Stoltenberg me porosi të qartë: S’ka NATO për Maqedoninë pa ndërrimin e emrit (FOTO+VIDEO)

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mbaruar vizitën zyrtare dyditore në Maqedoni, me takimin e fundit që e pati me kryeministrin Zoran Zaev, njofton Portalb.mk.

Porosia e Stoltenbergut për Maqedoninë ishte e qartë dhe precizë – Nuk ka anëtarësim në NATO pa zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë.

Ngelet që Maqedonia të vazhdojë në procesin e intensifikimit të bisedimeve për çështjen e emrit. Dje në Nju Jork është mbajtur rund i ri i bisedimeve. Sipas mediave greke, ndërmjetësuesi për emrin, Methju Nimic ka dhënë 5 propozime, ndërkaq nga Qeveria kanë dalë me deklaratë se po e analizojnë kornizën për zgjidhjen e çështjes së emrit të dhënë nga Nimic.

16:00 – Konferencë për shtyp Zaev – Stoltenberg

Jens Stoltenberg - Zoran Zaev
Jens Stoltenberg – Zoran Zaev

Deklarata e sekretarit të përgjithsëm të NATO-s, Stoltenberg

Është e sigurt se mënyra e vetme që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s, patjetër që ta ndërrojë emrin kushtetues Republika e Maqedonisë. Këtë e deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, njofton Portalb.mk.

“Vetëm ashtu mundet që Maqedonia të merr ftesë për anëtarësim në Aleancë. Mënyra e vetme është që ta zgjidhni problemin me Greqinë për emrin tuaj kushtetues. Këtë qartë e kemi thënë në vitin 2008, kur kam marrë pjesë në Samitin e Bukureshtit si kryeministër, këtë e themi gjithmonë, por edhe tani. NATO është e gatshme që të dërgojë ftesë, menjëherë pasi që të gjeni emër i cili është i pranueshëm nga të dyja palët me Greqinë. Nuk ka plan B për këtë punë”, tha Stoltenberg.

Ai shtoi se është e rëndësishme që të jeni ambicioz, dhe ajo e “inkurajon”, por patjetër duhet të shihen realisht gjërat.

“Ju patjetër të shihni se NAT) dhe Aleanca vendimet i merr me konsensus. Nëse besoni se mund të bëheni anëtare në NATO pa e zgjidhur problemin për emrin me Greqinë atëherë ju ushqeni shpresa të rrejshme”, tha Stoltenberg.

Deklarata e kryeministrit të Maqedonisë Zaev

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi se, Qeveria po punon aktivisht në tejkalimin e problemit me Greqinë, që sa më shpejtë vendi të anëtarësohet në NATO dhe BE, njofton Portalb.mk.

“Shprehin kënaqësin për freskimin e interesit të NATO-s për Ballkanin. Pa rezerva, këtë vizitë të vendit tonë e vlerësoj si kyçe, se vitit 2018, do të jetë vit historik, për rajonin dhe NATO-n dhe BE-në. Është koha që ta mbarojmë procesin e integrimeve, të gjitha vendet e Ballkanit. Ne jemi të përgatitur që  ta realizojmë atë qëllim. Aktivisht po punojmë në tejkalimin e problemit që Greqia e ka me emrin kushtetues të Maqedonisë. Gjatë takimeve me sekretarin e përgjithshëm Stoltenberg e theksova mbështetjen për arritjen e standardeve dhe kritereve për anëtarësim në NATO. Të njëjtat u bënë udhërrëfyes, që janë edhe një pjesë e madhe e proceseve reformuese, siç janë, impelementimi i reformave për sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe reformave ekonomike. Ato janë themelet për paqe dhe stabilitet në vend, vlerë që Maqedonia e ka vendosur si imperativ që të jetë faktor për siguri afatgjate në rajonin tonë. Maqedonia me ndihmën e partnerëve strategjik – anëtare të NATO-s, krijoi kushte që anëtarësimi në Aleancë të mos vihet në pikëpyetje, megjithatë, në vitin 2008 ngeli përpara dyerve të NATO-s për shkak të problemit që e ka Greqia me emrin tonë kushtetues, edhe pse të gjithë janë pajtuar se ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret. Megjithatë, Maqedonia, qytetarët e saj, bashkë me komunitetet demokratike politike, e tejkaluan krizën dhe e kanë rikthyer shpresën”, tha Zaev .

