Ligji për përdorimin e gjuhëve arrin për dekretim te presidentit Ivanov

Ligji i ri për përdorimin e gjuhëve i cili dje u votua në Kuvend, tanimë është dorëzuar për dekretim përpara presidentit Gjorge Ivnaov, njofton Portalb.mk.

Ai ka afat prej 7 ditëve që të deklarohet nëse do ta nënshkruajë ose do të vendos për veto. Nëse presidenti Ivanov nuk e miraton ligjin për përdorimin e gjuhëve, ai në afat prej 30 ditëve nga dita e miratimit, përsëri kthehet në diskutim dhe vendim në Kuvend, kështu që për së dyti herë është e nevojshme vetëm që të votohet me 61 vota “për” nga 120 deputetët.

I sapo emëruari si gjykatës në Gjykatën Kushtetues, Osman Kadriu ligjin e gjuhëve që mori dritë jeshile, dje e ka vlerësuar si kushtetues, por të njëjtin e sheh si teknikë se si të zbatohet gjuha shqipe, njofton Portalb.mk.

“Mendimi im si jurist më jep të drejtën të them se ky ligj është në kuadër të Kushtetutës dhe normave kushtetuese. Çështja e gjuhës garantohet me Kushtetutë. Me këtë ligj parashihet vetëm teknika se si të zbatohet ligji i gjuhëve”, tha Osmani.

Eksperti juridik, Naser Ziberi, zërat në opinion se presidenti Gjorge Ivanov mund ta përdorë të drejtën e vetos për mosdekretim të ligjit, ashtu siç kishte e kishte bërë presidenti, Branko Cërvenkovski në vitin 2008 për ligjin për përdorimin e gjuhëve thotë se “hyrja në fuqi e ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk varet nga vullneti i Ivanovit, por nga vullneti i shumicës parlamentare”.

“Qëndrimi i Ivanovit në lidhje me propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve është i njohur dhe ai disa herë e ka përsëritur se vlerëson se disa dispozita të këtij ligji tejkalojnë kornizat kushtetuese dhe se nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe nuk është për t’u habitur nëse pas aprovimit të ligjit dhe dorëzimit të tekstit nga ana e kryetarit të Kuvendit për nënshkrim te presidenti që ky i fundit ta refuzojë dekretimin e këtij ligji, por kjo nuk mund ta pengojë hyrjen në fuqi të ligjit pasi që ajo çështje është e rregulluar. Do të kthehet përsëri ligji në Parlament dhe do të përsëritet procedura për aprovimin dhe në qoftë se ka 61 vota herën e dytë, ligji do të hyjë në fuqi. Kështu që aprovimi apo mosaprovimi i këtij ligji nuk do të varet nga vullneti i Ivanovit, por nga vullneti i shumicës parlamentare”, thotë Ziberi për Portalb.mk.

Ndryshe, presidenti Ivanov vazhdimisht e ka përsëritur qëndrimin e tij se ligji për përdorimin e gjuhëve është jo-kushtetues dhe e cenon unitaritetin e shtetit, ndërkaq në fjalimin tradicional për fundvit, ai të njëjtin e quajti edhe represiv.

“Për shkak të pikëve politike afatshkurte po vihen në pikëpyetje interesat e përhershme të Maqedonisë dhe popullit maqedonas. Kërkesa për dygjuhësi është e rregulluar me amendamentin 5 nga Kushtetuta, e cila doli nga Marrëveshja e Ohrit, ku rregullohet çështja për gjuhën zyrtare në Maqedoni. Ligji është represiv, ata që pohojnë se ky ligj është në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet do t’i pyes me cilën kushtetutë dhe cilat ligje? Pas konsultimeve me ekspertë mund të pohoj se ky ligj për gjuhët nuk është kërcënim për gjuhën maqedonase por për unitaritetin e shtetit”, theksoi Ivanov.

Me 69 vota “për” dhe asnjë “kundër” apo “të përmbajtur”, në mungesë të VMRO-DPMNE-së, dje në Kuvendin e Maqedonisë është votuar ligji për përdorimin e gjuhëve.

Të gjitha partitë në vend e kanë përshëndetur, në përjashtim të VMRO-DPMNE-së, e cila këtë ligj e vlerëson si jo-kushtetues. Vlerësime pozitive kanë arritur po ashtu edhe nga kreu shtetëror i Kosovës dhe Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI MOBIL