Nga “anatemimi” deri te “hyjnizimi” i Molliqajt

Flamur Kuçi

Flamur Kuçi

Se do të vie koha që shoqëria “demokratike” kosovare, do ta cilësojë dikë brenda Vetëvendosjes si liberal, si të shtypur e të linçuar, këtë nuk do ta besonte as optimisti më sy-mbullur. Por, ja që erdhi kjo kohë, dhe merreni me mend, liberali, i linçuari e i opresionuari nga vet partia e tij, është Dardan Molliqaj, ish-sekretari organizativ i VV-së, deri pak para zgjedhjeve të përgjithshme.

Gjithsecilit prej nesh i kujtohet shumë mirë i ashtuquajturi “anarkisti”, tashmë liberali Molliqaj, kur në janarin e 2015-tës, i pati dhënë ultimatum policisë së Kosovës, e po ashtu e pati nxjerrë me forcë nga vetura një zyrtar qeveritar, ku më pas turma e trimëruar nga ky veprim i tij, ia demoluan tërësisht veturën (në po të njejtën protestë, Albin Kurti u qëllua me grushte nga pjestarët e PK-së). Pas këtyre veprimeve nuk la kush nga shoqëria civile e nga klasa politike pa kërkuar burgosjen e tij, madje nga militantët partiakë të partive në pushtet, në rrjetet sociale bëhej thirrje për likuidimin fizik të tij. I njohur si shkaktari kryesor për prishjen e koalicionit me AAK-në dhe Nismën, mos-afrimin me LDK-në para zgjedhjeve të Qershorit 2017. Po i njejti, që përkundër se kishte fletarrest të lëshuar për një kohë të gjatë, punonte e jepte intervista nga zyra e tij, plotësisht i pa-penguar nga organet e rendit. Këto dhe shumë veprime të tjera të Dardanit, bënë që të fitonte antipatinë e shumicës së shoqërisë e simpatinë e shumicës së antarëve dhe aktivistëve (siç.) të Vetëvendosjes.

Por, si erdhi deri te ndryshimi i mendimit të shumicës, për Dardanin? Si e fitoi ai simpatinë e të gjithëve, sa hap e mbyll sytë? A i erdhi këtij social-demokrati ndonjë frymëzim brenda natës dhe u dashurua në kapitalizëm, apo prej kohësh po ndiqte një strategji të tillë? Shkaku kryesor pse ndodhi ky ndryshim i përceptimit të figurës së Molliqajt është fare i kuptueshëm – doli kundër Albin Kurtit dhe kundër unitetit të partisë. Njejtë kishte fituar simpatinë edhe Ilir Deda, Arben Gecaj e Ajnishahe Halimi – e cila pati thënë se Molliqaj i kishte kërkuar të bënte autokritikë dhe se sekretariati në krye të të cilit ishte ai, po përdorte metoda diktatoriale për të ushtruar kontrollin, mbi të gjithë antarët e lëvizjes.