Ai më tej shtoi se qytetarët e Maqedonisë duan që vendi të anëtarësohet në NATO, ndërkaq Qeveria po punon që të krijojë konsensus me të gjithë faktorët politik në vend.

“Qytetarët janë të ndarë për demokraci të fuqishme, për respektim të të drejtave të njeriut, për punësime, ekonomi etj. Shumica e qytetarëve të Maqedonisë duan anëtarësim në BE dhe NATO. Në emër të qytetarëve të vendit tonë e sigurova Stoltenbergun që Maqedonia gjithmonë do të jep kontribut pozitiv për të gjitha iniciativat që të sjellin bashkëpunim më të mirë dhe më të gjerë në rajon. Qeveria krijon kushte për krijimin e konsensusit nacional me të gjithë subjektet politike kyçe, me presidentin e shtetit dhe opozitën, për mbarimin e integrimit tonë në NATO”, tha Zaev.

15:15 – Takimi Zaev – Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është pritur me nderime ushtarake dhe shtetërore, nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev. Me këtë rast, ata do të kenë takim, ndërkaq më pas do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp, njofton Portalb.mk.

 

13:15 – Takimi Ahmeti – Stoltenberg

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, sot ka pasur takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me rastin e vizitës së tij dyditore në Maqedoni, njofton Portalb.mk.

Ahmeti tha se takimi ka qenë përmbajtjesor dhe i rëndësishëm, ndërkaq Stoltenberg i ka përcjellë porositë e Aleancës lidhur me situatat në rajon.

“Ne ngritëm çështje shumë përmbajtjesore sa i takon vullnetit tonë si parti politike, por edhe si qytetarë të Maqedonisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Si një proces shumë i rëndësishëm për përforcimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë të vendit tonë dhe rajonit, me këtë rast e falënderova sekretarin e përgjithshme për kontributin e dhënë gjatë këtyre 16 viteve, në drejtim të reformave në vend, në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. Ndaj NATO-s jemi falënderues dhe mirënjohës, pasi që ata kanë rol historik në ruajtjen e bashkësisë, por edhe të shpëtimin e vendit nga një tragjedi e mundshme para 17 viteve. NATO ka gatishmëri dhe vullnet që ta respektojë vullnetin e shumicës së qytetarëve të Maqedonisë, ashtu siç u shpreh përpara ligjvënësve, u shpreh edhe në takimin që patëm që shtiza pranë NATO-s pret edhe për vendet që shprehin vullnetin të jenë pjesë e Aleancës”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se porosia e Stoltenbergut ishte që Maqedonia duhet të gjegjë zgjidhje për emrin dhe të punojë për zbatimin e reformave, nëse dëshiron që të anëtarësohet në NATO.

“Vendi duhet të gjejë zgjidhje për emrin nëse duam të anëtarësohemi në NATO. Aleanca inkurajon, por nuk ndërhyn në përzgjedhje, apo përcaktim të ndonjë zgjidhje mes palëve. Gjithashtu NATO pret që guximshëm të veprojmë në drejtim të reformave, jo vetëm që janë të domosdoshme reformat që të bëhen për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por është edhe domosdoshmëri dhe kërkesë e vazhdueshme edhe e vetë qytetarëve, por edhe të programeve tona për luftë të pa-kompromisë të korrupsionit, krimit të organizuar. Nuk mundesh të jesh vend i anëtarësuar në NATO, duke pasur probleme të tilla të cilat shkaktojnë pakënaqësi te qytetarët që ne i përfaqësojmë”, theksoi Ahmeti.

