Dy Këshille paralele në Maqedoni për reformat në gjyqësor: mosbesim ndaj ministrit të Drejtësisë, Saliji?!

Qeveria e Maqedonisë dje ka sjellë vendim që të formohet Këshill i ri që do të ndjek zbatimin e e strategjisë së realizimit të reformave në gjyqësor me të cilin do të udhëheq kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ndërkohë që Këshilli për Reformat në Gjyqësor në krye të së cilit ishte ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji është “përjashtuar” nga Plani 3-6-9 duke përfunduar punën e tyre dhe nuk dihet ende se çfarë do të ndodh më tej më të, shkruan Portalb.mk.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski formimi i një Këshilli të ri, me funksion të ngjashëm sikurse ai paraprak, nuk do të thotë se Zaev nuk ka besim ndaj Salijit, por se faza e realizimit të reformave në gjyqësor duhet të shkojë në nivel më të lartë, qeveritar.

“Fakti që po krijohet këshill i ri për reforma në drejtësi nuk ka të bëjë me pabesi ndaj ministrit të Drejtësisë, por detyrat që i kishte Këshilli i Ministrisë së Drejtësisë, që parashihen me pjesën 3 dhe 6 të Planit 3-6-9 janë realizuar dhe tashmë kalojmë në pjesën 9 të Planit, ku vijon ndjekja e zbatimit të strategjisë. Bëhet fjalë për punë të re, jo për të vjetrën”, tha Boshnjakovski.

Këshilli Gyjqësor sipas Boshnjakovskit do të vazhdojë të funksionojë, por se çfarë do të ndodh me të, se a do të jetë këshill apo do shndërrohet në trup tjetër, kjo do të vendoset nga ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji.

“Puna e këtij Këshillit që ishte në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka pasur rol specifik me anë të së cilit u përkapen detyrat nga Plani 3-6-9. Puna e këtij Këshilli ka mbaruar dhe në këtë pikëpamje puna është kryer me sukses. Bëhet fjalë për profesionist dhe tërë qeveria i falënderohet atyre për kontributin që e kanë dhënë. Se çfarë do të ndodh me këshillin për reforma në gjyqësor është e drejtë diskrecionale e Minsitrisë së Drejtësisë. Gjatë ditëve në vijim do t’ju informojmë, se a do të funksionojë për qëllime tjera apo do të jetë trup tjetër, kjo do të vendoset nga Ministria e Drejtësisë”, tha Boshnjakovski.

Këshilli i “Zaevit” pa përbërje konkrete

Megjithëse është sjellë vendim se do të formohet këshill në krye të së cilit do të jetë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i njëjtin nuk dihet ende nga kush do të përbëhet.

“Anëtarët e Këshillit do të dihen gjatë periudhës në vijim. Të bëhet durim deri në fund të muajit kur ajo do të publikohet dhe do të jemi transparent për tërë publikun”, tha Boshnjakovski.

Nga ana tjetër, Këshilli për Reforma në Gjyqësor i “Salijit” që në fillim hasi në kritika, si pasojë disa anëtarë – ekspert juridik të tij dhanë dorëheqje. Ky Këshill erdhi si rezultat i rekomandimeve të Pribe-së dhe Komisionit Evropian i përfshirë në Planin 3-6-9 të Qeverisë së Maqedonisë, pasi një grup i ekspertëve ndërkombëtar, i udhëhequr nga gjermani, Rainhard Pribe, konstatoi mangësi dhe pengesa të shumta në punën e gjykatave dhe në hetimin e aferave kriminale gjatë pushtetit të kaluar.

Këshilli Gjyqësor, si trup i pavarur, në vend që ta garantojë pavarësinë e gjyqësorit, në realitet pengon autonominë e tyre”, u tha në raportin e Pribe-së. Në këtë Këshill janë anëtar 27 gjykatës, profesor dhe këshilltar shtetëror, dy nga anëtarët janë edhe ministri dhe zëvendësi.

A do të kemi sërish gjyqësor “të qendrave të fuqisë”?

Vendosja e Zaevit në krye të Këshillit “simotër” të Salijit sipas zëdhënësit të Qeverisë, Mile Boshnjakovski nuk nënkupton se gjyqësori do të udhëhiqet nga “qendrat e fuqisë”, partisë, por se reformat në gjyqësor janë ardhmëria e Maqedonisë, e për këtë Zaev ka shprehur gatishmëri.

“E dini se reformat në gjyqësor janë ardhmëria e Maqedonisë dhe baza e Planit 3-6-9 dhe raportit të Pribesë. Kjo bëhet që reformat të ngritën në një nivel më të lartë dhe ajo është Qeveria e Maqedonisë. Tash shkojmë në zbatim thelbësor të reformave, dhe me qëllim që ky zbatim të jetë më adekuate do të formohet ky trup që do të udhëhiqet nga Zaevi”, tha Boshnjakovski.

Se a do të thotë kjo se sërish gjyqësori do të jetë nën kontroll nga qendrat e fuqisë siç ka qenë më herët në Maqedoni, Boshnjakovski tha: “Zaevi e ka dëshmuar veten se njeh sektorin e gjyqësisë dhe e din se çfarë është e nevojshme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button