PASOJAT

Ditë e martë. Vitet e diferencimeve kundër të qenit shqiptar. Në redaksinë ku punoj arrij në orën dhjetë. Më thonë: shpejt të thërret drejtori. Shkoj në zyrën e tij. Brenda ai dhe një njeri i shërbimeve të punëve të brendshme që asokohe rrinin vazhdimisht nëpër zyret e drejtorëve dhe kryeredaktorëve. Në mur përballë drejtorit fotografia e Titos, kurse përfundi me shkronja të mëdha shkruan: “Edhe pas Titos – Tito”.

“Ulu”, më thotë drejtori, kurse njeriu i shërbimeve shtiret sikur lexon gazetën, thuajse nuk është i interesuar fare se për çfarë takimi bëhet fjalë.

“Si të shkon puna”? vazhdon drejtori.

“Si zakonisht, si gjithmonë”!

“Mirë, mirë… E di… desha të bisedoj me ty për një çështje shumë të rëndësishme”…

“Me mua për çështje të rëndësishme”?…

“Na duhet ndihma jote”!…

“Çfarë mund t’ju ndihmoj unë”?

“Si të them, kemi një problem”…

“Me mua u lidhka ndonjë problem juaji”?

“Mendoj se po”…

“Nuk e kuptoj”, i them.

“Ne duhet t’i pastrojmë radhët tona nga elementet armiqësore që veprojnë nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”…

“Edhe unë qenkam në radhët e armiqve të këtillë”?

“Jo, nuk thashë”…

“Atëherë”?! e pyes.

“Ti duhet të na ndihmosh në këto ditë të vështira të luftës sonë kundër nacionalizmit dhe iredentizmit të cilën e zhvillon lidhja e komunistëve të Maqedonisë… Dhe, mos ta zgjas: midis nesh është një koleg, ish i burgosur në Goli Otok, i cili është kundër politikës së bashkim-vëllazërimit”…

“Për kë e ke fjalën”?

“Për Tekiun”…

“Çfarë doni prej meje”?

“Do të kemi mbledhje të partisë këto ditë. Do të ketë edhe njerëz të rëndësishëm të komitetit ekzekutiv të lidhjes së komunistëve dhe kërkojmë prej teje t’i mbështesësh qëndrimet tona”.

“Cilat janë qëndrimet tuaja”?

“Ta largojmë nga puna Tekiun”! tha drejtori. Pasoi një heshtje e rëndë. Pastaj e pyeta:

“Ky qenka qëndrimi juaj”?

“Po”.

“Unë nuk mund të jem pjesë e këtij qëndrimi”!

“Pse s’mundke ti të jesh me ne”?!

“E para, kur e keni pranuar në punë, unë s’kam qenë këtu, kurse ju nuk më keni kërkuar  midis turmave të më pyesni a të pranohet Tekiu në punë, apo jo… Ju kërkoni të jeni të mirët, demek e keni pranuar në punë, kurse unë të jem xhelati, ai që përjashton nga puna”!

“Ndal, ndal… A ironi, a?”… thotë ai.

“E dyta”, vazhdova pa u ndalur, “me Tekiun jemi kolegë dhe fqinjë. Vajza e tij e vogël gjithë ditën e lume është me fëmijët e mi. Lozin dhe rriten bashkë. Dhe, ju nga unë më shumë kërkoni që t’i dënoj fëmijët e tij se sa t’i bëhet dëm atij personalisht. Kërkoni që fëmijët e tij tërë jetën të më mallkojnë pse me largimin e babait të tyre unë do t’i lë pa bukë… Dhe”…

“Ngadalë, ngadalë”, më tha. “Duhet të mendosh edhe për fëmijët e tu. Mund të kesh pasoja”!…

“Mund të kem, e di, por askujt nuk do t’ia bëj dot këtë ligësi! Kurrë! Po më bëni nder duke ma besuar gijotinën që t’i ekzekutoj miqte mi, shokët e mi, kolegët e mi”?! i thashë.  Pastaj dola nga zyra. Pastaj u mbajt mbledhja e partisë. Në mbledhje pat shumë retorikë e nga ajo shumë pjesa më e madhe – boshe nga kolegët. Unë qesh kategorik, i vendosur për ta mbrojtur kolegun dhe shokun kundër të ashtuquajturave qëndrime të partisë. “Tekiun po e përjashtoni ju dhe po e përjashtoni pa të drejtë!”. Kur dolëm drejtori më tha:

“Të thashë, kujdes, do të kesh pasoja”.

Pastaj Tekiun e suspenduan, pastaj e përjashtuan. Pastaj erdhën një nga një pasojat në adresën time. Mua, pastaj, më mbeti vetëm ndërgjegjja e pastër.

Dhe të zinjtë e ullirit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button