12:50 Takimi Mickoski – Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është takuar me përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së dhe kryetarin e saj, Hristijan Mickoski.

Takimin me sekretarin me Stoltenberg, Gjorçev e cilësoi si takim ku lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski bashkë me Stoltenbergun “janë pajtuar që të ketë stabilitet politik në Maqedoni”.

12:10 – Fjalimi i Stoltenbergut në Kuvend

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në fjalimin e tij në Kuvendin e Maqedonisë dërgoi porosi se NATO, do ta ndihmojë Maqedoninë, por para saj, Maqedonia duhet ta zgjidh çështjen e emrit, njofton Portalb.mk.

“Ka ende vende të lira përpara selisë së NATO-s për flamuj. Vitin e kaluar, Mali i Zi u bë anëtarja e 29-të dhe ata tani janë anëtare të barabarta të Aleancës. Ne duam që të jeni pjesë e familjes tonë, por ka ende punë. Këtu para se gjithash, mendoj që zgjidhja juaj me emrin kushtetues. Kjo është një çështje që rëndon këtë vend dhe rajonin tanimë një kohë të gjatë. Prej këtu përshëndes vullnetin e kësaj qeveria për përkushtimin për zgjidhjen e kësaj çështje. Dje në Nju Jork u bë edhe një hap i madh, jam i inkurajuar për hapat e ndërmarr dhe ju inkurajoj që të shkoni para. Megjithatë anëtarësimi në NATO është më shumë se zgjidhja e çështjes së emrit. Vendet aspirantë për anëtarësim në NATO, kërkon edhe përmbushjen e reformave. Ju përgëzoj për përpjekjet, posaçërisht planin 369. Miratimi i ligjit për gjuhët javën e kaluar ishte një hap i rëndësishëm”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg falënderoi Maqedoninë për pjesëmarrjen në misionet paqësore të NATO-s, ndërkaq nuk harroi që t’i përmend edhe ndodhitë e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë.

“Më shumë se 15 vite, gratë dhe burrat e armatës suaj kanë qenë në misionet e NATO-s për stabilitet dhe paqe në Afganistan duke u ndihmuar njerëzve atje, ju falënderoj për gjithçka që vendi juaj ka bërë për sigurinë ndërkombëtare. NATO në vitet 2001-2002 ka dhënë kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e këtij viti, ende kemi rol këtu, sot jam takuar me zyrën e NATO-s në Shkup dhe i përgëzova për punën që kanë bërë dhe që po bëjnë. Këtu jam këtu për të folur për të ardhmen, jam këtu për ardhmërinë që e ndërtoni, jemi të kyçur në Ballkanin Perëndimor në dy dekadat e fundit, pasi që duam që ky rajon të bëhet i sigurt, me prosperitet dhe i lirë. Të gjithë miqtë në NATO ju përkrahin në përpjekjet e tuaja. Askush prej nesh nuk e marrin suksesin menjëherë. Ngjarjet në këtë ndërtesë, në këtë sallë më kanë shokuar, por kanë qenë të shokuar edhe të gjithë anëtarët e NATO-s, por e pranoj avancimin prej atij momenti e këndej. Keni hapur kulturë të përgjithshëm politike, optimizën”, tha Stoltenberg.

11:45 -Takimi Stoltenberg – Xhaferi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot realizoi takim me Jens Stoltenberg, Sekretar gjeneral i NATO-s, i cili qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.

Në takim ishin të pranishëm Tomisllav Tuntev, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Ejup Alimi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së, Frosina Tashevska Remenski, kryetare e Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë dhe Cvetanka Ivanova, Sekretar gjeneral në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

“Kryetari i Kuvendit, Xhaferi, në fillim të takimit shprehu falënderim për përkrahjen e dhënë nga Sekretari gjeneral i NATO-s, Stoltenberg, për zgjedhjen e Qeverisë së re dhe shumicës së re parlamentare, si edhe në raport me proceset reformuese në shoqëri dhe në planin e integrimit të përshpejtuar të shtetit në NATO. Ai shprehu bindje se vetëm me dialog konstruktiv me fqinjët, në raport me çështjet kontestuese dhe me angazhim aktiv të institucioneve dhe të gjitha subjekteve politike në përmbushjen e Planit 3-6-9, do të finalizohet “puna e papërfunduar”, e Samitit të Bukureshtit të NATO-s në vitin 2008. Në të njëjtën kohë, kryetari Xhaferi e njoftoi Stoltenberg me agjendën e Kuvendit në planin e përmirësimit të rregullativës ligjore në sektorin e sigurimit, me ç’rast do të sigurohet mbikëqyrje parlamentare cilësore dhe demokratike”, thuhet në kumtesën e Kuvendit.

Stoltenberg, e potencoi përkrahjen e mëtutjeshme të NATO-s në përmbushjen e agjendës ambicioze reformuese të Qeverisë së re, veçanërisht në planin e sundimit të të drejtës, përforcimit të shoqërisë multietnike dhe parimeve të Marrëveshjes së Ohrit, si edhe mbajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Hap pozitiv në këtë drejtim është ratifikimi i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë, me të cilën hapet një kapitull i ri dhe cilësor në kontekstin rajonal. NATO-ja me vëmendje të madhe e përcjell progresin në funksionimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, veçanërisht pas ngjarjeve të pakëndshme të 27 prillit të vitit të kaluar, për arsye se beson se Kuvendi është platforma për punën e përbashkët të pushtetit dhe opozitës, nëpërmjet dialogut real politik, të punojnë në mënyrë konstruktive për të mirën e të gjithë qytetarëve. NATO-ja veçanërisht e vlerëson kontributin real të Republikës së Maqedonisë në misionet paqësore të NATO-s, ku Republika e Maqedonisë çmohet si partner shumë cilësor dhe i respektuar. Stoltenberg nënvizoi se NATO-ja edhe më tutje e inkurajon Republikën e Maqedonisë që të vazhdojë guximshëm në tejkalimin e pengesës themelore e cila është parakusht për anëtarësimin e plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë në Aleancën e NATO-s. Përkrahja e dhënë në Samitin e NATO-s në Bukuresht, dhe e përsëritur në dy samitet në vijim, akoma mbetet dhe është në drejtim të anëtarësimit më të shpejtë të Republikës së Maqedonisë si shtet anëtar i 30-të në NATO”, thuhet në kumtesë.


10:30 – Takimi Shekerinska – Stoltenberg

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska ka realizuar takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Stoltenberg ka vlerësuar kontributin e Shekerinskës në misionin e paqes dhe të njëjtin e ka cilësuar si argument që Maqedonia është kandidate serioze për anëtarësim në NATO, raporton Portalb.mk.

“E vlerësoj kontributin tuaj në misionin e paqes. Pjesëmarrja juaj është një bonus i cili paraqet argument se ju jeni kandidat serioz për anëtarësim në NATO. Edhe rritja e buxhetit të Mbrojtjes është një hap që kontribuon në vlerësimin e NATO-s se jeni të përzgjedhur për t’u bërë anëtare e Aleancës”, tha Stoltenberg.

Ndërsa ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska vlerësoi se për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO ka edhe konsensus politik.

“Bërja e Maqedonisë anëtare të 30-të të NATO-s është e një rëndësie të madhe, jo vetëm për Maqedoninë por edhe për stabilitetin në përgjithësi të Ballkanit. Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është qëllim i cili i afron të gjithë qytetarët dhe rreth së cilës ka konsensus politik. Kemi nevojë për përkrahje dhe vullnet që të dërgojmë porosinë se ai qëllim është i realizueshëm”, tha Shekerinska.

