Presidentja kroate: BeH fqinji ynë më i rëndësishëm

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Dragan Çoviç, pas takimit me Presidenten e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç, e cila arriti të mërkurën në mëngjes për një vizitë zyrtare tre-ditore në BeH tha se ura e Peleshacit është interes strategjik i BeH-së, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unë dua të mbroj deri në fund interesat e BeH-së dhe këtë do ta bëjmë. Disa herë kam përsëritur se Ura e Peleshacit është një interes strategjik i BeH-së”, tha Çoviç.

Ai shprehu se ka patur nder që sot me presidenten kroate të flasin për numrin e madh të çështjeve që mund të përmirësojë marrëdhëniet midis BeH-së dhe kroatëve, por edhe lidhur me BeH-në.

“Gëzohem që sot kemi patur biseda të hapura dhe ishim në gjendje që t’i prekim të gjitha çështjet e pazgjidhura. Mendoj se asnjëra prej tyre nuk është aq e vështirë sa të mos mund t’a zgjidhim në një bisedë të qetë”, tha Çoviç.

Sipas tij, është krijuar një klimë e keqe por nuk ka absolutisht vend për të.

“BeH mund të mbijetojë vetëm si një bashkësi mes tre popujve konstituiv dhe të gjithë qytetarëve të tjerë që jetojnë në të. Unë besoj se para nesh është një imperativ që në dy ose tre muajt e ardhshëm të sjellim ndryshime në legjislacionin zgjedhor në kuadër të Kryesisë së BeH-së, Federatës së BeH-së, Asamblesë Kombëtare dhe qytetin e Mostarit”, tha kryesuesi i Presidencës së BeH-së.

Grabar-Kitaroviç nga ana saj tha se Kroacia nuk mendon të ndërhyjë në çështjet e brendshme të BeH-së.

“Kam kënaqësinë këtu t’ju mbështesim si një mik i BeH-së, si presidente e Kroacisë e cila u dëshiron vetëm të mirat në zhvillimin e brendshëm dhe përparimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aktivizimin e MAP-it. Ne u pajtuam që do të intensifikojmë komunikimin tonë”, tha presidentja kroate.

“Kroacia ka investuar rreth një miliard euro në ekonominë e BeH-së, ku BeH është në vendin e dytë dhe shkëmbimi ynë tregtar vitin e kaluar arriti në 1.6 miliard euro. Pothuajse gjysmë milioni njerëz nga BeH kanë vizituar Kroacinë si turistë. Ne shpresojmë se ky trend do të vazhdojë”, tha Kitaroviç.

Ajo tha se Kroacia gjeografikisht përqafon BeH-në, por se dëshiron që kjo të jetë edhe në çdo kuptim tjetër, dhe se vendi i saj nuk ka fqinj më të rëndësishëm se BeH-ja.

“Si presidente e Kroacisë dua të them se detyra ime e parë është të mbroj interesat e shtetit të Kroacisë dhe interesat e popullit kroat, por gjithashtu kam për detyrë të ndërtojë paqe dhe miqësi me të gjitha vendet, sidomos me fqinjët e saj, por nuk ka vend me të cilin më së shumti duhet të ndërtojmë marrëdhënie të tilla si me BeH-në. Kroacia si shtet nënshkrues dhe garantues i zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit, e ka si obligim të posaçëm të monitorojë proceset në BeH dhe në mënyrë miqësore të paraqesë sfidat me të cilat ballafaqohet”, tha Grabar-Kitaroviç.

Sipas saj, kjo nuk mund të interpretohet si ndërhyrje në punët e brendshme të fqiut tonë dhe vendit mik.

Si pengesë në marrëdhëniet midis BeH-së dhe Kroacisë kohët e fundit gjithnjë e më shpesh përmendet ndërtimi i urës së Peleshacit, por presidentja kroate theksoi se çështja e ndërtimit të urës në mënyrë të panevojshme është zhvilluar në çështje të hapur dypalëshe.

Grabar-Kitaroviç në periudhën e fundit shumë është kritikuar për deklaratat e saj se në BeH ka një numër të madh të njerëzve të radikalizuar, të kthyer nga fronti sirian, të cilën ajo ia atribuoi asaj se shpesh janë atribuar deklarata që nuk i ka dhënë.

“Prandaj, siguria ndërkombëtare, ekstremizmi, terrorizmi ndërkombëtar i sotëm është një çështje për të gjitha vendet tona me të cilën asnjë prej vendeve tona nuk mund të përballet në mënyrë të izoluar, por ne duhet të bashkëpunojmë dhe të shkëmbejmë informacione dhe të punojmë për të parandaluar çfarëdo sulmi ndaj qytetarëve tanë, resurseve dhe të ngjashme. Këto keqkuptime janë zgjidhur në mes të shërbimeve tona të sigurisë”, ka përfunduar Grabar-Kitaroviç.

Ajo gjithashtu do të vizitojë edhe Asamblenë Parlamentare të BeH-së dhe do të mbajë një takim me anëtarët e Kolegjiumit të të dy Dhomave të Asamblesë Parlamentare të BeH-së si dhe me kryetarin e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Denis Zvizdiç.

Gjatë ditës, ajo do të ketë një takim edhe me kardinalin Vinko Puljiç, kryepeshkopin e BeH-së dhe përfaqësuesin e Lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare në BeH, Valentin Inzko.

Ditën e dytë të vizitës, të enjten, do t’i përkushtohet turneut në Bosnjën qendrore ndërsa të premten Kolinda Grabar-Kitaroviç vazhdon vizitën zyrtare në Tuzëll.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button