëmben e çon tek shtëpia e vetë dhe pastaj ajo është e lirë të qëndrojë ose të largohet. Por nëse largohet askush nuk do ta pranojë sepse është e njollosur me turpin e rrëmbimit. Madje në të shumtën e rasteve as familjet nuk i pranojnë më kështu që detyrohen të pajtohen me fatin e tyre sepse kështu e kërkon tradita.

Një vit më parë Huffingtonpost i ka dedikuar kësaj teme një artikull të fuqishëm duke u bazuar në të dhëna dhe statistika të gjendjes alarmante. Sipas artikullit në fjalë, gjysma e martesave në Kirgistan kanë qenë me rrëmbim (sipas të dhënave për vitet 2004-2013). Ndërsa vitet e fundit ky numër ka rënë në një të tretën e martesave, edhe pse këto të fundit mund të mos merren në konsideratë duke marrë parasysh se mund të ketë rënë numri i rrëfimeve apo zbulimit të rasteve.

Kleinbach ka përgatitur dhe një raport në lidhje me rrëmbimin në Kirgistan ku tregon se ky fenomen para Bashkimit Sovjetik paska qenë shumë i rrallë sepse mund të çonte dhe në hasmëri midis fisesh dhe si pasojë në gjakmarrje. “Rrëmbimi nuk shfaqet askund në Eposin Manas (poemë epike e shekullit të 18-të). Në Islam rrëmbimi është i ndaluar dhe e bën një martesë të pavlefshme sipas sheriatit. “ shprehet ai.

Përveç dëmeve psikologjike dhe sociale, rrëmbimi mendohet të jetë dhe një ndër faktorët kryesorë të vdekshmërisë foshnjore duke zënë vendin e parë në Azi (me një numër prej 50 vdekjesh në 100 mijë lindje), duke qenë se shumica e rrëmbimeve kryhen tek vajzat nën moshën 18 por edhe nëse janë më të mëdha, stresi, trauma apo faktorë të tjerë mund të ndikojnë në një shtatzëni të stresuar.

Le t’i kthehemi tani realitetit tonë dhe të rejave në Gostivar. Sipas një lajmi transmetuar këto ditë, thuhet se vetëm gjatë vitit të kaluar ka pasur 27 raste pjesa më e madhe e tyre kanë qenë vajza 18 vjeçare. Gjatë gjithë videos, qëllimisht ose jo, përsëritet fjala “të mitura” që të jemi të qartë një femër ndërmjet moshës 18 dhe 20 vjeçare nuk mund të konsiderohet e mitur. Ligji i lejon asaj të votojë, të marri lejen e vozitjes dhe të martohet, pra nuk është e mitur.

Më pas thuhet ”Në disa raste kanë rënë viktimë e trafikantëve” thuhet në video, dhe une them “seriozisht?”. Kur e ka parë ndonjëherë historia të biesh në duar të trafikantëve dhe të kesh fatin të rikthehesh tek shtëpia “babës” përsëri. Dhe shprehja më sensacionale është  “..Dhe kohëve të fundit ato kanë nisur t’i përngjajnë serialeve turke të cilat nuk dinë të përfundojnë” si dhe vetë titulli.

Dhe përsëri them”Seriozisht e keni?”. Jo se jam eksperte e serialeve (në fakt kur ke një gjyshe si e imja që nuk i lexon dot titrat dhe duhet t’ja përkthesh për mos me ja prish qefin, se e shkreta e ka pas merak si do vejë puna mes Halilit dhe Menekshesë, nëse Shehrazadja, një nënë-beqare që e gjora ka vuajtur gjithë jetën do të bashkohet apo jo me dashurinë e sajë, apo a do të arrijë flokuqja nga Rumelia ta bëjë për vete Sulltanin e madhërishëm… e të tjera si këto të bëjnë disi eksperte e fushës sidomos kur qëllon të studiosh për Gazetari dhe si tezë kë për të shpjeguar çështjet Gjinore në mediat shqiptare).

Mirëpo kjo teza juaj nuk qëndron, për të vetmen arsye sepse mosha e “viktimave” në fjalë nuk përkon me moshën e audiencës së këtyre serialeve. Sipas një studimi të kryer nga Enriketa SÖĞÜTLÜ dhe Erol SÖĞÜTLÜ mbi çështjen e arsyes përse telenovelat Turke ndiqen nga shqiptarët, tregohet se ndiqen më së shumti për arsye si: të mësuarit të gjuhës, afërsia kulturore dhe mbi të gjitha vlerat morale që përcjellin krahasuar me serialet e tjera të huaja perëndimore e sidomos ato të Amerikës Latine (ku kërciste rrëmbimi një seri po e një seri jo). Pra dhe aq “degjeneruese” nuk na qenkan, përkundrazi prej tyre mund të mësohet prej kulturës, gjeografisë dhe historisë turke si dhe osmane.

Pra, për mendimin tim, hiqni dorë nga këto teza të pabaza dhe nga titujt sensacional klikim-thithëse, para se të lëndoni dhe ofendoni një komunitet të tërë siç është komuniteti turk gostivaras por edhe shqiptarë duke përfshirë këtu burra dhe gra.

Unë nuk mund t’ju them me saktësi se cilat mund të jenë arsyet e vërteta, ndoshta janë edhe ato që sugjerohen në video, por di të them që nuk është faji i telenovela. Në radhë të parë vihuni në pozitat e një 18 vjeçare të cilat Zoti i ka dhënë të gjitha të drejtat e botës (për të marrë vendime për veten) dhe të cilave u mohet kjo e drejtë nga prindërit dhe mentaliteti shtypës duke i frustruar në atë shkallë sa të marrin vendimin drastik për të ikur nga “shpija e babës”. Edukatorët, arsimtarët, mësuesit, hoxhallarët, psikologët dhe punonjësit social duhet të tregojnë vëmendje ndaj kësaj kategorie të ndjeshme para se të vij puna që të përballemi më një gjeneratë traumatike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button