Stoltenberg - Shekerinska
Stoltenberg – Shekerinska

09:45 – Takimi Ivanov – Stoltenberg

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov  sot e ka pranuar sekretarin gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg, njofton  Portalb.mk.

Në takim është diskutuar për integrimet euroatlantike të Maqedonisë, për reformat në Mbrojtje dhe Siguri në pajtueshmëri me standardet e NATO-s, por edhe për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimin me Aleancën Veriatlantike.

Presidenti Ivanov dhe sekretari gjeneral Stoltenberg, kanë vlerësuar se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me Maqedonisë dhe Aleancës janë në nivel të lartë dhe e kanë theksuar kontributin e Armatës së Maqedonisë në korniza të misioneve paqësore ndërkombëtare.

“Republika e Maqedonisë me paqësorët e saj, vazhdimisht i ndan vlerat dhe obligimet e Aleancës, prej atje, është e patjetërsueshme që sa më shpejtë t’i ndajmë edhe përfitimet që i sjell anëtarësimi”, tha Ivanov, duke shtuar që Maqedonia do të vazhdojë edhe më tej që aktivisht të kontribuojë në sigurinë e paqes globale dhe sigurisë, nëpërmjet pjesëmarrjes dhe mbështetjes në misionet e udhëhequra në NATO.

Претседателот Иванов, денеска го прими генералниот секретар на НАТО г. Јенс Столтенберг. На средбата се разговараше за…

Gepostet von Ѓорге Иванов, поранешен Претседател на Република Македонија am Donnerstag, 18. Januar 2018

09:00 – Takimi Dimitrov – Stoltenberg

Ministri i Punë të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, sot ka realizuar takim me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në korniza të vizitës së tij të parë në Maqedoni, njofton Portalb.mk.

Ministri DImitrov theksoi se takim i Stoltenbergut ka rëndësi thelbësore për Maqedoninë dhe paraqet inkurajim të fuqishëm për pritjet e Maqedonisë se viti 2018 do të jetë historik për vendin, por edhe për rajonin. Dimitrov ka shprehur falënderim për mbështetjen e vazhdueshme për integrimet euroatlantike të Maqedonisë dhe pritje për përfundim pozitiv të Samitit të NATO-s në korrik të këtij viti.

“Dimitrov ka informuar për angazhimin proaktiv diplomatik të Maqedonisë për realizimin e prioriteteve të politikës së jashtme – marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe datë për fillimin e bisedimeve me BE-në. Ai gjithashtu e ka konfirmuar vendosmërinë dhe vullnetin politik të Qeverisë për realizimin në kohë dhe në mënyrë efikase të proceseve reformuese dhe avancimin e marrëdhënieve fqinjësore të mira, por edhe bashkëpunimin rajonal”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Sipas njoftimit, Dimitrov ka thënë që “anëtarësimi në NATO për Republikën e Maqedonisë, nënkupton stabilitet për vendin, por edhe për rajonin”.

Stoltenberg e ka konfirmuar politikën e dyerve të hapura të NATO-së, dhe ka dërguar përshtypje pozitive nga zhvillimi demokratik i vendit duke shprehur mbështetje për proceset demokratike të Qeverisë.

“Njëkohësisht, Stoltenberg shprehu edhe inkurajim që të shfrytëzohet momenti pozitiv i vendit me qëllim të realizimit të aspiratës së saj euroatlantike”, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Stoltenberg - Dimitrov
Stoltenberg – Dimitrov

__________________________________________________________________________

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili mbrëmë mbërriti për vizitë zyrtare në Shkup, sot do të realizojë takime me kreun shtetëror të Maqedonisë, si edhe me liderët e një pjese të partive të përfaqësuara në Kuvend.

Ai, siç pritet do të japë vërtetim për punën e realizuar deri më tani nga Qeveria e re në procesin reformues në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, por do të japë edhe udhëzime sipas të cilave vendi duhet të lëvizë në rrugën drejt NATO-s.

Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s aktivitetet në kuadër të vizitës zyrtare do t’i fillojë sot me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Pas takimit pason edhe takimi plenar midis delegacioneve të MPJ-së dhe NATO-s.

Në takim, siç informuan nga MPJ-ja, Stoltenbergut do t’i prezantohen arritjet në politikën e jashtme në periudhën e kaluar, me theks se anëtarësimi në NATO dhe BE, marrëdhëniet e mira fqinje dhe bashkëpunimi rajonal janë tre prioritetet strategjike të politikës së jashtme të vendit.

Stoltenberg takimin e radhës do ta ketë me presidentin Gjorge Ivanov, ndërsa pas tij do të shkojë në Ministrinë e Mbrojtjes, në takim me ministren Radmilla Shekerinska.

Nga MM theksuan se para sekretarit të përgjithshëm do të prezantohen aktivitetet të cilat deri më tani janë realizuar në këtë sferë, rritja e buxhetit në Mbrojtje për 820 milionë denarë, nga 0,9 vitin e kaluar në 1,1 këtë vit, vendimi i Qeverisë për rritje të pandërprerë të buxhetit për mbrojtje, duke filluar nga viti i ardhshëm për 0,2 për qind e deri në vitin 2024 me qëllim që të vihet deri te niveli i dëshiruar prej dy për qind nga BPV-ja, që është në pajtueshmëri me vendimet nga samiti i NATO-s në Uells.

Ai do të informohet edhe për rritjen e personelit në pjesëmarrjen e Maqedonisë në misionin e NATO-s “Mbështetje vendimtare” për 20 për qind, si dhe për aktivitetet për përpunimin e dokumenteve strategjike në sferën e mbrojtjes, gjegjësisht Kontrollin strategjik mbrojtës dhe Strategjinë për mbrojtje, të cilat nuk janë miratuar nga viti 2010, ndërsa pritet që të përfundojnë gjatë verës.

Njeriu i parë i Aleancës do ta vizitojë Zyrën për lidhje të NATO-s, ndërsa pastaj është paraparë që të ketë takim me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, me ç’rast do të ketë fjalim para deputetëve.

Nga Qeveria thonë se Stoltenberg do të dërgojë mesazh deri te opozita, e cila paralajmëroi se do të kthehet në Kuvend që ta ndjekë fjalimin e tij, të përfshihet në punën e dhomës ligjdhënëse dhe në bashkëpunimin në procesin e zbatimit të reformave në vend.

Pasi do t’u drejtohet deputetëve, është paraparë që njeriu i parë i NATO-s të ketë takim me liderin e VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski, ndërsa pastaj është paraparë takim edhe me liderin e BDI-së Ali Ahmeti.

Aktivitetet zyrtare sekretari i përgjithshëm i NATO-s do t’i përfundojë me takimin me kryeministrin Zoran Zaev. Ai në Qeveri do të pritet me nderimet më të larta, ndërsa pas takimit është paraparë konferencë përfundimtare për shtyp.

Në pjesën e vizitës së delegacionit të NATO-s në Qeveri, programi parasheh edhe bisedime plenare midis delegacionit qeveritar dhe delegacionit të Aleancës.

Në pyetjen nëse Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim në samitin e NATO-s në Bruksel edhe pa zgjidhje për emrin, nën referencën e përkohshme IRJM, Stoltenberg është decid se pozicioni i Aleancës mbetet i pandryshuar.

“Jo. Pozicioni i NATO-s mbetet i pandryshuar. Të gjitha vendimet në NATO sillen në bazë të konsensusit mes të gjithë aleatëve të NATO-s. Në samitin në Bukuresht dhe në samitet e tjera të njëpasnjëshme, ata u dakorduan se NATO-ja do ta ftojë vendin tuaj të inkuadrohet, pasi që të arrihet zgjidhje e ndërsjellë e pranueshme për çështjen e emrit në suaza të KB-së”, theksoi Stoltenberg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button