Prej kohësh tashmë ishte vërejtur një lidhje e veçantë e ish-sekretarit të VV-së dhe të televizionit të Devolli Corporation, respektivisht të Baton Haxhiut, ku sa herë që kishte nevojë për promovim, i rezervoheshin orë të tëra televizive në një nga televizionet më të shikuara në vend. Të njejtën e bëri Batoni natën kur Dardani e çuditi tërë opinionin publik me rrefënjat e tij se si i ishte ngushtuar hapësira brenda partisë, se si Kurti kishte dashur të bënte koalicon me PDK-në, apo se sa e kishte pagën secili prej antarëve të VV-së. Bile për habinë e të gjithëve, të cilët ishin mësuar të dëgjonin nga ai, për çdo gjë, “Albini, Albini” gjatë emisionit ndryshoi diskurs dhe filloi ta quante “z. Kurti”. Në fakt, është e njohur për publikun, se paga më e lartë në lëvizjen Vetëvendosje ishte pikërisht ajo e ish-sekretarit organizativ, që mendohet edhe të jetë fillimi i plasaritjeve në mes të Albin Kurtit si themelues  i saj, dhe krahut tashmë të quajtur krahu Molliqaj. Sipas antarëve të kryesisë Albini kishte kërkuar uljen e pagave të disa antarëve, që kishin pagat e larta dhe heqjen e privilegjeve që ata i gëzonin. Ai njihet si një prej politikanëve më parimorë në skenën politike kosovare (nëse ka ndonjë tjetër, të tillë) dhe i cili kishte kërkuar që edhe donacionet që jepen për VV-në të jenë në shuma sa më të vogla, por nga një numër më i madh aktivistësh. E si mund t’i konvenojë kjo, disa prej antarëve të akomoduar mirë brenda strukturave udhëheqëse të partisë, veçanërisht atyre të ardhur nga FER-i, si Dardan Sejdiu që u dorëhoq nga pozita e zv. kryetarit të komunës për t’u zgjedhur me çdo kusht deputet, apo si Fisnik Ismaili, që po qahet se ka mundur të fitoi shumë para, nga sllogani “#mezemër “, pasi që, do t’ja kishte shitur ndonjë partie tjetër. Kurse Driton Çaushi që pas dështimit personal në komunën e tij, paradoksalisht e fajëson Albin Kurtin e ca aktivistë të tjerë për mospëkrahje e dorëhiqet, duke dalë kështu pikërisht në anën e atyre që deri dje e udhëhoqën partinë, apo Aida Dërguti që pas moskandidimit për kryetare komune, përsëri e fajësoi dhe e ofendoi rëndë themeluesin e VV-së. Visar Ymeri, një njeri shtat-lartë, por frikacak, siç duket iu nënshtrua shantazheve dhe presioneve, duke i dhënë fund kështu karrierës së tij politike që e ndërtoi në krah të kryetarllëkut të falur. E Frashër Krasniqi ashtu siç pritej, ndjekësi i metodave e i shkollës së ish-sekratarit organizativ, nuk kishte se si të rreshtohej ndryshe. Shpresoj se Shpend Ahmeti nuk do të bie aq poshtë sa të shkoj pas Molliqajt i cili në një takim privat të VAN-it të atëhershëm, në prani të shumë antarëve i pati thënë “mshele gojën”.

Shihet se tashmë ekzistojnë dy koncepte, dy grupe, dy drejtime – që me shumë mundësi janë social-demokratët në njërën anë, e kapitalistët në anën tjetër; modestia e meritokracia në njërën anë, e privilegjet në anën tjetër; fjalori i pasur – e i pastër karshi fjalorit banal e denigrues Molliqaj-Ismaili; dëshira e vullneti për ndryshim e ardhje në pushtet karshi përjashtimit, grushteve, ultimatumeve e tërheqjeve zvarrë.

Në këtë mënyrë, për shumicën e popullit të Kosovës, me dobësimin e Vetëvendosjes, zbehet edhe shpresa për një Kosovë më të mirë, për një shtet të së drejtës e me sovranitet, për një qeverisje me duar të pastra, për një rini me perspektivë e për një të ardhme më të ndritur. Partia më e votuar në vend, që për hir të së vërtetës shumicën e votave i ka marrë nga shtresa e varfër dhe e pakënaqur e shoqërisë, po rrënohet nga brenda, e kësisoji shtresa më e shkelur e më e persekutuar e shoqërisë, po zhgënjehet përsëri.

Vetëvendosja do të dobësohet deri diku pas këtyre largimeve, por e mira e gjithë kësaj është se, do të pastrohet nga të inflitruarit e nga lakmitarët një herë e mirë. Kujto fjalët e Kadri Veselit në Kuvend – “Kom me ju ngi SHIK, këtë mandat”. Sofrën veç e ka shtruar, e sa është “zemërgjerë” mbetet të shihet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI MOBIL