SHBA-të dhe Pakistani kontaktojnë për herë të parë pas akuzave të Trumpit

Ushtria e Pakistanit bëri të ditur se Washingtoni e ka garantuar Islamabadin se do të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm dhe se është duke kërkuar bashkëpunim në trajtimin e grupeve militante në Pakistan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga një media e krahut të ushtrisë së Pakistanit, garancia u dha nga kreu i Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), gjenerali Joseph L. Votel, gjatë një bisede telefonike me kreun e ushtrisë pakistaneze, gjeneralin Qamar Javed Bajwa.

Bajwa, më herët këtë javë mori një telefonatë nga një senator amerikan për të diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë Pakistan-SHBA, thuhet në deklaratë.

Votel, sipas deklaratës, tha se SHBA-të vlerësojnë rolin e Pakistanit në luftën kundër terrorizmit.

“Ai gjithashtu njoftoi se SHBA-të nuk janë duke parashikuar ndonjë veprim të njëanshëm brenda Pakistanit, por është duke kërkuar bashkëpunim për të luftuar shtetasit afganë të cilët, sipas pikëpamjes së SHBA-ve, përdorin tokën e Pakistanit kundër Afganistanit”, thuhet në deklaratë.

Shefi i ushtrisë pakistaneze përsëriti se lëvizja e fundit e SHBA-ve kishte minimizuar përpjekjet e vendit kundër terrorizmit. “Pakistani do të vazhdojë përpjekjet e sinqerta kundër terrorizmit, edhe pa mbështetjen financiare amerikane në përputhje me interesin tonë kombëtar”, citohet të ketë thënë Bajwa.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, akuzoi Pakistanin për sigurimin e strehimit për talebanët afganë, veçanërisht rrjetit të fuqishëm Haqqani. Akuza e Trump-it, i cili akuzoi përmes llogarisë së tij në Twitter, pasoi me pezullimin e një ndihme ushtarake prej 255 milionë dollarësh në Pakistan. Mirëpo, Pakistani mohoi akuzat e SHBA-ve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button