ANALIZË: Kamatat e kredive “të gjata” sa një autostradë e re, për çdo vit!

Qeveria siguroi burim të lirë të parave me të cilat do ta arnojë likuiditetin buxhetor, mirëpo në të njëjtën kohë, sipas një pjese të ekonomistëve, huaja e re prej 500 milionë eurosh nëpërmjet eurokambialit është test për punën dhe menaxhimin ekonomik të parave publike. Një pjesë e ekspertëve konsiderojnë se tani çështje kyçe do të jetë se si dhe për çka do të harxhohen këto para, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Pagesa e parakohshme e një të tretës së eurokambialit të marrë në vitin 2015 vlerësohet si hap pozitiv.

Еurokambiali – thikë me dy tehe…

Në këtë moment, në bazë të huave për shkak të eurokambialeve, Maqedonia ka borxh prej 1,6 miliardë eurosh. Plotësisht janë paguar dy eurokambiale, ai i vitit 2005 me vlerë prej 150 milionë eurosh dhe ai i vitit 2009 me vlerë prej 175 milionë eurosh. Pritej që qeveria të emetojë eurokambial të ri, të gjashtin me radhë, i cili ishte paralajmëruar me buxhetin e vitit 2018, komentojnë ekonomistët, mirëpo konsiderojnë se çështje kyçe tani është për çka do të shpenzohen gjysmë miliardë euro.

“Gjëja e parë pozitive është ajo se eurokambiali është me çmim të ulët të kamatës. Është mirë dhe e arsyeshme që kredia e vjetër me kamatë më të lartë, gjegjësisht një e treta e eurokambialit të vitit 2015, do të paguhet para kohe duke marrë kredi me kamatë më të ulët, me ç’rast do të bëhen kursime edhe për pagesën e kamatave. Dihet se rreth 100 milionë euro do të shpenzohen për këtë qëllim, 100 milionë euro për pagesën e këstit të parë të maturuar nga një kredi tjetër, dhe 150 milionë të tjera do të shpenzohen për financimin e deficitit buxhetor. Mbeten edhe 150 milionë euro, të cilat qeveria do t’i ruajë si logjistikë për likuiditet, gjegjësisht si rezervë” – thotë për Portalb.mk profesoir universitar dhe ish-ministri për financa, Nikolla Popovski.

Huaja e re do të menaxhohet dhe do të shpenzohet me kujdes. Maqedonia arriti sukses me kamatën më të ulët historike për eurokambialin, ndërsa fakti që interesi ishte shtatë herë më i madh se oferta, flet se vendi po hyn në zonën e stabilitetit politik-ekonomik, konsideron ministri Dragan Tevdovski.

“Paratë nga eurokambiali nuk do të shfrytëzohen për përmendore dhe “shelgje të pikëlluara, por do të përdoren kryesisht për ta mbuluar deficitin buxhetor. Do të përdoren për rroga më të larta dhe për investime në arsim dhe në shëndetësi, për mbështetjen e ndërmarrjeve të vendit dhe atyre të huaja, për rritjen e mjeteve në mbrojtje, për t’u afruar me standardet e NATO-s, dhe për investime kapitale” – deklaroi ministri për financa, Dragan Tevdovski.

Ministri theksoi edhe se me përqindjen dyfish më të ulët të kamatës për këtë eurokambial në krahasim me eurokambialin paraprak, shteti ka kursyer nga kamata vlerë të përgjithshme prej 90,6 milionë eurosh.

“Duke pasur parasysh faktin se me eurokambialin do të kthejmë pothuajse 200 milionë euro borxhe të mëparshme, neto huaja me këtë eurokambial është rreth 300 milionë euro. Veçanërisht dua ta falënderoj guvernatorin e BPRM-së, Dimitar Bogov, me të cilin së bashku i prezantuam perspektivat e ekonomisë së Maqedonisë para investitorëve ndërkombëtarë” – thotë Tevdovski.

Megjithatë, një pjesë e ekonomistëve thonë se duhet kushtuar vëmendje të veçantë menaxhimit të borxheve.

“Nuk janë të rëndësishme shpenzimet e huasë, por për çfarë qëllimesh do të shpenzohen ato mjete. Çështja kryesore është se për çka do të harxhohen paratë – për pensione më të larta, për ngjitës së pllakateve, për ushtri partiake në administratë? Dua të potencojë se në këtë moment, vetëm për shkak të kamatave të thjeshta Maqedonia paguan nga një autostradë prej rreth 60 deri në 70 kilometra në vit, edhe atë nëse flasim vetëm për borxhet në nivel qendror pa i përfshirë borxhet e ndërmarrjeve publike dhe të komunave, pasi që gjithsesi edhe ato janë pjesë e shtetit, gjegjësisht e aparatit shtetëror. Nga ajo që e dimë deri tani, 180 milionë euro do të shkojnë për pagesën e borxheve, mirëpo çka do të bëhet me 320 milionë eurot e tjea dhe për çka do të shpenzohen ato është çështja kryesore” – thotë  Portalb.mk ekonomisti dhe njeriu i parë i Asociacionit të menaxherëve, Zoran Vitanov.

Nga Instituti për politika dhe hulumtime ekonomike “Finance think” konsiderojnë se shuma e kredisë është në kuadër të nevojave vjetore buxhetore dhe së bashku me depozitat e qeverisë në BPRM në vlerë prej 360 milionë eurosh siguron likuiditet të përgjithshëm buxhetor nga borxhet në vlerë prej 860 milionë euro, që duhet të mundësojë financim edhe pas vitit 2018, nën supozimin se deficiti i projektuar buxhetor nuk do të tejkalohet. Kamata që do të paguhet për këtë eurokambial vlerësohet si e volitshme, ndërsa pagesa e parakohshme e kredisë më të shtrenjtë konsiderohet si veprim korrekt. Nga Instituti ekonomik kanë vërejtje për mungesën e debatit publik dhe kërkojnë përgjigje për atë se për çka do të shpenzohet ajo.

“Finance Think ashpër i kundërvihet shfrytëzimit të mëtutjeshëm të floskulës “mjetet e eurokambialit do të përdoren për nevoja buxhetore”. Është e kuptueshme se në kuptim teknik, këto mjete do të derdhen në buxhet dhe do të përdoren për pagesën e obligimeve që do të maturojnë. Mirëpo, në kuptim konceptual, qytetarët duhet ta dinë se për çka harxhohen paratë e tyre, e veçanërisht paratë nga borxhet e mëdha si ky. Pas minusimit të vlerës që do të përdoret për kthimin e borxhit të vjetër, qeveria duhet ta njoftojë publikun se për çka do të harxhohen paratë e mbetura. Kjo lidhet me nevojën urgjente që të hapet debat i gjerë shoqëror për investimet kapitale, prioritizimin e tyre dhe llogaritjen e dobisë për ekonominë” – thonë nga Instituti për politika dhe hulumtime ekonomike.

Sipas të dhënave të fundit që janë në dispozicion nga Ministria për Financa, në fund të shtatorit të vitit të kaluar borxhi publik i Maqedonisë ka qenë 4.69 miliardë euro apo 45.8% e Prodhimit të brendshëm bruto.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button