Ligji i gjuhëve, e paqartë se a do të ketë punësime të reja në Maqedoni!

Më shumë se 1,7 milionë euro do të shpenzohen për zbatim të tërësishëm të ligjit të përdorimit të gjuhëve, kurse vetëm për formim të Agjencisë për Zbatim të Ligjit të Gjuhëve dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve do të shpenzohen 260.000 euro nga buxheti shtetëror. Siç edhe sqarohet në ligjin e gjuhëve që mund ta lexoni më poshtë, një pjesë e të punësuarve në këto dy institucione do të sillen nga institucione tjera, kurse më së shumti nga sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Nga Qeveria e Maqedonisë thanë me këmbëngulësi se punësime të reja nuk do të ketë, pasi që të punësuarit në dy institucionet do të merren nga institucionet tjera, mirëpo ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji për Portalb.mk tha se në rast se administratorët nuk i plotësojnë kushtet, nuk përjashtohet mundësia e punësimeve të reja.

Megjithatë është herët të flitet deri te zbatimi praktik i gjuhës shqipe.

“Sapo të hyjë ligji në fuqi do të fillojmë edhe me aktivitetet e formimit të Inspektoratit për Zbatimin e Ligjit të Gjuhëve, sepse Inspektorati duhet të themelohet mbi bazat e atij ligji. Fillimisht duhet të pritet kryetari i Maqedonisë, nëse nuk e dekreton ai, kryetari i Kuvendit në seancën e ardhshme duhet të vendos edhe njëherë në lexim të tretë që të votohet edhe njëherë. Pas votimit atëherë hyn në fuqi ligji. Deri sa nuk hyn në fuqi ligji ne nuk mund të ndërmarrim asnjë aktivitet”, tha ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji.

Kurse për gjuhën shqipe?!

Nga buxheti shtetëror në vit do të sigurohen 1,46 milionë euro dhe me ato para duhet të sigurohet përdorim i tërësishëm të noterëve dhe përmbaruesve, të cilët gjithashtu janë të obliguar që të zbatojnë ligjin, por që nuk janë llogaritur në buxhet, dhe këto të holla do të duhet t’i japin nga xhepi vetanak.

Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji

Me ligjin e gjuhëve pritet formimi i dy institucioneve, Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, të përbërë nga përkthyes të autorizuar gjyqësorë, linguistë, filozofë të diplomuar në gjuhën shqipe, si dhe lektorë të licencuar. Ata do të udhëhiqen nga drejtori i agjencisë, i cili emërohet nga Qeveria përmes shpalljes publike. Pos Agjencisë, është paraparë edhe formimi i Inspektoratit për Përdorimin e Ligjit të Gjuhëve.

“Me inspektoratin e Zbatimit të Ligjit të gjuhëve do të udhëheqë Qeveria e Maqedonisë. Ajo vendos se kush do të jetë drejtor dhe kush do të jetë në përbërje, që të ketë të gjitha shërbimet sikurse inspektoratet tjera. Megjithatë është herët të folët në këtë temë, sepse fillimisht duhet të formohet Agjencia i cili do të merret me implementimin e ligjit të gjuhëve për të siguruar gjuhëtarë, linguistë me qëllim që ta ndjekin procesin e përkthimit të dokumenteve e kështu me radhë”, tha për Portalb.mk, Bilen Saliji.

Megjithatë, nga Qeveria e Maqedonisë duke menjanuar punësimet e reja, bënë të ditur se në dy institucionet që do të formohen me miratimin e ligjit të gjuhëve do të punojnë të punësuarit e administratës publike.

“Nuk do të ketë nevojë për punësime të reja pasi që siç kemi thënë edhe më herët, mendojmë se administrata publike ka mjaftë kapacitete dhe njerëz të cilët duhet të shfrytëzohen në mënyrë adekuate dhe të cilët kanë njohuri të mirë edhe të gjuhës shqipe por edhe të gjuhëve të tjera ku do të ketë nevojë. Kështu që ideja është që të shfrytëzohen kapacitetet poseduese”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.

E ndërsa ministri i Drejtësisë nuk e mohoi mundësinë e punësimeve të reja, në arsyetimin se e rëndësishme është që të mos bastardohet gjuha shqipe.

“Varësisht prej nevojave që do të na paraqiten kur do ta themelojmë si institucion. Por nuk përjashtohet edhe mundësia që të tërhiqen edhe disa të punësuar që i kemi në sekretariat, si linguistë, këtu nuk ka diçka të keqe. Por nuk përjashtohet edhe mundësia e punësimeve të reja, me rëndësi është që të jenë njerëz që e njohin gjuhën shqipe që kjo e fundit të mos bastardohet”, tha Saliji.

