“Monstri” i medias

Një ditë pas rangimit të Maqedonisë në vendin e fundit në rajon për nga liria e medieve, ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jakullovska u bëri recenzion atyre se si kanë raportuar gjatë aksionit “Monstër” për arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e pesë të rinjëve në afërsi të liqenit në Smilkovcë të Shkupit. Sikur nuk ishte e kënaqur me këtë rangim që e barazoi vendin me Ukrainën, por se kishte pritur të shoqëronte Rusinë, Bjelorusinë, Sirinë dhe vendet tjera me mungesë totale të lirisë së medias. Që moti kjo qeveri është vënë në rolin e kryeredaktorit të medieve, duke njollosur dhe mbyllur ato që përpiqen të shfaqin një realitet ndryshe nga ai i projektuar në kabinetet qeverisëse.

E tha Jankullovska, e precizoi Kuriri i VMRO-së. Kurir është një portal që i “zbërthen” në detaje mesazhet e qeveritarëve. Në një tekst të fundit, duke “zbërthyer” deklaratën e Jankullovskës, akuzoi  portalin në gjuhën shqipe Portalb.mk kinse nuk ka respektuar standardet gazetareske pasi ka shfaqur haptas dyshimin nëse të arrestuarit në të vërtëtë kanë lidhje me vrasjen.
Dyshimi ndaj informatave që plason qeveria apo institucionet është pika prej ku fillon gazetaria e mirefilltë që mëton të vërtetën. Edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për një rast tragjik, për një vrasje vërtetë monstruoze, megjithatë gazetarët dhe opinioni kanë të drejtë të dyshojnë.
Edhe unë dyshoj dhe pres fakte shtesë nëse të akuzuarit vërtetë janë vrasësit apo janë viktima njëlloj si në rastin “Vreshtat e Rashtakut” në vitin 2001 apo të rastit të Sopotit në vitin 2004.
Dyshoj se është një skenar i njëjtë si në rastin “Vreshtat e Rashtakut”, me ç’rast policia vrau 5 emigrantë të pafajshëm pakistanezë për t’ju vardisur NATO-s dhe SHBA-ve kinse lufton terrorizmin islamik. Pra, dyshoj se ky rast ka të bëjë me afrimin e Samitit të NATO-s në Çikago, i paralajmëruar të fillojë më 20 maj, ku tentohet që Maqedonia të futet nën ombrellën e sigurisë së kësaj aleance pa mos përmbushur kushtin kryesor – zgjidhjen e çështjes së emrit.
Si të mos dyshosh kur pas vrasjes së dy ushtarëve të NATO-s në vitin 2003 menjëherë u arrestuan 11 shqiptarë, të cilët u ngarkuan me fajsinë e vrasjes, u dënuan me 156 vjet burg që vitin e kaluar,  pas 7 viteve heqje lirie, të shpallen të pafajshëm. U liruan nga akuza pas hetimeve të NATO-s por askush nuk u kërkoi bile edhe falje për shtatë vitet e humbura në burg, e lëre më t’u paguajë dëmshprëblim. E tani, kush i ka vrarë dy ushtarët e NATO-s?
Nëse gazetarët dyshojnë atëherë ky dyshim nuk duhet kuptuar si obstruksion i hetimit por si tentim për gjetjen e vrasësve të vërtetë, kushdo qofshin ato, të cilësdo bashkësi etnike apo fetare. Fajsia apo pafajsia e të akuzuarve duhet të dëshmohet nëpërmjet një procesi gjyqësor korrekt, të drejtë, pa emocione dhe transparent. Deri në sjelljen e vendimit nga ana e gjykatës nevojitet respektimi i asaj që quhet prezumpcion i pafajsisë, apo çdonjëri i akuzuar është i pafajshëm deri në momentin kur të dëshmohet fajsia e tij. Këtë parim dhe standard ndërkombëtar e shkelën pikërisht disa medie proqeveritare që thirren në standarde gazetareske. Me këtë edhe ata u shndërruan në monstër.           

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button