Kujdes urrejtjes vëllavrasëse!

Nga paslufta e deri më sot asnjëherë Kosova nuk ka qenë në situatë më të tendosur politike, më e ndarë dhe përçarë, më e katandisur dhe mjegulluar në të ardhmen e saj. Shkaqet e kësaj ndarje janë të gjata e të thella, saqë jo një shkrim autorial, por një libër i tërë nuk do të mjaftonte për elaborimin në mënyrë kronologjike dhe në detaje të çdo aspekti të katandisjes sonë përgjatë dy dekadave të fundit. Përderisa qytetarët janë vëzhguesi më i mirë i të gjitha situatave, gazetarët e denjë dhe të pavarur janë shkruesit e drejtë të historisë tonë të re. Në rrethanat e pluralizmit politik, gazetaria nuk guxon të jetë partiake dhe as në shërbim të grupeve të interesit, ashtu sikurse që gazetari nuk duhet të vrapojë pas lajmeve sensacionale, pas ngjarjeve të çastit që zhvendosin vëmendjen e opinionit publik ndaj ngjarjeve shumëfish më të rëndësishme,…por duhet të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, duke u bërë forcë kreativiteti dhe zë i fuqishëm i i ndryshimeve të përgjithshme shoqërore dhe zë plural i respektuar nga opinioni i gjerë,…gjithnjë në kërkim të lajmit, edhe atëherë kur nuk ai shihet dhe dëgjohet apo tentohet të fshihet nga të tjerët,…për t’i bërë gjithmonë të qartë lexuesit; kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im! Partitë politike, respektivisht liderët partiak dhe elitat politike në vend janë bërë përçarësit më të mëdhenj dhe më fatal të shqiptarëve. Qytetarët e dëshpëruar, të lodhur dhe rraskapitur nga humbja e të gjitha shpresave për jetë në vendin e tyre janë duke i përdorur si ushqim grupet kriminale dhe mafio-oligarkët ekonomikë.

Papërgjegjësia shtetërore e Hashim Thaçit ka rrezikuar interesat e Kosovës

Gjykata Speciale, kjo padrejtësi e radhës ndaj shqiptarëve, e ardhur si pasojë e dështimit në qeverisjen e vendit, gjegjë- sisht krijimit të një sistemi kredibil gjyqë- sorë në vendin tonë në njërën anë dhe dështimit të Kosovës në politikën e jashtme, respektivisht të dështimit total në dialogun e Brukselit. Kështu, përvjetori i 10-të i pavarësisë, shtetin e Kosovës po e gjen përpara sfidës më të madhe dhe më të rrezikshme që nga paslufta, e cila, përveç kthimit prapa në pikën zero, të vitit 1999, rrezikon rikthimin nën Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila e njeh Kosovën pjesë integrale të Serbisë. Vënia e fatit personal të liderëve shtetërorë para interesit të shtetit është lojë e tepër e rrezikshme, e cila përveçse do të vërë në pikëpyetje marrëdhëniet me shtetet e Quintit, gjegjësisht me Amerikën, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Italinë, mbi të gjitha rrezikon të ardhmen e shtetit tonë, të arriturës më të madhe kombëtare në shekullin e fundit, e arritur e përbashkët kjo me miqtë ndërkombëtar. Në rast se puçi i liderëve kosovarë kundër Gjykatës Speciale do të ketë sukses, atëherë pasojat për shtetin do të jenë të pariparueshme dhe konsekuencat tepër të gjata për qytetarët e vendit. Për shfuqizimin eventual të Ligjit për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, përgjegjësia në radhë të parë duhet të kërkohet nga presidenti i shtetit Hashim Thaçi, i cili derisa ishte në postin e kryeministrit të vendit e solli Specialen nën presionin e paparë kundër deputetëve të partisë së tij dhe vartësve tjerë të tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pa dashur të lëshohem në “arsyet” që e shtyn Thaçin të ndërrojë mendje ndaj “Speciales”, në momentin që hedhet në votim ligji, nga deputetët duhet të kërkohet shkarkimi i menjëhershëm presidentin Hashim Thaçi nën akuzat për tradhti kombëtare, rrezikim të shtetit dhe jetës së qytetarëve. Nga përgjegjësia nuk duhet të lirohen as ata deputetë që asokohe e votuan Gjykatën Speciale, ndërsa tani janë të gatshëm t’ia vënë flakën vendit për mbrojtjen e interesave të liderëve partiakë. Në asnjë rrethanë, nuk duhet lejuar që populli i Kosovës të ngarkohet me përgjegjësi kolektive për fajin e individëve të papërgjegjshëm, sikurse që nuk duhet lejuar rrezikimin e shtetit për “lëkurën” e njollosur të individëve të caktuar,….e aq më tepër nuk duhet lejuar të barazohen krimet gjenocidale të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës me krimet e mundshme individuale qofshin ato ndaj serbëve apo ndaj të tjerëve gjatë luftës së fundit çlirimtare.

