Basha në Elbasan: Unë nuk dua të jem një kryeministër i ardhur nga protesta

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha në Elbasan se pasoja më tronditëse e “aleancës së Edi Ramës me krimin”, është emigrimi i më shumë së 100 mijë të rinjve gjatë qeverisjes së tij. Basha u shpreh se duke patur prioritet pasurimin e krimit dhe disa klientëve, që i përdor për të mbajtur pushtetin, Edi Rama ka vrarë shpresën e rinisë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

“Në vetëm 4 vite janë dyfish prindër që kanë parë gëzimin e jetës së tyre t’u largohet, jo nga qejfi, jo dëshira, jo sepse kështu zgjedhin, por sepse këtu nuk kanë asnjë mundësi. Papunësia është ulur këmbëkryq. 50 biznese në ditë mbyllen, u mbyllën vitin e kaluar dhe vazhdon kjo mbyllje. Por po kështu në shërbimet shëndetësore të cilat janë në kolaps total, në arsim e kudo tjetër”, tha Basha.

Kreu i opozitës iu referua kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini si modeli i Aleancës së Edi Ramës me krimin, i cili ka fundosur shtetin ligjor në favor të bandave që sulmojnë policinë, siç ishte rasti i pak kohëve më parë në Elbasan.

Lulzim Basha tha se aksioni opozitar që nis më 27 janar me protestën nuk bëhet për interes të ngushtë politik, por për t’i dhënë vendit një qeveri të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, që punon dhe jep llogari para qytetarëve.

“Ajo që kërkojmë me 27 janar, nuk është për veten tonë, jo, nuk është për të bërë Lulzim Bashën kryeministër. Unë nuk dua të jem një kryeministër i ardhur nga protesta. Unë dua të jem një kryeministër i ardhur nga vota e qytetarëve shqiptarë, bazuar në programin tonë, në zgjidhjet tonë, në vizionin tonë, në vlerat tona”, tha Basha.

I bindur se në 27 janar shqiptarët do të flasin me praninë e tyre kundër Aleancës me krimin, Basha tha se mesazhi i qytetarëve për Edi Ramën do të jetë i qartë.

“Ora e aleancës tënde me krimin ka marrë fund! Ora e pushtetit tënd të paligjshëm ka marrë fund! Mësoje nga Elbasani, me 27 janar do ta mësosh nga Tirana”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP