Gjermani, në vitin 2017 rënie e ndjeshme e numrit të refugjatëve

Sipas statistikave vjetore të publikuara nga Ministria gjermane e Punëve të Brendshme, numri i azilkërkuesve që vijnë në këtë vend është ulur në 186.644, niveli më i ulët në tre vitet e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian (BE) mirëpriti 890.000 refugjatë në vitin 2015, në kulmin e krizës së refugjatëve, duke vendosur një presion të pamasë mbi qeverinë e koalicionit të kancelares Angela Merkel.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, i cili përkrahi rregulla të rrepta të emigracionit, mirëpriti rënien e ndjeshme, paralajmëroi se kriza ndërkombëtare e refugjatëve është larg përfundimit.

Maiziere në një konferencë shtypi në Berlin, tha se për shkak të krizave të ndryshme ndërkombëtare, ndryshimeve klimatike dhe migrimit të orientuar ekonomikisht, flukset e parregullta të popullsisë do të vazhdojnë të jenë një sfidë e madhe për dekade.

“Është e rëndësishme të gjejmë një përgjigje të përbashkët evropiane, duke adresuar shkaqet e migracionit, duke luftuar kundër kontrabandistëve njerëzorë dhe duke qëndruar në përgjegjësinë tonë humanitare”, tha Maiziere.

Midis 186.644 azilkërkuesve që arritën në Gjermani vitin e kaluar, 47.434 e tyre ishin sirianë, 21.043 irakianë dhe 12.346 ishin afganë.

Ribashkimi familjar

Ministri gjerman i Punëve të Brendshme foli skeptikisht për thirrjet e Organizatave Joqeveritare për të dhënë “ribashkim familjar” për dhjetëra mijëra refugjatë sirianë dhe irakianë të cilët kanë mbërritur në Gjermani që nga viti 2015.

“Nga njëra anë, ribashkimi familjar ka një ndikim pozitiv në integrimin”, theksoi ai, por paralajmëroi se një veprim i tillë mund të ndikonte për sirianët apo irakianët që të nisin një udhëtim të rrezikshëm, me shpresën për të sjellë më vonë anëtarët e familjeve të tyre në Gjermani.

Sipas tij, anëtarët e familjeve të azilkërkuesve të shumtë që mbërritën në Gjermani nuk po qëndronin në zonat e luftës së Sirisë, por në vendet fqinje si Turqia. “Nëse është shumë e rëndësishme për anëtarët e familjes të qëndrojnë së bashku, atëherë ata mund ta bëjnë këtë edhe në Turqi”, tha ai.

Sipas raportimeve të mediave lokale, rreth 390.000 refugjatë sirianë në Gjermani duhej të linin anëtarët e tyre të familjes në Siri ose në vendet fqinje.

Opozita e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) e përshkroi “ribashkimin familjar” si një “rrezik të pa llogaritur” për vendin dhe bëri thirrje për kufizimin e rreptë të saj.

Blloku konservator CDU/CSU i kancelares Merkel dhe Partia Social Demokratike (SDP) ranë dakord në marrëveshjen e tyre paraprake të koalicionit të javës së kaluar për të vendosur një kufi prej 1.000 personash në muaj, si pjesë e “ribashkimit familjar” për azilkërkuesit.

Konservatorët dhe socialdemokratët poashtu ranë dakord të kufizojnë imigracionin dhe deklaruan se numri i refugjatëve nuk duhet të kalojë numrin prej 200.000 në vit.

Vendimi i kancelares Merkel në vitin 2015 për të hapur dyert për refugjatët që iknin nga konfliktet dhe persekutimet u kritikuar gjerësisht nga mediat konservatore dhe u shfrytëzua nga partitë ekstremiste dhe populiste.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button