Hipokrizia e LDK-së me vrasjet e pasluftës

Në anën tjetër, partitë politike duhet të tregojnë kujdesin maksimal në evitimin e përçarjeve të thella në mesin e popullatës, të mos ngrisin urrejtje patologjike duke përdorur lojën e “patriotit” inekzistent dhe “tradhtarit” imagjinarë. Loja plot hipokrizi e LDK-së me vrasjet e pasluftës, është lojë tepër e rrezikshme për të ardhmen e vendit. Hipokrizia e skajshme e lidershipit të saj dhe përdorimi i ish- veprimtarëve të vrarë, viktima të akteve kriminale për qëllime politike mund ta dërgojë vendin drejt urrejtjes së skajshme, e cila mund të përfundojë me hakmarrje të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit deri në vëllavrasje ndërshqiptare. Loja e turpshme e lidershipit të LDKsë me familjet e veprimtarëve të vrarë ndodh sa herë që ky subjekt kalon në opozitë! Aktivizimi i energjive “pozitive” vjen në shprehje jo si rezultat i respektit dhe kujdesit që kanë ndaj bashkëpartiakëve të vrarë, por si nevojë për arritjen e qëllimeve personale për ri-marrjen e pushtetit. Kjo që e ceka më sipër është vërtetuar disa herë në qeverisjet e pasluftës. Sa herë që LDK-ja ka ardhur në pushtet, çuditërisht janë harruar vrasjet e veprimtarëve të saj. Edhe përkundër faktit se LDK-ja pjesën më të madhe e ka kaluar në pushtet, duke udhëhequr me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Punëve të Brendshme, asnjëherë dhe as për një moment të vetëm nuk u morën me zbardhjen e vrasjeve të veprimtarëve të saj! Me të humbur pushtetin, liderët e LDK-së i aktivizojnë të gjithë mekanizmat propagandues të nxitjes së urrejtjes dhe mllefit qytetarë kundër oponentëve të saj politik, me të cilët deri dje përqafoheshin në qeverisjen e vendit! Ka ardhur koha që edhe kësaj loje të ndyrë dhe plot hipokrizi t’i vijë fundi. Pasi dihet qartë mandati i Gjykatës Speciale. Andaj të mos manipulohet opinioni me vrasjet e pasluftës, të cilat nuk do të jenë pjesë e agjendës së kësaj gjykate! Mesazhi i këtij shkrimi do të ishte ky; “Të gjitha partitë politike, veprimtarët dhe atdhetarët të punojnë bashkërisht për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pasluftës, por njëkohësisht të tregojnë kujdesin maksimal për ruajtjen e unitetit në radhët e popullatës, pavarë- sisht veprimeve të Gjykatës Speciale. Interesi i shtetit është mbi interesat dhe fatet personale të individëve!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button