JAM AI QË NUK JAM

Sa e thjeshtë dhe sa thellë është thënia: “Jam ai që nuk jam”. E shkruar si për poetët dhe e ngjashme me thënien e Sjoranit: “Poetët janë pa biografi”. Se poetët duhet kërkuar gjetkë, përtej, matanë, në shoqëri me hijet, fantazmat, aty ku ka klithje si te piktura e Munkut. Poeti, siç thotë apologjeti i gjendjes së pashpresë, jeton përmes vdekjes, është Helderlin i arratisur në Greqinë iluzore, një formësues i dashurisë nëpërmjet dehjes dhe irrealitetit, një qenie që jeton me ekstazat e tij të pashërueshme.

Mbase, për këtë shkak Ernesto Sabato, pasi e kishte sheshuar mirë, refuzoi ta shkruante autobiografinë. Mbase për këtë shkak Zhak Preveri, pasi e ndjeu se nuk mund ta rrëfente jetën e tij, shkroi fjalinë: “Nuk e rrëfej jetën time”. Mbase për këtë shkak Dritëroi tha se poeti duhej kërkuar në rafte librash, te një fjalë e te një shkronjë…
Poeti luan me hijet, me fantazmat, në një botë disi eterike. Atje është si fëmija që lojën e merr me seriozitet hyjnor dhe beson se një kukull druri mund të bëhet fëmijë prej mishi e prej gjaku. Sapo del në botën tjetër, në botën ku vetëdija racionale nuk pranon asnjë çudi të mitit, poeti bëhet qenie e zakonshme, shumë e zakonshme, idiotësish e zakonshme dhe ngjan me shpendin e bukur, princin e reve, me albatrosin, tallur prej marinarëve të një anije që lundron nëpër detin e kotësisë e të trivialitetit.

Poeti është “ai që nuk është” dhe bota e tij është qielli, qielli i kaltër, që shpesh ndotet nga retë kalimtare; i përhershmi qiell, atje, lart, vetëm lart, ku shtegtojnë pamjet e kohëve. Në të tilla përmasa poeti nuk ka asgjë të përbashkët me atë që ndodh poshtë, në botën e rrëshqanorëve, në botën ku njerëzit janë strukur brenda guacës së mosdijes, në botën e pandryshueshme, triviale, skajshmërisht frymëzënëse, që nuk i duron çudirat dhe magjirat, sepse këtë nuk ja lejon vetëdija racionale dhe prirja utilitare.

Në botën e poshtme ka shumë lajme, pafundësisht lajme, që duket se thonë diçka, por vetëm përsëritin të thënat në lajmet paraprake, në lajmet që i zverdh dita e nesërme, siç zverdhet një fotografi e lënë shumë kohë në diell. E njëjta e djeshme, e njëjta e sotme, të përhershme, të pandryshueshme, pa sens për detajet, pa sens për madhështinë e veçantisë, e djeshmja dhe e sotmja e botës pa hyrje dhe pa dalje, ku duket se ka shumëçka dhe nuk ka asgjë, asgjë nga bota tjetër që lindi qenie të padukshme, të cilat rrojnë përgjithmonë në botën e mitit – poezisë së parë të njerëzimit në moshën e tij fëmijërore, atëherë kur njeriu filloi ta ndjente ngulfatjen nga bota e këndejshme. Dhe njeriu ka nevojë që ta rrëfejë botën e tij me hije, me shajni, me fantazma, ka një yshtje për të kërkuar një formë tjetër ekzistence edhe nëse të gjithë do ta pandehin për të krisur e do ta përqeshin. Është kjo krisje që botës i dha perlat më të bukura, perlat që nuk duhet hedhur derrave, sepse mund t’u rrëshqasin këmbët dhe të të shqyejnë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button