I shtrirë në parkun e vjetër

I shtrirë në parkun e vjetër
Trokas në portat e yjeve
Askush nuk m’i hap dyert
Asnjë fjalë
Nuk më thotë heshtja

Një meteor
Lëshohet në gjakun tim
Përmbyten detet e kujtesës
Në shuplakat e sterrës
Vdesin xixëllonjat

Në cilat porta
Të trokëllijnë dhembjet
Qenka fishkur bari shërues
Nga ky balsam i pleqërisë
Derdhen eliksiret e fjalëve

Ka kohë
Që mbështillem me veladon
Asnjë engjëll nuk m’i shëron plagët
Fashat e kujtesës
Valëviten nëpër stinët e vrara

I drejtohem kambanës
E herë gjysmëhënës
Askush nuk m’i qan hallet e mia
Vetëm bari i shkulur
Më shikon me nostalgji

Poezi nga libri “Stoli në parkun e vjetër” nga poeti Adem Zaplluzha

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP