Shqipja nga këndi i Sami Frashërit

Shqipja, thoshte Sami Frashëri, është gjuha e njërit prej kombeve më të lashtë të kontinentit evropian. Eruditi shqiptar ishte i bindur se, për sa kohë një komb arrin ta ruajë gjuhën, ai i ka të gjitha mundësitë të mbahet gjallë, të mbijetojë tallazet e historisë, të mos shkrihet me të tjerët dhe të mos bëhet i huaj në vendin e vet.

Kjo është arsyeja përse Gjuha shqipe u vendos në qendër të levizjeve rilindëse dhe përse me aq ngulm u punua për alfabetin dhe njesimin e saj, për hapjen e shkollave, për botimin e gazetave, revistave dhe librave shqip.

Kjo është arsyeja e derdhjes së pakursyer të djersës dhe të gjakut të bijve të zgjedhur të etnisë, që na përcolli gjer këtu ku jemi sot; arsyeja përse Samiu u vu në ballë të përpjekjeve për emancipimin e kombit.

Larg Shqipërisë, Sami Frashëri që kishte ushqyer shpirtin me dije universale dhe që i njihte detajet e historisë së njerëzimit, formimin e kombeve dhe rëndësinë e gjuhës dhe emancipimit…, e kuptonte më mirë se gjithkush tjetër katandisjen e shqiptarëve. O, ç’turp i math!, thoshte Ai. Sot Shqipëtarëtë janë robër të poshtëruar’ e tunjurë, të shkelur’ e të çpërndarë… Bijt e tyre janë lakuriq me një këmishë që s’ka ku ta zërë qeni!

Sipas Tij, e gjithë kjo ishte pasojë e prapambetjes së shqiptarëve, të cilët, në raport me fqinjët nëpërka, kishin ngecur në të gjitha fushat e jetës dhe, si të tillë, dukeshin të paaftë të formojnë dhe të qeverisin shtet. I bindur se kombi mbahet me gjuhën e tij, Samiu e përsëriste në vazhdimësi se: s’mund të ketë shqipëtarë pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e pa shkolla… Ndaj: Ata njerës, që harojnë a lënë gjuhën’ e tyre e flasinë një tjatrë gjuhë, me kohë bëhenë njerëzit’ e atij kombi q’i flasinë gjuhënë e dalinë nga kombëri’ e tyre. Kaqë kombe, që janë shuarë, mos pandehni se vdiqn’ a u vranë të tërë; jo kurrë; po u përzienë me të tjerë kombe, muarrë gjuhën’ e atyre, edhe u bënë nga ata…

Kështu, vazhdon Samiu, janë shuarë Maqedonasitë, Thrakasitë, Ilirianët’ e kaq gjindje të tjerë, q’ishinë Pelasgë, do-me-thënë Shqipëtarë si na, e që sot s’janë, se u shuan’ e u haruanë duke humburë gjuhën’ e tyre…

Për rastësi, si për t’ia hjekur vesvesen kryetarit Ivanov, që sillet sikur jeton në Kurdistan… dhe ca akademikërve, të cilët votimin e djeshëm të ligjit për avansimin e Shqipes, njërës ndër gjuhët më autoktone të siujdhesës ballkanike, e përjetojnë si rrezik për gjuhën dhe popullin e tyre, Samiu shkruan: Ne nuk duam gjënë e tjetrit, por s’duam të lëmë dhe gjënë tonë e të drejtën sheshit të na i rrëmbejnë me pahir…

Sidoqoftë, avansimi i Shqipes është për t’u përshëndetur dhe një hap më pranë zyrtarizimit të mirëfilltë, që kërkon ndryshimin paraprak të kushtetutës së vendit, e cila aktualisht na fyen duke na trajtuar si përqindje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button