Fjalët e qiririt

Forca dhe vigjilenca e këtij populli, kjo dhuratë nga Zoti që rrezaton në vazhdimësi, është ajo që na ndihmon të përballemi  me goditjet më të ulëta e të ngritemi kur të gjithë mendojnë se jemi të mbaruar,  të fikur e  të zhdukur. Populli, njeriu i rëndomtë, është nëna e qëndrueshmërisë tonë, ai është xixa që e ndezë zjarrin e jetës dhe na përmbushë me forcë dhe me dashuri të cilat shpiejnë drejtë fitoreve të reja.

Populli ynë ka njerëz të këqinjë dhe tradhëtarë, por shumë më tepër ka njerëz që janë të mirë, të ndershëm e  të vyeshëm.Për fat të mirë, përpjekja dhe ndershmëria e tyre janë aq të mëdha sa që i mbulojnë tërësisht  të këqiat dhe tradhëtitë  e bijve tanë të humbur në shtegun e lakmisë.Faleminderit Zotit, këtë pjesë të popullit mund t’a prangosni me të gjitha prangat e kësaj bote por do e sundoni vetëm trupin e tijë, asnjëherë edhe shpirtin.

Për këtë shkak, është shumë i çuditshëm dhe shqetësues realiteti që po e jetojmë e në të cilin po shohim plotë ura të rrënuara që po i lënë pas vehtes njerëz të caktuar, ani pse mbi ato do duhej të kalojnë ata që ju vijnë pas.

Të premtosh gjithçka e të mos realizosh asgjë, të këputësh të gjitha fijet që të lidhin me ata që të kanë lënë peng sinqeritetin dhe besimin e tyre  nuk është gjë tjetër përveç një krim dhe tradhëti. Jo rastësisht, Muhamedi a.s. ka thënë : “ Mos i besoni  fjalët e dikujt që çjerret duke kërkuar drejtësinë e vetë nuk është i drejtë, besoni atë që e plotëson emanetin e që kujdeset për nderin e tjetrit. Ai është njeri, ai është njeri!”

Sidoqoftë, ne po jetojmë do kohë në të cilat shoqëria  gjithnjë e më shumë po zhytet në llumin e tradhëtisë, krimit, korrupcionit, po jetojmë në kohë në të cilat një fjalë e keqe edhe njerëzit e mirë po i bën të ligë kurse  njëqind fjalë të mira nuk po mund të ndikojnë që një njeri i ligë  të bëhet i mirë. Ai që një herë po gënjen, për të mbajtur të gjallë gënjeshtrën e parë po trillon e po përhapë edhe një mori gënjeshtrash të tjera.Dhe,gjithnjë kështu, qarku vetëm po rritet e kurrsesi të ndërpritet, askush më nuk po habitet kur dëgjon se ndonjë njeri ia ka ngulur pas shpine thikën dikujt që e ka ndihmuar.Ndërkohë që edhe qeni më i keq të cilin mund t’a kishe ushqyer, përpiqet të të mbrojë .

Sëkëndejmi, në një atmosferë zymtësie që ka kapluar trojet tona, kur edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë e Maqedoni jemi dëshmitarë të turbulencave dhe përplasjeve që po i tejkalojnë shumëfish mosmarrëveshjet e nënkuptueshme politike, mendoj se do ishte shumë më e qëlluar të ndezim një qiri e jo të humbim kohën duke e mallkuar erësirën.Drita e davarisë terrin.

Kjo, në fakt dmth. se heshtja e përgjithshme që  ka kapluar opinionin tonë lidhur me një sërë anomalishë të cilat kanë të bëjnë drejtëpërsëdrejti me të jetuarit tonë dhe me ardhmërinë e fëmijëve tanë, paraqet pajtim dhe aprovim .Më kujtohet se dikush kishte thënë  : ”Nuk janë kriminelë ata që vrasin, por ata që heshtin për krimet”.Pra, qiriri që duhet ndezur nuk është simbol i ngadhënjimit mbi të tjerët, ai është simbol i ngadhënjimit mbi vehten.E ata që ngadhënjejnë mbi vehten, ngadhënjejnë mbi frikën dhe heshtjen.

Unë asnjëherë nuk do pajtohem me teoritë e përçudshme të disa intelektualëve të cvilët thonë se populli nuk ka qenë dhe aktualisht nuk është viktimë e elitave të caktuara politike sepse ato elita na qenkan vetëm profiluesit banalë të “vullnetit të popullit”. Nuk do pajtohem sepse është iluzore të mendosh se një popull i tërë me vetëdije ka pranuar tridhjetë vjetë të tëra pozicionin e viktimës së grabitur e të poshtëruar, se një popull i tërë në të vërtetë nuk e paska dashur lirinë dhe mirëqenien . Nuk do pajtohem se i tërë populli ynë e paska dashur këtë varfëri dhe urrejtje brëndaetnike dhe ndëretnike, këtë vetëmashtrim dhe mungesë shprese, tradhëtinë dhe gënjeshtrën.

Përkundrazi,unë besoj thellësisht në bindjet e këtij populli se liria dhe mirëqenia janë dhuratë nga Zoti të cilën askush nuk mund t’ia mohojë askujt. Vetëm duhet ndezur qirinjtë në vend se të mallkojmë erësirën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button