45 vite karrierë, kush është Rexhep Çeliku që nesër i jepet lamtumira e fundit?! (VIDEO)

Më 5 janar të 2018-s, artisti i këngëve dhe valleve shqiptare, Rexhep Çeliku mori dekoratë si “Nderi i kombit” derisa në mesin e nëntorit të 2017-s, kur Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore mbushi 60 vjet, Çeliku numëroi 45 vjetorin e karrierës së tij artistike, shkruan Portalb.mk.

Rexhep Çeliku u nda nga jeta në moshën 63-vjeçare nga një sëmundje e rëndë nga e cila vuante prej një kohe të gjatë.

Homazhet në nder të korifeut të skenës shqiptare, Rexhep Çelikut, do të zhvillohen nesër në Muzeun Historik Kombëtar nga ora 11:00 – 13:00. Pas homazheve, do të bëhet përcjellja e tij për në banesën e fundit.

Teatri i Operas dhe Baletit (TOB) shpërndau sot në rrjetet sociale këtë mesazh:

“Lamtumirë korifeu i skenës, “shqiponja” e valles shqiptare, “Nderi i Kombit”, Rexhep Çeliku. Në mënyrë të parakohshme, ndahet nga jeta “Mjeshtri i Madh” i valles shqiptare, Rexhep Çeliku. Pas një sëmundjeje të rëndë, me të cilën luftonte prej vitesh, kryemjeshtri i valles dhe koreografi i Ansamblit Popullor, u shua në shtëpinë e tij në Tiranë rreth orës 4:00 të mëngjesit. Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të “Nderit të Kombit”, Rexhep Çelikut!”, u tha në mesazhin e TOB-it.

Momente nga shënimi i 60-vjetorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në Shqipëri:

Më 5 janar të 2018-s nga kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta ai u dekorua me dekoratën “Nderi i kombit”, por kjo nuk është e vetmja që iu dha si artist i shquar, sepse edhe më parë ai ka marrë tituj nga presidenca e Shqipërisë.

“Liljana Cingu e Rexhep Çeliku ngritën në këmbë e pushtuan zemrat e spektakorëve të skenave më të rëndësishme ndërkombëtare, duke u bërë ambasadorë të shkëlqyer të kulturës sonë në botë”, u shpreh Meta.

Ndërkohë të dy artistët janë shprehur të lumtur me nderin që sipas tyre u bëri shteti shqiptar.

Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.

Ai shumë herë është vlerësuar si valltari fluturues, dhe pikërisht një paraqitje të tillë kishte pasur edhe në vitin 1996, kur Ansambli Kombëtar i Valleve të Shqipërisë pat mbajtur një koncert në Prishtinë, në vitin 1996.

Rexhep Çeliku është lindur më 19 korrik 1954 në Tiranë, i cili që nga viti 1972 është solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button