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski tha se me strategjinë katërvjeçare që u përpilua e që pritet të realizohet gjatë periudhës kohore 2018-2022 nuk janë paraparë hapa konkret për edukim të administratorëve të cilët do të jenë përgjegjës për realizim të ligjit të gjuhëve.

“Është marrë parasysh edhe zgjidhja ligjore e ligjit të gjuhëve, kështu që absolutisht do të mund të përfshihet në pajtueshmëri me ligjin në fjalë. Edukimi i administratorëve nuk parashihet me këtë strategji. Sërish ligji i gjuhëve dhe zbatimi i ligjeve udhëhiqet në kuadër të ministrive, me këtë strategji nuk kemi paraparë hapa aq konkrete për edukim të dikujt që të zbatohet ligji i caktuar”, tha Mançevski.

Ndërkaq, një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit, të gjitha institucionet duhet të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e ligjit. Gjithashtu, parashihet që në afat prej gjashtë muajsh nga miratimi i ligjit, të gjitha institucionet janë të obliguara t’i zbatojnë obligimet e nenit 7 të ligjit. Për moszbatim të ligjit, janë paraparë dënime prej 4 deri më 5 mijë euro për institucionet dhe një mijë deri 1.500 euro për personat përgjegjës në organet shtetërore.

Gjuha shqipe

Ligji i gjuhëve në sirtarin e Ivanovit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e Kuvendit të Maqedonisë, tha se tani radhën e ka presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, për ta dekretuar ligjin brenda afatit 10-ditor.

“Në radhë është të veprojë përkatësisht të reflektojë presidenti Gjorge Ivanov, i cili sipas procedurës brenda 10 ditëve nga marrja e tekstit të ligjit që është miratuar sot, duhet ta dekretojë të njëjtin dhe në aspektin hipotetik nëse kjo nuk ndodh brenda 10 ditëve, pas skadimit të afatit 10 ditor, eventualisht nëse nuk dekretohet, brenda 30 ditëve nga skadimi i afatit, ligji do të duhet t’i kthehet edhe një herë parlamentit në lexim të tretë, që nënkupton vetëm aktin e votimit të sërishëm dhe duke marrë parasysh numrat që kanë kaluar sot, mendoj se nuk do të ketë kurrfarë problemi në seancën e radhës”, tha Xhaferi.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov deri të ënjtën në mesnatë duhet të nënshkruajë deklaratën për aprovim të ligjit të Përdorimit të Gjuhëve ose ta kthejë atë në Kuvendin e Maqedonisë, me ose pa vërejtje. Nëse nuk e bën këtë, atëherë ligji sërish do të kthehet në shqyrtim në Kuvend, dhe do të jenë të nevojshme 30 ditë që të votohet sërish.

Të gjithë uruan miratimin e ligjit të gjuhëve, por Rama i mori meritat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se partia e tij, Partia Socialiste ka meritën më të madhe për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni. Sipas tij, pa PS-në, dikur miratimi i tij as nuk mund të imagjinohej.

“Është kjo parti që nuk ka lëvizur dhe nuk do të lëvizë as një fije nga boshti i idesë kombëtare në të gjitha marrëdhëniet me fqinjët. E nëse përpara pak ditësh, në Parlamentin e Maqedonisë kaloi një ligj që as nuk mund të imagjinohej deri vetëm pak kohë më parë, unë po ju them sot me krenari, se duhet të jeni të gjithë krenar, ata që e kanë votuar, e kanë mbështetur dhe e kanë besuar këtë parti, sepse pa këtë parti nuk do të kishte sot gjuhë shqipe zyrtare në Maqedoni”, tha Rama.

LEXO: Zendeli: Besa votoi “pro” ligjit për përdorimin e gjuhëve edhe pse nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe
LEXO: Meta: Akt me rëndësi për të ardhmen evropiane të Maqedonisë
LEXO: RDK: Urime shqiptarë për sjelljen e ligjit të gjuhës shqipe
LEXO: Hashim Thaçi përshëndeti miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve nga Parlamenti i Maqedonisë
LEXO: LSDM: Ligji për përdorimin e gjuhëve është në pajtueshmëri me Kushtetutën
LEXO: Veseli: Arritje e madhe kalimi i ligjit për gjuhët në Maqedoni
LEXO: Ahmeti: Miratimi i ligjit të gjuhëve, festë e madhe për të gjithë shqiptarët
LEXO: VMRO-DPMNE reagon për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve

Ndryshe, më 11 janar me 69 vota “për” dhe asnjë “kundër” apo “të përmbajtur”, në mungesë të VMRO-DPMNE-së, në Kuvendin e Maqedonisë është miratuar edhe ligji për përdorimin e gjuhëve. Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më pesë shtator të vitit të kaluar në Komisionin për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.

Ligjin e gjuhëve mund ta lexoni më poshtë:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button