Maqedoni, fëmijët keqpërdoren në baza fetare dhe politike: asnjë përgjegjësi deri më sot!

Pas kritikave të shumta që dolën në opinion për keqpërdorimin e fëmijëve dhe mbajtjen e ritualeve fetare në shkolla shtetërore, sot nga Inspektorati Arsimor pas inspektimit në më shumë se 160 vende bënë të ditur se nuk ka pasur veprimtari fetare të organizuar në shkolla. Meqë fotografitë e dëshmojnë të kundërtën, Avokati i Popullit  tha se tashmë është hapur procedurë për hetim të rastit dhe se vendimi i Inspektoratit nuk është përfundimtar, ngaqë pritet edhe inspektime tjera. Të njëjtën e thanë edhe nga Ministria e Arsimit, shkruan Portalb.mk.

“Ne si institucion me shqetësim i kemi ndjekur parakalimin e nxënësve dhe kemi marrë qëndrim që të hapim procedurë, jemi drejtuar në Ministrinë e Arsimit dhe Inspektoratit që të gjitha këto dukuri, shkolla një nga një t’i inspektojë. Rasti i parakalimit nuk ka ndodhur vetëm në një shkollë, por në shumë vende”, tha Memeti.

Ixhet Memeti, avokati i popullit

Nuk dihet se në sa shkolla apo në sa vende është mbajtur manifestim fetar në të cilin kanë qenë të përfshirë nxënësit.

Në lidhje me këtë, avokati i popullit, Ixhet Memeti tha se si institucion kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Inspektorati që pas përfundimit të inspektimeve për problematikën në fjalë, të ju dërgohet njoftim edhe atyre si institucion.

Memeti parashtron mundësinë që fëmijët të jenë keqpërdorur për çështje politike.

“Ne nga mediat me shqetësim kemi ndjekur dhe kemi parë se nxënësit parakalojnë apo janë përfshirë në manifestim fetar dhe kemi vlerësuar se duhet të hapet procedurë dhe të shihet se mos vallë bëhet keqpërdorim i fëmijëve në arsim apo për çështje politike”, tha Memeti.

Zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Vlladimir Dellov për Portalb.mk tha se deri më sot janë inspektuar 160 vende, dhe nga Inspektorati është konstatuar se nuk ka shkelje të të drejtave të fëmijëve.

“Deri më sot janë inspektuar 160 vende, dhe nga Inspektorati është vërtetuar se nuk ka shkelje të të drejtave të fëmijëve. Pritet të ketë edhe inspektime tjera”, tha Dellov.

Ndërkaq, nga Inspektorati i Arsimit sot njoftuan se nuk ka pasur keqpërdorim të fëmijëve.

“Të dhënat e marra pas kontrollit tregojnë se shkollat nuk kanë marrë pjesë në organizimin e manifestimeve fetare”, thanë nga Inspektorati.

Inspektimi është bërë me kërkesë të Ministrisë së Arsimit dhe vjen që pasi Ambasada e Parë e Fëmijëve “Megjashi” të njëjtin e vlerësoi si sjellje banditësh, si manipulim populist nëpërmjet traditës dhe ritualeve që hynë edhe shkollat dhe pushteti lokal.

Kryetarët e komunave i kanë mbrojtur veprimet e tyre me qëndrimin se ata nuk morën pjesë në organizimin e tyre, por se vetëm kanë njoftuar prindërit.

Nga Megjashi njoftuan se do të dalin me reagim pasi që Avokati i Popullit të dalë me përfundime, sepse i njëjti veçmë ka nisur procedurë për hetim të këtyre veprimtarive religjioze të zhvilluara në shkolla.

Brenda gjashtë muajve, rasti i dytë i përfshirjes së të miturve në veprimtari fetare

Përndryshe, edhe më parë në rrjetet sociale kanë qarkulluar disa fotografi të një të ashtuquajturi Kopshti “Bleta”, privat, në lagjen Gazi Babë të Shkupit ku shiheshin fëmijë duke kryer rituale fetare. Reagimet ishin të ndryshme duke u nisur nga ajo se e njëjta nuk ka leje për punë, shpërndan ekstremizëm fetar, i shkel të drejtat e fëmijëve etj. Nga ana tjetër kishte edhe reagime islamofobike dhe paragjykuese. Sipas të dhënave që siguroi Portalb.mk doli se “Bleta” nuk është kopsht, por organizatë joqeveritare. Megjithatë për të njëjtën askush nuk dha përgjegjësi, edhe pse në të edukoheshin fëmijë të mitur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button