Një emër për të qenë ose jo

Viti 2018 duhet të jetë vit i ndryshimeve pozitive. Disa herë është përsëritur që ky vit është mundësia e vetme për tu rikthyer në rrugën e integrimeve Euro-Atlantike. Për të bërë kthesë të vërtetë në histori duhen investime të vërteta. Një nga këto investime është zgjidhja e kontestit të emrit i cili zgjati aq shumë sa filloi tu ngjajë atyre kontesteve mes fqinjëve për megjet e arës që zgjasin gjeneratë pas gjenerate dhe nuk përfundojnë kurrë ose përfundojnë me pasoja të mëdha.

Një gjë është më se e qartë: Unioni Evropian nuk importon konteste. As NATO nuk importon konteste. Kjo do të thotë që kontestet ndërfqinjësore duhet domosdoshmërisht të zgjidhen para aktit final të aderimit në këto organizata. Dhe ata që kërkojnë vazhdimisht integrim aty, me vite të tëra, jemi ne. Askush nuk është duke na lutur, askush nuk mërzitet shumë se çfarë do të ndodhë nëse ky integrim nuk do të bëhet. Në fund të ditës, pasojat në rast të dështimit të këtij integrimi do ti heqim përsëri ne, si qytetarë të një shteti i cili nuk është i aftë të bashkohet me organizatat strategjikisht më të rendësishme në këtë pjesë të botës. Duke qenë kështu, është më se e qartë që lëshimet duhet ti bëjmë ne dhe që vijat e kuqe i cakton tjetërkush dhe jo ne.

Për t’u zgjidhur kontesti i emrit duhen tri mjete kryesore: racionalitet, vendosmëri dhe përkrahje.

Racionaliteti duhet treguar në vetë procesin e negociimit dhe të bindjes së opinionit të gjerë për këtë ndryshim. Deri tani kjo çështje, për shkak të emocionalitetit të cilën e përmban kur lidhet me identitetin e një etniteti, vazhdimisht është keqpërdorur për të fituar poena politikë nëpër kampanja parazgjedhore. Rezultati: një popull i irituar që nuk pranon asnjë lloj ndryshimi në këtë drejtim për të cilin ndryshimi eventual i emrit, shikohet si fundi i botës, fundi i identitetit të tyre kombëtar dhe shkatërim i shtetit dhe i popullit shumicë në të. Politikanët udhëheqës, por edhe ata opozitarë, duhet të fillojnë të sillen me maturi dhe racionalitet lidhur me këtë çështje. Duhet ti bindin edhe qytetarët që i udhëheqin që kjo është një çështje shtetrore dhe është interes i përbashkët i të gjithëve që jetojnë në këtë shtet dhe nuk lidhet me identitetin kombëtar të një etniteti i cili nuk është gjilpërë që të humbë mes kshtës. Duhet të jenë të arsyeshëm dhe të shohin jashtë kutisë, të shohin malin dhe jo vetëm drunjtë në pyll.

Mjeti i dytë është vendosmëria e cila deri më tani ka munguar. Dilema kryesore e politikanëve deri në këtë moment ka qenë: a të zgjidhet kontesti jetik dhe të përparohet në rrugën e integrimeve apo të vazhdohet të politizohet i njejti dhe të sigurohen vota për ndejtjen në pushtet. Pra dilema në këtë vend është gjithnjë mes një sjelljeje burrështetasi dhe një sjellje politikani. Politikani mendon vetëm gjer tek zgjedhjet e ardhshme ndërsa burrështetasi mendon për gjeneratat e ardhshme. Menduam që e kishim mjaft nga politikanë dhe prandaj vendosëm të zgjedhim një kryeministër që ngjan më shumë si burrështetas se sa si një poltikan ordinar në Maqedoni, i cili duket që e ka vendosmërinë e duhur për të bërë maksimumin e tij në zgjedhjen e këtij kontesti. Vendosmëria është njëri ndër tri faktorët kyç në këtë çështje. Kthim prapa nga e njejta nuk ka, ndërsa prej zgjidhjes së saj në mënyrë direkte varet integrimi në NATO si dhe akti final i integrimit në UE.

Mjeti i tretë është përkrahja. Sipas mendimit tim, qeveria e tanishme, dhe veçanërisht kryeministri Zaev, e ka racionalitetin dhe vendosmërinë e duhur për zgjedhjen e këtij kontesti. Ajo që nuk jam e sigurtë se në çfarë mase e kanë, është përkrahja. Përkrahja së pari në rradhët e veta, kur dimë se nacionalizmi i shfernuar nuk është vetëm karakteristikë e VMRO-DPMNEsë por edhe e shumë personave që vehten e quajnë social-demokratë, dhe së dyti përkrahja tek partitë politike tjera maqedonase. Lideri i ri i VMRO-DPMNEsë ka premtuar konstruktivitet në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për Euro-integrimet, dhe ka kërkuar konstruktivitet të dyanshëm. Çfarë tamam nënkupton VMRO-DPMNE me këtë dyanshmërinë e konstruktivitetit, mbetet të shihet. Partitë tjera etnike maqedonase poashtu janë shqetësuese me deklaratat e tyre radikale sa i përket kësaj çështjeje. Kështu, përfaqësues të së Majtës thonë që janë kundër ndryshimit të emrit, dhe poashtu janë kundër integrimit në NATO. Në këto kohëra të ndjeshme dhe vendimtare është problematike kur nga ana e subjekteve politike të shtetit që duhet të integrohet kemi deklarata me radikale se sa nga ana e subjekteve greke të cilët në fakt nuk është aspak e qartë se çfarë do të përfitojnë me zgjedhjen e këtij kontesti. Prandaj duhet treguar më tepër maturi në këtë proces, nga të gjithë subjektet politike të involvuara.

Dhe fundi na sjell përsëri tek qytetarët shqiptarë të këtij vendi. Është e qartë që ndryshimet më të rendësishme në shtet janë bërë gjithmonë me një veprim konstruktiv dhe largpamës të qytetarëve shqiptarë. Lidhur me kontekstin e emrit, shqiptarët e kanë racionalitetin, vendosmërinë dhe përkrahjen e duhur për ta bërë ndryshimin. Prandaj mendoj që këtë konstruktivitet duhet ta ndajnë dhe ta promovojnë më shumë mes të gjithë qytetarëve tjerë të vendit dhe të jenë promotorë të përbashkët në këtë hap të rendësishëm strategjik të Maqedonisë nga i cili në mënyrë direkte varet ardhmëria e këtij shteti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button